Thellohet tensioni në veri të Kosovës, policia: Kemi përforcuar bllokadat me zhavorr

23 Shtator 2021, 14:40Rajoni TEMA

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se qytetarët lokalë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – të cilët kanë bllokuar rrugën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të masës së reciprocitetit në targa – kanë përforcuar bllokadat me zhavorr.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, përveç këtyre përforcimeve, situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa incidente.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që është vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi”, ka thënë Kelani për Radion Evropa e Lirë.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i heqin plotësisht targat e përkohshme për të zgjidhur situatën e krijuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të martën se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje të mërkurën për ulje të menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës, duke thënë se “të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët”./REL

1 komente në “Thellohet tensioni në veri të Kosovës, policia: Kemi përforcuar bllokadat me zhavorr”

  1. Jon says:

    Po po shume e qete. Dmth bllokuar qarkullimi. Shtuar dy barrikada. Forcat Speciale 24 ore atje te armatosur dhe si rrjedhoje mund te ndodhe nje incident ne cdo moment. Nje gje ka detyrim Albin Kurti te sqaroje. Kete e ka nga koka e vet apo eshte konsultuar me partneret nderkombetare, respektivisht USA dhe BE. Nese nuk eshte konsultuar me partneret tane, do te thote qe ka folur me dike tjeter qe e ka keshilluar te beje kete gje. Produkti, Albin fiton zgjedhjet lokale sepse patriot te tille skane pasur ndonjehere viset shqiptare dhe nderpritet dialogu. Pra Vucic qe aktron si i merzitur, po ja jep edhe nje dore Albin patriotit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje