Ministri francez i Drejtësisë, nën hetim për konflikt interesi

17 Korrik 2021, 09:09Bota TEMA

Ministri francez i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, është nën hetim pas dyshimeve për konflikt  interesi. Ai do të qëndrojë në qeveri pavarësisht hetimit, tha kryeministri Jean Castex.

Dupond-Moretti, më parë avokat i famshëm, u emërua ministër nga Presidenti Emmanuel Macron një vit më parë, me synimin për të reformuar sistemin e drejtësisë.

Kryeministri Castex dhe Presidenti Emmanuel Macron kanë shprehur mbështetjen ndaj tij. Macron u tha gazetarëve gjatë një vizite në Tour de France se Dupond-Moretti “ka të njëjtat të drejta si të gjithë shtetasit e tjerë”, duke përfshirë edhe prezumimin e pafajësisë, raporton France 24.

Dupond-Moretti u mor në pyetje për orë të tëra nga Cour de Justice de La Republique, një gjykatë speciale që merret me ankesat kundër ministrave në detyrë. Në janar, gjykata nisi një hetim pasi një grup anti-korrupsion dhe tre sindikata magjistratësh paraqitën padi për konflikt interesi kundër Dupond-Moretti.

Ky i fundit thotë se sindikatat po i përdornin pretendimet e konfliktit të interesit për të bllokuar reformat e tij.

Sipas ligjit francez, një hetim formal do të thotë se ka prova që implikojnë një të dyshuar, por është e thënë të ngrihet akuzë.

Personi mund të akuzohet në një moment të mëvonshëm nëse shfaqen prova të tjera kundër tij, ose hetimi mund të anulohet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje