Gjykata e Lartë ka caktuar datën për shqyrtimin e dosjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish- drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Mësohet se seanca do të zhvillohet më 28 shtator, në orën 10:00.
Tahiri dhe Çela i kërkojnë Gjykatës së Lartë të prishë vendimin e Apelit dhe të pushojë çështjen ndaj tyre.
Në këtë gjykatë Tahiri ka kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm, që e ktheu dosjen në ngarkim të tij për rigjykim në Shkallën e Parë.
Përballja e Tahirit me drejtësinë nisi në nëntor 2017, kur ai u dyshua si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës.
Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzat për trafik droge e grup kriminal dhe e fajësoi ish-ministrin për “shpërdorim të detyrës”. Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë.