Arrigo Sacchi komenton Serie A. Për “Gazzetta dello Sport” ai thotë: “Favoriti për titull? Juventusi. Unë mendoj se bardhezinjtë po e fillojnë më përpara, edhe sepse Interi ka humbur dy lojtarë të rëndësishëm si Hakimi dhe Lukaku, por mbi të gjitha trajnerin. Conte kishte bërë një punë të jashtëzakonshme, duke arritur të përmbysë një parashikim që gjithashtu vitin e kaluar e shihte Juven si favorit.
ALLEGRI – ”Ai di të fitojë, është një trajner pragmatik si dhe një teknik i madh. I njeh mirë rrugët që të çojnë drejt fitores. Juve e tij nuk ishte gjithmonë bindëse, por në Itali rezultati vlen mbi të gjitha dhe Allegri di si ta marrë atë. Nuk u habita që u thirr përsëri për të udhëhequr ekipin bardhezi, edhe nëse është e vështirë të përsëritet suksesi. Juventusi donte të ndryshonte diçka, por fillimisht ia besoi Sarrit dhe më pas Pirlos një skuadër të ndërtuar për Allegrin, i cili është shumë i mirë në blerjen e lojtarëve në përputhje me idetë e tij. Në çdo rast, skuadra bardhezi është shumë e kompletuar si grup dhe përbëhet nga elementë me thellësi të madhe”.
BLLOKU ITALIAN DHE CHIESA – “Në nëntë titujt radhazi të Serie A, veçanërisht në të parin, grupi italian i Juventusit ishte vendimtar. Bonucci dhe Chiellini kanë karakter, njohuri, personalitet. Dhe ata i transferojnë të gjitha këto tek më të rinjtë. Me Chiesa, nëna natyrë është treguar bujare. Ai ka fuqi, shpejtësi, forcë, teknikë. Sidoqoftë, duhet të mendojë më shumë dhe të lëvizë brenda kohës dhe distancave të duhura. Ai mund të përfitojë nga mundësia e të stërviturit me Ronaldon, i cili është mjeshtër në këto gjëra. Chiesa duhet të mësojë të shfrytëzojë sinergjinë me shokët”.
LOCATELLI – “Ai ka kohë loje, cilësi. Dhe ka ende vend për përmirësim, duhet të jetë gjithmonë i pranishëm në lojë. Kur ka topin është një dirigjent orkestre, siç janë pak prej tyre”.
ZËVENDËSIMI I RONALDOS – “Unë jam një specialist i modës së vjetër. Për mua lojtarët janë të gjithë njësoj. Kur isha trajner, nëse një lojtar nuk ndihej mirë, do ta zëvendësoja ose do ta lija në stol. Pavarësisht nëse quhej Gullit, Van Basten apo Baresi. Dhe secilit prej tyre po i bëja një nder, sepse futbolli nuk është një sport individual. Nuk ka asnjë lojtar që duhet ta ngarkojë ekipin mbi supet e tij. Ne duhet të përmirësojmë sinergjinë midis lojtarëve”.
PIKA E DOBËT – “Kolektivi. Kushdo që dëshiron ta mposhtë atë do të duhet të ketë një ekip më të mirë dhe një sistem më të mirë të lojës. Bardhezinjtë do të përqëndrohen te mbrojtja, konkretizimi dhe individualiteti. Juve ka shumë solistë dhe rrjedhimisht ka nevojë për të gjithë elementët e spikatur. Ata duhet të kenë modestinë e duhur për t’u përmirësuar dhe altruizmin për të luajtur si ekip. Bashkëpunimi nxjerr në pak talentin, nga i cili Dybala, për shembull, ka shumë”.