E majta në Shqipëri dhe Kosovë dhe ‘floriri’ i Zogut si model i kapitulluar i së djathtës

26 Gusht 2021, 09:47Blog TEMA

Nga Aranit Muraçi

Aq e kulluar ka qenë veprimtaria patriotike dhe atdhetare e Fan Nolit dhe mbështetësve të tij, saqë sot pinjollët e Ahmet Zogut në emër të patriotizmit të rremë nuk guxojnë dot t’iu përmendin as emrin. Pinjollët e Zogut janë ata që u edukuan në kohën e komunizmit, milituan si anëtarë partie ose përkrahës të betuar të regjimit deri në rënien e tij dhe bënë karrierë politike si të djathtë ose të majtë, pa e ditur as vetë se çfarë janë në të vërtetë. Shumica e tyre e mbiquajtën veten “demokratë”, gjatë tranzicionit të tejzgjatur.

Sot e kësaj dite, prej tyre, me dinakëri çdo dështim i Shqipërisë gjatë 30 viteve të fundit i atribuohet posaçërisht komunizmit dhe gjoja pasuesve të tij. Prandaj, në vend të kësaj, është me shumë rëndësi që të bëhet një krahasim me një periudhë tjetër. Duke e konsideruar komunizmin një “periudhë të errët”, do të ishte më mirë të krahasohej periudha pas ’90, me të vetmen periudhë tjetër të historisë së shtetit shqiptar para se në pushtet të vinin komunistët.

Për gjithçka i dhanë kombit shqiptar deri edhe jetën, të adhuruar në Shqipëri, Kosovë, në çdo trevë shqipfolëse, edhe nga shqiptarët e diasporës, Noli dhe mbështetësit e tij si formacion politik mund të thuhet se patën fatin më të trishtë dhe tragjik, në historinë politike të Shqipërisë.

Ata ishin të vetmit që nuk e ngritën karrierën mbi interesa personalë. Nuk patën për këtë arsye kur morën pushtetin përmes revolucionit, si e vetmja mënyrë, përkrahjen e duhur të fqinjëve (që e “donin” aq shumë Shqipërinë) dhe të faktorit ndërkombëtar (po themi Italia), ndaj edhe dështuan. Mbi 80 për qind e shqiptarëve as nuk e mësuan dot se kur erdhën dhe as kur ata ikën nga pushteti. Por megjithatë ata nuk u dorëzuan, ishin të vetmit që nuk e tradhtuan kurrë njëri-tjetrin. Jetuan përmes idealeve të vërteta. Atdhedashuria ishte pasuria e tyre e vetme. Shumica nuk krijuan dot as familje, veç emrit nuk lanë asnjë pasuri. U përjetësuan të gjithë bashkë, në histori. Nuk ka dalë asnjë individ dhe as forcë politike sot, pavarësisht çdo përpjekje të dëshpëruar, që t’i baltosë.

Me përjashtim të Avni Rustemit, i cili vrau Esat Toptanin në Paris, pranoi krimin dhe u shpall i pafajshëm nga një gjykatë franceze, ndërsa për shumë shqiptarë njihet sot si hero dhe ‘simbol i plumbit ndaj tradhtisë’, të tjerët nuk e drejtuan kurrë pushkën ndaj asnjë shqiptari. Ata luftuan për një Shqipëri më të denjë, por u tradhtuan nga dora e shqiptarëve dhe u martirizuan prej pabesisë së tyre, për një mbretëri më të mirë. Megjithatë, qytete, universitete, rrugë, shkolla në Shqipëri dhe Kosovë, pa asnjë imponim krenohen sot me emrin e tyre.

Sot ata admirohen kudo ku ka shqiptarë, gjerësisht nga populli, çka tregon se populli shqiptar beson në virtyte, ideale të vërteta, dhe i pranon vlerat më të mira përfaqësuese.

Kjo është ndoshta fotoja e vetme e Fan Nolit me dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, që është realizuar në gushtin e vitit 1924. Kryeministër në atë kohë vetëm për pak muaj, Fan Noli, së bashku me Luigj Gurakuqin (ministër i Financave) dhe Bajram Currin (bashkëpunëtor besnik) udhëtuan pak javë pas marrjes së pushtetit drejt Gjenevës, për të marrë pjesë në sesionin e pestë të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve. Se cili është qëndrimi dinjitoz i Nolit të madh në Lidhjen e Kombeve, ashtu siç ka qenë çdo vepër e tij, këtë nuk e pranojnë vetëm ata që kanë punuar dhe punojnë për interesat e tyre personalë, apo të ndonjë vendi tjetër që “minon” të ardhmen e kombit shqiptar.

Pas ‘90 ata që u mallëngjyen dhe flasin pa pushim për “suksesin” personal të Zogut, jo rastësisht kanë heshtur mbi veprën e Nolit, Gurakuqit etj, sepse tërë karrierën politike e ngritën përmes mashtrimit ideologjik duke u hequr si anti-komunistë dhe duke ngritur në sistem të njëjtin model, atë familjar, me besimin se (kamxhiku do të vlejë vetëm për popullin që nuk është me ta). Ndërsa përmes një projekti famëkeq antishqiptar, duke shkatërruar tërë veprimtarinë prodhuese të ekonomisë sonë, më pas minuan arsimin dhe kulturën, ata besuan se do t’i verbonin shqiptarët njësoj si Zogu dhe do t’ia trashëgonin partinë dhe pasurinë familjes dhe disa prej oborrtarëve të tyre më besnikë, po ashtu si mbreti i dikurshëm.

Nëse do të ishte në dorën e tyre, Bajram Curri sot nuk do të kishte më këtë emër në rrethin e tij, universiteti i Shkodrës nuk do të quhej “Luigj Gurakuqi”, as “Fan Noli” nuk do të kishte më të njëjtin emër në universitetin e Korçës. Dhe sheshi “Avni Rustemi” mund të mbante ndonjë emër tjetër, pse jo atë të Esat pashë Toptanit. Rrethit të Matit mund t’i jepet emri i Ahmet Zogut.

Por projekti ndonëse funksionoi në forma të ndryshme një herë para se të vinte në pushtet regjimi komunist, dhe një herë tjetër pas rënies së tij, dështoi me sukses në të dy rastet. Themi dështoi me sukses, sepse në të dy rastet kundërshtarët e djeshëm dhe të sotëm të Nolit, ndryshe nga ai, qeverisën gjatë dhe u pasuruan shpejt.

Sot e përbuzin në heshtje veprën e Nolit ata politikanë, të cilët nuk ia përmendin kurrë emrin. Sikurse nuk kujtohen kurrë as për veprën e Luigj Gurakuqit, Bajram Currit, Avni Rustemit, Hasan Prishtinës dhe kështu me radhë të gjithë kundërshtarëve kryesorë të Zogut, të cilët kryeministri, presidenti dhe më pas mbreti famëkeq i shqiptarëve i degdisi ose i vrau pabesisht pas krahëve. (Vrasjet janë ende edhe sot pa asnjë autor).

Ashtu siç funksiononin mbretëritë e Europës në Mesjetë ata besuan dhe ndoqën modelin më të shëmtuar të Ahmet Zogut, mbretit të parë dhe të fundit absolut shqiptar të Europës, i cili për të pasur sa më shumë siguri dhe qetësi në mbretërinë e tij, veproi në dy plane: asgjësoi thuajse të gjithë kundërshtarët politikë dhe la shumicën dërrmuese të popullit në analfabetizëm dhe mjerim. Ai ishte edhe i vetmi politikan që për interesa personalë bashkëpunoi hapur me fqinjët pushtues dhe grabitqarë. Për Kosovën mbretin “patriot” e strehuan në Beograd dhe me të marrë pushtetin ai dhe ata si ai shitën në emër të të njëjtit “patriotizëm” që flitet sot gjithçka mundën, deri edhe territoret shqiptare.

Në raste të ngjashme sot pasuesit e tij nëse iu kërcënohet siguria dhe pasuria, ëndërrojnë karvanin ngarkuar me florinj, të shoqëruar nga oborrtarët e tyre më besnikë, për t’u larguar pa turp nga Shqipëria. Nëse dëbohen njësoj si Ahmet Zogu, ata nuk e kanë për turp të vijnë dhe ta mbajnë pushtetin me ndihmën e qeverisë serbe dhe të mercenarëve rusë. Ata nuk e kanë për turp as që të bashkëpunojnë për interesat e tyre personalë me ndonjë qeveri fashiste perëndimore apo të largohen pa turp nga vendi, kur të mos iu duhen më as dreqit.

Të sotmit që harrojnë Nolin dhe në vend të tij admirojnë e vlerësojnë Zogun nuk e dinë as vetë se çfarë vlerash përfaqësojnë. Nuk e dinë nëse janë të majtë, të djathtë, liberalë, konservatorë, të qendrës, të përzier, tiranë, demokratë, marksistë apo imperialistë.  Kurrë nuk ballafaqohen me fakte dhe ide, por kur iu kërcënohet interesat baltosin dhe sulmojnë me keq se në komunizëm cilindo.

Është kjo një ndër arsyet kryesore se përse e majta, pavarësisht se kritikohet si e kaluara e komunizmit, e vlerësoi siç duhet veprimtarinë e Nolit dhe mbetet alternativa e vetme qeverisëse sot në Shqipëri. E majta qeveris aktualisht edhe në Kosovë. Në mungesë të një alternative të djathtë, e majta në Kosovë edhe më radikale se ajo e Shqipërisë është shfaqur si një rivale e saj në plan kombëtar. Nuk është rastësi që e njëjta e majtë në Kosovë i jep të njëjtin vlerësim figurës së Nolit dhe përkrahësve të tij. Kështu që për të pasur një demokraci sa më funksionale mbarëkombëtare, i takon së djathtës në Shqipëri dhe Kosovë të rithemelohet nga e para, bazuar mbi të vërtetat historike, për një të tashme dhe të ardhme më të mirë të sajën dhe të mbarë kombit tonë.

5 komente në “E majta në Shqipëri dhe Kosovë dhe ‘floriri’ i Zogut si model i kapitulluar i së djathtës”

  1. lato says:

    Opinion adoleshenti

  2. Miri says:

    Ju paska hyre frika nga mbreti.
    Nqs don me e dite dhe jam i bindur qe e dini mire se me votime te ndershme Zogu fiton perseri ne Shqiperi.

  3. Bureto says:

    Shkrim shume i dobet dhe po maq i sforcuar. Me qellim, gjoja t’i qaje hallin të “djathtes” se sotme shqiptare, autori reket te glorifikoje aktoret politike te viteve ’20 te shekullit të kaluar dhe paralelisht me ta të “nxije”, periudhen e monarkise dhe të Ahmet Zogut. Gati, gati sa nuk brohoret: “Rrofte shoku Enver Hoxha!”, dhe njeherazi periudhen e regjimit te tij kriminal. Ishte historiografia e mumifikuar e atij regjimi kriminal, që historine e retushoi, arkivat i mbylli dhe e shkroi historine para tij, por dhe ate te gjat sundimit te tij, si i sherbente pushtetit dhe lavdise se tij. Ishte ai shkrim historie, që Grushtin e Shtetit të qershorit 1924, e quajti revolucion ‘demokratik’, qe per qellimet e pushtetit të tij, satrapizoi monarkine dhe glorifikoi kundershtaret e tij, që ne ato fillime ishin dhe bashkepunetoret e Ahmet Zogut. Keshtu ne kete kuader. memorizoi me emra shkollash, rrugesh e shesheh, kundershtaret e A.Zogut, të cilet jo se nuk i kane vlerat e tyre, por paraqitja e politikes ‘bardh-e zi’, tregon dobesi analitike mangesi ne sferen e historise te autorit te shkrimit, qe mesa kuptova i ka ngel sahati në ato mesime që ka marre nga librat e historise se kohes se “nacional-komunizmit”, kur ai ishte nxenes i shkolles 6 vjeçare.
    Por ja që mbas viteve 1990 iu çel rruga botimit te shume veprave historike dhe publicistike, te cilat regjimi komunist i kishte ndaluar. Autorit do t’i rekomandoja që të ulej dhe të lexonte librin e Sejfi Vllamasit, protagonistit dhe bashepunetorit si të Zogut, ashtu dhe te Nolit, librin e Niko Xoxes, të Medi Frasherit, të Tahir Kolgjinit e plot të tjere, deri të autoreve bashkekohore si Ilir Ikonomi, Erald Kapri etj,etj, dhe do te shohe se sa ‘injorant’ i historise eshte, në mos qofte në “rrufjan” politik në publicistikë. Që të mos e zgjas se për ta kundershtuar, fund e krye shkrimin e Miraçit, mjafton t’i kujtoj atij qendrimin e Fan Nolit dhe Faik Konices, që mbajten ndaj Ahmet Zogut, duke i kerkuar ndjese atij, sidomos Noli, qe mbasi e rrezoi, shkruajti pamfletet e tij per Zogun, si ato qe Miraçit i kane mesuar në shkolle. “Shprehja e famshme e tij/e tyre, se ‘maloku’ na mundi, ndaj për të miren e Shqiperise duhet t’i shtrijme doren”, u be qysh në gjallje të të treve.
    Per ta mbyllur ata dy te paret si erudite ishin gjithçka, ishin te pashembullt, por ja qe nuk ishin te prere per politike, bile ne kete fushe ishin deshtake. Perkunder tyre Zogu ishte jo i mire arsimuar, por ishte talent në politike, dhe mund të themi se në ato vite të renda që po kalonte Shqiperia, me nuhatjen e spikatur politike (cilesi e lindur kjo) , arriti të dale në krah të së mires per Atdheun dhe per me shume se 10 vjet, beri aq sa mundi, Pastaj, jane tjeter gje se si rrodhen ngjarjet me pushtimin e vendit dhe fillimin e Luftes se Dyte Boterore.
    Fan Noli, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina, Luigj Guaqkuqi etj jane personazhet politike te asaj periudhe dhe secili ka dritë-hijet e veta ne veprimtarine e tyre, si çdo politikan i ka, por duam s’duam ata jane pjese e historise, kane shtatoret e tyre në kryeqytet e gjetke dhe keto nuk i zhben dot njeri. Jo se dikujt i pelqen njëri, dhe dikujt tjetri nuk i pelqen. Nuk eshte pune pelqimesh personale kjo, Jo, ata janë pjese e historise. Sipas menyres se tyre kane punuar per çeshtjen kombetare dhe ate shtetformuese pas pavaresise se vendit. Si trill i historise, nëse nuk do ishte futur në mes, murtaja komuniste, gjerat dhe ardhmja demokratike e Shqiperise, do te ishte me siguri krejt ndryshe. Te pakten nuk do kishim neper kembe politikanet e sotem që nuk jane gje tjeter veçse produkt fizikisht dhe si mendesi, të asaj periudhe. Ndaj jemi ketu ku jemi dhe termat “e majta” e “djathta” shqiptare jane tashme terma qesharakë. Ose më mire, shume më bukur e ka thene kete, “patriarku” i socialkomunisteve Dritero Agolli: “Te dy palet (PS-PD) Jane dy gjysmat e bajges PPSh, që e ka ndare në mes rrota e qerres se historise!”

  4. iksi says:

    Bravo Arjanit , te lumt pena . Jam nje burre mbi 70 vjeçar dhe me sakt se i ke percaktu ata qe nuk flasin aspak per qeverine e Nolit per njerezit qe kan marre pjese çfare sakrificash kan bere por ose flasin keq ose rrine ne heshtje . P.D ja me ata te quajtur te djathte e gjithfare paçauresh qe jane nuk kane as ide as atdhe asgja vetem interesa dhe per pate shesin vendin shesin nene e babe moter e vella , grua e djale . Ja keto jane politikanet e ketyre 30 vjeteve . Ti u mundove mos me i godit kete gjoja te majte qe eshte ne pushtet . Po si ta kuptoj une ate shprehjen e tyre : Pertej te majtes e te djathtes , d.m.th , rromuj asgje , lemsh fare .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje