Rusia teston nëndetësen më të madhe të 30 viteve të fundit

29 Qershor 2021, 08:44Bota TEMA

Rusia ka testuar për herë të parë një nëndetëse gjigante të re bërthamore në ujëra të hapura, vetëm disa ditë pas një bllokimi të tensionuar në Detin e Zi me Britaninë.

‘Belgorod’, që besohet të jetë nëndetësja më e madhe në botë e prodhuar në 30 vjetët e fundit, u testua në Detin e Bardhë gjatë fundjavës, bënë të ditur mediat shtetërore ruse, të cilave u referohet “The Telegraph“.

Pasi të miratohet për përdorim, prej saj do të mund të lëshohen raketa interkontinentale ‘Poseidon’.

Ajo do të shërbejë edhe si bartëse e nëndetëseve më të vogla, të zhytura në thellësi me krahë robotikë, që mund të presin kabllot që ndodhen në shtratin e detit.

Marina Detare Mbretërore njoftoi në fillim të këtij viti se do të vendoste një anije spiune për të parandaluar që nëndetëse të tilla të sabotojnë internetin e Britanisë përmes taktikave të tilla.

Parametrat e saktë të Belgorod nuk janë bërë të ditur, por është e sigurt se pas testeve do t’I dorëzohet shtetit rus në fund të vitit 2021.

Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes u kanë thënë mediave ruse se nëndetësja do të shërbejë në Flotën e Paqësorit.

Por në Perëndim ka shqetësime se nëndetësja mund të vendoset në Arktik dhe Atlantikun e Veriut, ku Moska ka rritur ndjeshëm aktivitetin e saj të nëndetëseve vitet e fundit.

Muajin e kaluar, sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, i tha gazetës “Telegraph” se Moska mbetet “kërcënimi numër një” i Britanisë, ujërat e të cilës janë vizituar rregullisht nga anijet ruse.

Që prej vitit 2013, mjetet ujore ruse janë zbuluar nga Britania në më shumë se 150 raste.

Testimi i Belgorod vjen vetëm disa ditë pas një konfrontimi ruso-britanik në Detin e Zi, kur një mjet i Marinës Mbretërore kaloi nëpër ujërat e një zone që Rusia e ka pretenduar si të vetën që nga aneksimi i Krimesë në 2014. Ndërkohë, Britania ende e njeh atë si territor ukrainas. Rusia tha se gjuajti në shenjë paralajmërimi dhe hodhi bomba afër anijes, një pretendim ky që u kundërshtua nga Downing Street.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje