Andi Bushati: Cetinja, një kthim në histori që shpjegon konfliktin Rama- Kurti

6 Shtator 2021, 19:39Blog TEMA

Nga Andi Bushati

Ajo që ndodhi të dielën në Cetinjë është një nga ato ngjarje që hedhin dritë mbi një debat që ka shpërthyer prej kohësh midis shqiptarëve.

Ndonëse përleshja e ashpër me tym, flakë, të plagosur dhe të arrestuar, që u zhvillua në qendrën historike të malazezëve ka një shtresim të disafishte, ku përpos dasive fetare shtohen edhe ato politike mes pozitës e opozitës apo, ato nacionale ndërmjet atyre që kërkojnë një shtet të pavarur dhe të tjerëve që ëndërrojnë për qendër Beogradin, mësimi i saj vlen të mbahet shënim.

Çuarja me helikopter nga qeveria proserbe e Potgoricës e kreut të kishës serbe, qëndrimi që u detyrua të mbajë vetë presidenti Vuçiç, shkrimet në shtypin e kontrolluar prej tij, dëshmojnë një gjë të vetme: në Beograd nuk i kanë dhënë fund ëndrrës së përhershme për ti mbajtur të bashkuar serbët e shpërndarë në disa shtete të Ballkanit.

Kjo lloj politike, që e rreshton edhe Aleksandar Vuçiçin si një pasues të denjë të frymëzimit që Sllobodan Millosheviçi mori nga akademikët dhe kisha, e ka bërë Serbinë që të vazhdojë të ketë probleme të hapura edhe me Bosnjën, edhe me Malin e Zi edhe me Kosovën.

Pikërisht kjo paaftësi e Beogradit për tu përballur me realitetin e ri në Ballkan është kthyer në mollë sherri edhe tek ne. Mes shqiptarëve, sidomos për temat e dialogut Kosovë- Serbi, për atë të denoncimit për genocid, apo për raste si ai i Goran Bregoviçit, janë përvijuar dy qasje.

E para, është ajo që mbrohet nga Edi Rama dhe grupi përreth tij, që mëton ta lërë mënjëanë historinë e së shkuarës duke u hequr si modern dhe duke vënë bast se në kontinentin tonë baruti tashmë është lagur.

Me gojën e tij dhe të zëdhënësve të vet, kryeministri shqiptar është shfajësuar se askush nuk e detyron dot Serbinë të njohë Kosovën, ka dënuar përpjekjet për të kërkuar ndëshkimin e krimeve të së shkuarës dhe ka fajësuar Prishtinën për ngecjen e bisedimeve me Beogradin.

Në sintoni të plotë me presidentin serb, Edi Rama, e ka vizatuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin si njerëz që duan të bëjnë përpara duke mbajtur kokën pas.

Qasja e dytë bën apel për ruajtjen fort në kujtesë të së shkuarës edhe kur flitet për “Ballkanin e hapur” edhe kur diskutohet në Bruksel me Vuçiçin.

Kjo rrymë ka për zëdhënës kryesor Albin Kurtin dhe mbështetësit e tij, të cilët kanë bindjen se është naivitet të ndërtosh paqësisht të nesërmen, me një partner që tenton në çdo rast të realizojë atë që i kanë lënë trashëgimi pararadhësit që një shekull më parë.

Natyrisht, që po ti shohësh në laborator, të zhveshura nga konteksti historik, gjeografik dhe nga përkthimi i tyre në politikën e sotme, të dyja rrymat janë si nata me ditën. Ajo që mbron Rama duket bashkëkohore, europeiste, tolerante, ndërsa ajo e Albin Kurtit, pre e një nacionalizmi primitiv të mbushur me urrejtjen për tjetrin.

Por, në fakt, nuk është aspak kështu. Sepse politikat shtetërore nuk ngrihen mbi koncepte dhe parime abstrakte, ato ndërtohen në funksion të atij që ke përballë.

Ç’do qeveri e Kosovës, e mirë apo e keqe, e majtë apo e djathtë është e dënuar të jetë e ndërgjegjshme se problemin e ka Serbinë.

Pra me një shtet që as nuk ka pasur ndërmend ta harrojë historinë dhe të shkuarën, por i ka vendosur ato si gur themeli në politikat e sotme, madje jo vetëm me shqiptarët, por edhe me Bosnjen dhe Malin e Zi.

Pra, të bësh sikur e anashkalon këtë, nuk është as mendjelehtësi dhe as gabim i pafajshëm. Në të tilla nivele nuk ka rastësi. Edi Rama ka bërë zgjedhjen e vet, sepse ai e ka vendosur të ketë si një nga themelet e aureolës së tij ndërkombëtare, partneritetin e ngushtë me Aleksandar Vuçiçn. Por në asnjë rast, këtë zgjedhje personale, ai nuk mund ta shesë dot me veshjen moderne dhe tolerante të tejkalimit të së shkuarës.

Ngjarjet në Cetinjë, ku Serbia tregoi shfaqi sërisht hapur dhëmbët, tregojnë se Beogradi nuk është në gjendje ta tejkalojë historinë. Dhe këtu Albin Kurti ka të drejtë, sepse ai nuk mund ta trajtojë dikë për atë që nuk është.

6 komente në “Andi Bushati: Cetinja, një kthim në histori që shpjegon konfliktin Rama- Kurti”

  1. kotfare says:

    Shkrim i arsyeshem !

  2. Populli says:

    Andi Buashati, edhe po te beje nje shkrim per fiset nomade, me siguri do fajesoje Edi Ramen pse ato jane fise dhe jo shtet.

  3. Dani says:

    Nje analize koti par as nje prufundimi a po kokluzjone… Veq politike duke sulmuare Edi Ramen Jo se kame shume respect per Edi Ramen se pse eshte bër më Otomane se vet Erdogani .. Por që kure na qenke bër edhe zotrija e juae patrijote nashonalistet Shqiptare???( se mire Kurti????) E dime me kohe qe eshte (ptrijote???????????) Po ti me Lubonjen Nje her thoni se jeni Otomane Turqe nje her Serbe dhe thoni se horrat gjen Street e fundit tek nashonalistet…Aleksander Vuqiq Rusija Kina Turqija për here do mundohet të krijone problem në Ballkan ku influence e tyre eshte shume e madhe keta njerze dhe shtete nuk Duane qe Ballkani të intgorohet në bashkimin Evropjane siqe nuke duane as politikanet Shqiptare hajduta dhe te pa bes… Vuqiqi me shoke do ben çdo gjë qe Shqiptaret të iTunes nga tavolinat projetktet djaloget e keshtu me rradhe Shqiptaret nuk duhet të bine në ket kurrthe që ju pergadite Vuqiq Albini Putini Erdogani e keshtu me rradhe

  4. arti says:

    Kur e ka shkruar besoj pas mesnates shkrim debili.

  5. shqip says:

    Nga do që ta rrotullosh nuk ka asnjë shenjë barazimi . Gorani erdhi, këndoi dy këngë , ngriti dhe një dolli me birrën Korça, dhe u ngrit e iku. Ndërsa metropoliti serb shkoi për të ndenjur në Cetinje përherë. Ti Andi ke problem me kohën. Koha jote dhe e Lubonjës ka mbaruar që në 90. Kot hiqeni si anti establishment. Të dy i përkisni nomenklaturës së kuqe. Të dy keni mbrujtur në kujtesën tuaj vellazerine me sllavë e me kinezë. Të dy jeni anti amerikanë të thekur . Po me që jeni llum kazani nuk keni kurajo të thoni se : e gjithë politika shqiptare, në Tiranë dhe Prishtinë, dirigjohet nga amerikanët , gjermanët , e Brukseli . Asgjë nuk bëhet pa orientimin e tyre. Nuk bëhet o trap se as Edi Rama, as Thaçi, e as kush nuk ka këllqe të shkatërrojë investimin e tyre. Si thua ti? Unë të çojë ushtrinë, të pastroj territorin nga cetniket e Arkanit, të njoh edhe si shtet duke hapur i pari ambasadën në Prishtinë , dhe del një maoist që të bën karshillek. Po pse, kaq të mefshtë i bën ata që luajnë gjithë politikën e botës ? Kaq i trashë je o Andi? Apo dëgjuan Saliun këta qe thotë se do hapi gjyq. Gjyqin e shpellares ku e ka ai dhe rraca e primitivëve . Amerika ja ve brekët në kokë, Saliut të parit, e bashkë me të edhe Ilir Monikes me gjithë Kurt Osmanin.

  6. nord.al says:

    I madh je “shqip”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje