Afganët, kush merr, herët a vonë edhe duhet të japë!

1 Shtator 2021, 14:39Politika TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Qeveria shqiptare mori vendimin duke u vetofruar për të pritur e strehuar rreth 4000 afganë. Si e komentoni këtë vendim, është politik apo human?

Eshtë veprim human. Eshtë një akt normal dhe i pritshëm. Eshtë marrje përsipër e përgjegjësisë nga një vend që është mësuar të eksportojë përgjegjësitë e saj të zakonshme. Eshtë një provë dhe fakt që Shqipëria, pavarësisht problemeve të saj të panumërta, po bëhet një vend normal. Për fat të keq, kjo është ajo çfarë nuk dallohet nga shumica e zërave publikë brenda vendit, që kanë të drejtë pjesërisht në kriticizmin e tyre, por gabojnë kur zgjedhin vetëm katranin për të vizatuar çfarë ndodh brenda kufinjve të Shqipërisë politike. Që edhe në këtë rast nuk shohin në syrin që dëshmon realitetin, por sillen si gishti në sy dhe qimja në supë.

Vendimi shqiptar për të pritur afganët e ikur nga tmerri i luftës është gjithashtu një akt politik. Për ta kuptuar më mirë peshën e tij, është e lehtë të imagjinohet e kundërta. Pra, nëse Shqipëria rreshtohej në mesin e vendeve skeptike dhe refuzuese ndaj këtij halli nderkombëtar. Natyrisht është e drejta sovrane e cilitdo vendi të thotë jo, por Shqipëria, atdhe emigrantësh dhe të ikurish njëherë nga uria e njëherë nga frika gjithashtu e luftës absurde të 97-ës, është e fundit që mund të shfrytëzojë këtë mundësi. Shto këtu, edhe atë akt drithërues të luftës së Kosovës, kur Miloshevici kërkoi të shpërthejë një bombë njerëzore në mes të Evropës me valët e refugjatëve të luftës nga Kosova për të kuptuar se vendimi për të qenë “afgan” në këto kohë, është një provë e sprovë e sovranitetit.

Kush merr, herët a vonë edhe duhet të jape!

Eshtë koha për të marrë përgjegjësi! Shqipëria nuk mundet vetëm të marrë përjetësisht, ajo edhe duhet të japë!

Shqipëria nuk mund të jetë vetëm përfituese e sigurisë që afron NATO-ja, por edhe një kontribuese në siguri. Arsyet se pse Shqipëria veproi drejt në këtë situatë janë të panumërta dhe ato ngrihen shumë më shumë nga shënimi i pretenduar në anglisht në dosjen e politikës së kohës: “Rama na ndihmoi, ja shpërblefshim në te mira”, siç mendojnë në shumicë, gjithë pezm dhe idiotësisht kundërshtarët e Ramës. Jo çdo gjë është pazar në këtë botë, jo çdo veprim ka kundërveprimin, jo çdo shërbesë ka shpërblimin. Rama bëri ekzaktësisht një nga detyrat e tij për të cilën paguhet: i dha më shumë siguri vendit në perspektivë afatgjatë. Por nuk mbaron këtu. Debati për ardhjen e afganëve nuk bën përjashtim nga kultura e instaluar tashmë e debatit që bëhet zakonisht në Tiranë, të cilit i mbivendosen detaje që humbasin thelbin e tij. Inati në rastin më të mirë dhe urrejtja në rastin më të keq ndaj vendimmarrësit shqiptar për cështjen e afganasve në Tiranë, deformon gjithë cfarë thuhet. Për inat të Edi Ramës, kritikët e tij janë të gatshëm të thonë saktësisht të kundërtën që ai pohon rast pas rasti. Refuzojnë çfarë pranon ai dhe pohojnë të kundërtën e asaj që ai refuzon. Kështu bënin dje edhe socialistët në raport me Berishën. Dhe kjo teknologji nuk ka dëmtuar kryeministrat që marrin vendime, por ka relativizuar edhe gabimet e panumërt që ata kanë bërë në vendimmarrjen e tyre.

Krahas afganëve që konsiderohen si emigrantët e rinj, Shqipëria prej disa vitesh mban edhe mbi 2 mijë muxhahedin iranianë. A vihet në pikëpyetje siguria kombëtare nga regjimi taleban, irinian apo organizata të tjera terroriste?

Siguria kombëtare në Shqipëri ka kërcenime të tjera serioze, shumë më të mëdha se ato që mund të vijnë nga njerëz që më shumë se eksplozivë të mundshëm, mbajnë në shpinë halle të pafundme. Të largët nga vijnë dhe me kultura të ndryshme, edhe muxhahedinët, edhe afganët, janë vetëm një pikë ujë më shumë në kaosin e zakonshëm shqiptar. Rreziku ekziston natyrisht, por ai është tmerrësisht i vogël në krahasim me atë çfarë vetë shqiptarët afrojnë të bëjnë dhe kanë bërë. Sa për një shembull, pakherë ka qenë më e cënuar siguria kombëtare e vendit sesa mbas aktit idiot dhe kriminal të djegies të mandateve të opozitës. Ai ishte një shpërthim kamikaz në themel të sistemit, që vërtet “vrau” autorët, por edhe tronditi, denatyroi dhe penalizoi gjithë sistemin. Pakkush ka bërë hesap sesa i ka kushtuar vendit ai akt i mirëfilltë i terrorizmit politik, sepse kokëzbrazurit dhe zemërmbushurit me urrejtje kanë menduar gjithmonë: mbas meje qameti! Tashmë ka ardhur koha që të shpjegohet ndryshe dhe do të kuptohet edhe se ai akt është e kundërta e asaj që po tentohet të bëhet sot.

Djegia e mandateve ishte jo një veprim për të kundërshtuar Edi Ramën, por një akt për të shantazhuar amerikanët. Deviza, “Ose ndajmë pushtetin, ose kërcënojmë stabilitetin”, ishte ajo që u vu në skenë në 2018-ën. Atëherë kur dosjet BB, Berisha – Basha erdhën në Tiranë nga Uashingtoni dhe u kulmua në 2019-ën. Dy vjet mbas atij akti, vetëm ata që e njohin këtë devizë, e lexojnë të sotmen në veprimin e Ramës me të njëjtën optikë: “Më siguroni pushtetin, që të marr afganët”. Ky është rasti klasik për të kuptuar se çfarë mjerimi intelektual lind nga kryqëzimi i urrejtjes me marrëzinë. Se në çfarë gafash zbret gjykimi prej amebe i amebave pa formë, ngjyrë e shije që zhurmën e quajnë argument dhe kundërshtimin në bllok për gjithçka, opozitarizëm klasik.

Në opinionin qytetar ka njerëz të ndarë pro dhe kundër ardhjes së afganëve në vendin tonë. Çfarë fiton dhe humbet Shqipëria?

Vija e ndarjes mes pro dhe kundër ardhjes së afganëve, është ekzaktësisht ndarja e hartës politike të vendit. Kush voton socialistët e Ramës hap derën, kush parapëlqen Bashën dhe Kryemadhin, e mbyll me shtatë kyçe të njëjtën derë. Por në mungesë të sondazheve, intuita dikton se nëse një të dielë, ndoshta që të dielën e parë të shtatorit, ribëhen votime të përgjithshme, me të gjitha gjasat, socialistët do të rikonfirmoheshin në shumicë dërmuese me votë. Me një rezultat edhe më të thellë se në 25 prill. Ky është realiteti në terren, por zërat kundër dëgjohen më shumë sepse bërtasin më fort. Si për të kuptuar se duhet të shembim një mit që është jetëgjatë në Shqipëri: pavarësisht se shqiptarët kanë vuajtur si pakkush nga racizmi, ata nuk janë imunë ndaj shprehjes së formës më të ulët të racizmit ndaj të tjerëve që me një mendjelehtësi të frikshme, i përçmojnë dhe i fyejnë për shkak të ngjyrës së lëkurës apo prejardhjes etnike. Dhe më shumë akoma, për shkak të të qënit të varfër. Në Shqipëri krimi më i rëndë dhe më i pafalshëm është varfëria. Imagjinoni sikur afganët, sirianët apo edhe iranianët e ardhur me parë në Shqipëri, të ishin suedezë, norvegjezë apo edhe gjermanë. Përveçse të bardhë, të ishin edhe të pasur. Nuk do të mbetej psherëtimë në Shqipëri pa u përkëdhelur me mitin e pritjes së mikut në derë. Nuk do të mbetej asnjë zonjushë publike që të mos afrohej për të “ndihmuar” fatkeqët në çdo mënyrë e në çdo formë. Dhe në këtë kuptim, veprimi i Edi Ramës, për ta personalizuar një gjë të tillë, merr një rëndësi të jashtëzakonshme: ai na vizaton në botë jo si jemi, por si duhet të jemi! Edhe kur bën krahasimin që çalon: “Ne jemi afganët e dikurshëm”, ky është pohim i vërtetë për ata që e dëgjojnë në anglisht, por i pasaktë në shqip. Sepse në 90-ën, ne u çliruam nga talebanët e kuq të Enver Hoxhës dhe ikëm nga liria e uria dhe jo si afganët e sotëm që ikin nga rikthimi i talebanëve.

Në politikën e trazuar pozita dhe opozita u bënë bashkë për të strehuat qytetarët afganë që punuan për NATO. A është një qëndrim për ta pasur mirë me ndërkombëtarët, veçanërisht me SHBA?

Ka një sërë momentesh që nuk duhet të ketë përjashtim dhe diferenca në qëndrime mes atij që është në pushtet dhe atij që i bën opozitë pushtetit. Ky është një nga ato raste. Të tjerë mund të jenë disa, duke nisur me reformat në arsim, shëndetësi, drejtësi, në proceset integruese të vendit, ku palët duhet të jenë bashkëkontributore dhe bashkëpërgjegjëse në atë që është mbi to dhe vlen më shumë se një mandat qeverisës. Madje, ato duhet të jenë bashkë për kryereformën që ka nevojë vendi në mënyrë dëshpëruese: për reformën kushtetuese. Për të rikthyer frymën e humbur dhe formën e çoroditur të kushtetutës së 1998-ës, për të rivendosur ekuilibrin dhe kontrollin mes pushteteve dhe deri edhe për të përshtatur realitetin e përditshëm dhe veprimin praktik të institucioneve me frymën e përgjithshme që pranon shoqëria shqiptare.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se afganët mund të qëndrojnë në Shqipëri nëse dëshirojnë të mos largohen. Në gjykimin tuaj ata do jenë për një periudhë të përkohshme apo të përhershme?

Rrokullisja e ngjarjeve në Afganistanin e largët ishte e tillë që zuri në befasi edhe ata vetë që kërkuan të ngrejnë gurin e Sizifit në lartësi demokratike. Shumica dërmuese e analizave e venë gishtin në korrupsionin marramendës në politikë dhe kapilar në gjithë shoqërinë afgane si arsyen kryesore të shembjes së një investimi gjigant të perëndimit në atë vend të lindjes. Parashikimi më i saktë që mund të bëhet për nesër është që çdo parashikim rrezikon të jetë i gabuar. Si i tillë, edhe ideja se çfarë do të bëjnë nesër afganët në Shqipëri, ka shumë të panjohura. Vetë Shqipëria nuk është një vend ideal për një emigrant. Nëse ajo krahasohet me Gjermaninë apo Britaninë, që janë destinacionet e ëndrrës së vetë shqiptarëve, aq më shumë me SHBA-në që është destinacioni fundor i afganëve, Shqipëria afron pak për emigrantët e tjerë, por Shqipëria është vend ideal nëse krahasohet me vendin nga vijnë afganët. Shanset që ata që qëndrojnë këtu dhe të natyralizohen si shqiptarë, janë më shumë se modeste. Janë aq sa do të mjaftonin megjithatë, si ushqim për ata që tërheqin zvarrë këpucët kur ndjejnë se mbajnë mbi shpatulla peshën e nacionalizmit folklorik që ngrihet mbi urrejtjen ndaj të ndryshmit dhe jo pranimin qoftë dhe pa dashuri të të pangjashmit.

4 komente në “Afganët, kush merr, herët a vonë edhe duhet të japë!”

  1. 100%servil says:

    Kur Shqiperia te plotesonte kerkesat dhe kushtet e jeteses si Italia, Gjermania, Franca etj atehere mund te pranonte refugjate. Nje vend qe nuk puneson dhe strehon njerezit e tij ne menyre dinjtoze, nuk mund te marri persiper te huajt ne nevoje.

    1. Politolog says:

      100 % idiot- shpenzimet nuk perballohen nga qeveria shqiptare

  2. Niko says:

    Kur ke familje qe kan femije qe nuk u sigurojn buken e gojes dhe pensionista qe nuk u del roga as per ilace dhe fshatra pa uje dhe pa ruge nuk hiqesh shpetimtar me te tjeret me perpara siguron popullin tent pastaj ndihmon te tjeret.Populli voton edi ramen jo se eshte i mire po ska ke te votoj se PD me lulin jan te mbaruar.

  3. sapa says:

    Politikanet shqiptare te gjithe pa perjashtim jane te zhytur ne korrupsjon dhe vjedhje dhe nje menyre per te justifikuar gjene e vjedhur eshte bythelepirja e vendeve perendimore.Neqoftese do te kujtojme psh Milo Gjukanovic presidentin e tanishem te Malit te Zi.Ai ishte i piketuar nga perendimi dhe USA si nje nder trafikantet me te medhen te cigareve dhe te armeve sepse bashkepunonte me Rusine.Ai duke pare se perendimoret e vune ne shenjester u ktheu bythen Ruseve dhe menjehere beri cfare deshi perendimi.Dhe per cudi perendimi nuk e shikon me si nje trafikant por si nje mik .Edhe Rama e di kete dhe e zhfrytezon ne maksimum lidhjen qofte me perendimin qofte me Sorosin dhe cilido qe ka fuqi politike dhe financjare dhe do beje gjthshka qe ata do ti thone se keshtu forcon poziten e tij personale.Sigurisht qe ai e di qe Shqiperia nuk eshte vend qe mund te krahasohet me vendet e zhvilluara ku kane tradite dhe nevoje ne marrjen e emigranteve dhe e kupton se njerezit edhe ata qe ishin pro tij do behen kunder por gjithashtu ai e di shume mire qe ne shqiperi nuk ekziston asnje lloj Rezistence Popullore qe tja fuse kembet ne nje kepuce cfaredo vendimesh te marre ai ne dem te popullit shqiptar.Qindra e mijera shqiptare jetojne ne varferi,me borxhe sepse duan tjua plotesojne deshirat familjareve te tyre qofte edhe duke hyre ne borxhe deri ne fyt ´duke shpresuar qe edhe nje dite ti lajne keto borxhe,mijera e mijera te tjere e kane braktisur vendin sepse e dine qe ata qe ishin ne pushtet dhe keta qe jane sot nuk do jene ne gjendje kurre ta bejne kete vend dhe faktet e tregojne kete.Ne kete vend nuk ekziston as edhe nje le ta quajme Leve e ketyre Organeve te ashtuquajtura shtet qe te thuash qe funksjonon.Cdo organ eshte i kalbur,i korruptuar i pandreqshem per te shpresuar qe mund te behet.Pra keto jane edhe aresyet qe i bejne shqiptaret te braktisin vendin qe e duan dhe do deshironin te rrinin aty po te kishte sadopak shtet funksjonal.Pra marrja e emiganteve eshte si nje shuplake ne fytyre per te gjithe ata shqiptare qe jetojne ne kushte te veshtira si dhe ata qe kane braktisur kete vend jo per faj te tyre por per faj te ketyre politikaneve dhe Rama sigurisht ka tejkalur cdo politikan tjeter ne kete drejtim.Shqiptaret nuk jane aq budallenj sa te mos dine se nga gjithe keta mijera emigrante qe sillen me avjonet e perendimit ne shqiperi te veshur e te mbathur,me celulare neper duar,pa asnje shenje dhune e plage,vetem nje numer teper i paket per te mos thene i pakonsiderueshem mund tu rrezikohet jeta.Kemi me teper te bejme me njerez qe zhfrytezojne cdo mundesi per te jetuar ne perendim sepse e dine shume mire qe perendimi ka nevoje per fuqi punetore qofte edhe te pakualifikuar por me qellim kualifikimin e tyre sa do vone.qe ti sherbejne ekonomive te tyre.Vete kreu i Zyres se punes gjermane tha para disa ditesh se gjermanise i nevojiten 400 mije njerez fuqi punetore cdo vit.Keshtu edhe Amerikes e vendeve te tjera.Propaganda qe perpiqen te bejne disa sharlatane duke i paraqitur afganet si njerez qe mund te integrohen ne shqiperi seshte gje tjeter vecse propagande e pushtetit.Kurre nuk krahasohen shqiptaret qe ikin ne perendim dhe integrohen ne menyre perfekte ne cdo shtet te perendimit me integrimin e afganeve ne shqiperi sic e paraqet ky gazetari servil i pushtetit.Rama jo vetem qe ka deshtuar ne berjen e shtetit por vazhdon dhe i thellon akoma me shume gabimet ne dem te popullit shqiptar duke e tejkaluar paradhesin e tij Berisha.Une e kam thene qe ky vend behet vetem me GRYKEN E PUSHKES:Kete vend se ben as AMERIKA as EVROPA por e bejne vetem shqiptaret e ndershem po te marrin armet ne dore dhe ti vene para murit te gjithe keqberesit e 31 viteve!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje