Njerëzit e drejtësisë që u arrestuan për korrupsion në 6 muajt e fundit

2 Korrik 2021, 10:55Kronika TEMA

Në 6 muajt e fundit janë arrestuar me urdhër të SPAK, 3 prokurorë dhe një gjykatëse, përkatësit prokurori i Vlorës, Maksim Sota, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Edmond Kariqi, prokurori i Sarandës, Sali Hasa dhe ish-gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha.

Prokurori Maksim Sota

Më 16 korrik të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurori skualifikoi nga gara për në SPAK prokurorin Maksim Sota.

Sota u intervistua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si kandidat i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, por u skualifikua që në fazën e parë të këtij procesi.

Ai e ka nisur detyrën në Prokurorinë e Vlorës dhe ka qenë drejtues i kësaj prokurorie për disa vite. Ndërkohë, ai nuk i është nënshtruar procesit të Vettingut.

Tashmë prokurori Sota është arrestuar dhe për të gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe  dyshohet se është përfshirë edhe në trafik droge.

Prokurori Edmond Kariqi

Më 30 qershor të këtij viti me urdhër të SPAK, Policia e Shtetit arrestoi në Kavajë drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit, Edmond Kariqi.

Mbi të rëndon akuza për “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë e kryer në bashkëpunim”.

Edmond Kariqi deri në vitin 2019 ka qenë prokuror pranë Prokurorisë së Kavajës, më pas ai është emëruar në Lushnje si prokuror, ndërsa së fundmi është transferuar në Kukës, ku është komanduar drejtues nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Prokurori Sali Hasa

Mëngjesin e 19 qershorit ra në prangat e policisë edhe prokurori i Sarandës, Sali Hasa, i akuzuar “për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Z. Hasa ra në pranga pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Pak ditë pas arrestimit, Gjykata Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dha masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj prokurorit të Sarandës.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha

Më 11 shkurt të 2021, gjyqtarja  e Krujës, Enkelejda Hoxha u arrestuar me urdhër të SPAK, pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Pas arrestimit, Gjykata e Posaçme e Apelit ka dhënë masën sigurisë “arrest me burg” për gjyqtaren.

Ishte Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë që kërkoi shkarkimin e gjyqtares dhe më 17 mars, KLGJ vendosi të shkarkonte magjistraten.

Ajo është e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ, pas një hetimi disiplinor të ILD-së. Gjyqtaja nuk iu nënshtrua procesit të Vetttingut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje