“Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk
mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj.”
-150-vjetori, kthimi i Gjergj Fishtës në Akademine e Shkencave.
Fjala e plotë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi: Tri meritat e mëdha të
Fishtës si krijues –
***
Për herë të parë At Gjergj Fishta kthehet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë i vlerësuar për të
gjitha kontributet e tij në fushën e albanologjisë si poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar,
botues;
Në 150-vjetorin e Gjergj Fishtës sot Akademia e Shkencave mbajti konferencën shkencore ad honorem,
“Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”
Fjala e hapjes u mbajt nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave. Ai e vlerësoi si
figurë mbizotëruese për botën albanologjike të kohës që jetoi në tërësi.
“Gjergj Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që
nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj; delegat i Shqipërisë në Konferencën e
Paqes së Versajës (1919), me një rol të dallueshëm në mbrojtje të çështjes shqiptare; nënkryetar i
Këshillit Kombëtar të dalë nga aktet e Kongresit të Lushnjes më 1921; mbështetës i lëvizjes demokratike
që kryesohej nga Noli dhe Gurakuqi, model oratorie në fjalën përcjellëse të Avni Rustemit; mik letërsie
dhe njerëzie me Lasgushin dhe Asdrenin; deputet e gojëtar që ka lënë gjurmë në historinë e
parlamentarizmit shqiptar; nxitës prej më të parëve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me
Amerikën”, tha ndër të tjera akad. Skënder Gjinushi
***
Fjala e plotë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi
Të nderuar pjesëmarrës, akademikë e profesorë;
Të nderuar studiues, nga institucionet universitare dhe akademike të vendit, nga Prishtina, Shkodra,
Korça, Vlora e Elbasani, si dhe ju kolegë e miq që na ndiqni online dhe që ju ka bashkuar kjo konferencë
jubilare në nderim, e organizuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Konferencën
Ipeshkvnore të Shqipërisë;
I dashur monsinjor Gjergj Meta, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë;
I nderuar Padre Jerome Ndo Mih, president i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”;
Ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë shkencore, që e organizojmë në nderim të 150-vjetorit të
lindjes së Gjergj Fishtës, personalitet që ka dominuar me emrin dhe veprën e vet gjithë periudhën midis
dy luftërave, si poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar, botues; me ndihmesa të njohura në
veprimtarinë laike e kanonike-kishtare.
Përse Gjergj Fishta meriton të nderohet në një konferencë të tillë ndër-akademike dhe ndëruniversitare?
Sepse, që prej Kongresit të Manastirit, deri kur u nda nga jeta, nuk ka ngjarje të rëndësishme kombëtare,
arsimore, kulturore, në të cilën ai të mos ketë qenë pjesëmarrës dhe me rol të rëndësishëm vetjak,
prandaj do të vlerësohet në vazhdimësi si i tillë.
Themelues e bashkëthemelues i Shoqnisë së bashkimit të gjuhës shqipe, e njohur më pas si shoqëria
Bashkimi në pikëtakimin e dy shekujve; kryetar i komitetit që drejtoi kongresin e njësimit të alfabetit të
shqipes në Manastir (1908). themelues i Hyllit të Dritës, tribuna shkencore dhe letrare më me rëndësi
gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit të kaluar;
Gjergj Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që
nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj; delegat i Shqipërisë në Konferencën e
Paqes të Versajës (1919), me një rol të dallueshëm në mbrojtje të çështjes shqiptare; nënkryetar i
Këshillit Kombëtar të dalë nga aktet e Kongresit të Lushnjes më 1921; mbështetës i lëvizjes demokratike
që kryesohej nga Noli dhe Gurakuqi, model oratorie në fjalën përcjellëse të Avni Rustemit; mik letërsie
dhe njerëzie me Lasgushin dhe Asdrenin; deputet e gojëtar që ka lënë gjurmë në historinë e
parlamentarizmit shqiptar; nxitës prej më të parëve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me
Amerikën.
Gjergj Fishta qe një figurë mbizotëruese veçmas në periudhën midis dy luftërave sepse ishte kthyer në
pikë reference jo vetëm për letërsinë e kohës, për ata që e admironin e për ata që e quanin jashtë mode;
por para së gjithash për botën albanologjike të asaj kohe në tërësi.
Më 1937 ishte Ndre Mjeda ai që ndërmori të parën nismë të themelimit të një akademie shqiptare, që
njihet si Akademia Saveriane, e cila është pjesë e historisë së gjatë të akademizmit shqiptar, që nis
simbolikisht që me shekullin e Voskopojës dhe Akademinë e Re të saj. Në mesin e vitit 1939 Fishta u
emërua anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë, që sot njihet si Accademia Nazionale dei Lincei.
Sa u takon kontributeve në historinë e letërsisë shqipe, Fishtës gjithnjë do t’i njihet merita e pasurimit të
llojeve dhe nënllojeve të munguara të saj, duke filluar prej poemës epike heroike deri tek melodrama.
Tri merita janë të pazëvendësueshme në krijimtarinë e tij në kuadër të gjithë letërsisë shqipe, prej
fillimeve deri në mesin e shekullit të kaluar.
Jo pa shkak, letërsia shqipe, prej fillimeve deri në vitet 1920-1930, e kishte mendjen e vëmendjen tek
moti i madh; epoka e Gjergj Kastriotit. Mund të thuhet se për letërsinë shqipe nuk ekzistonte asgjë me
rëndësi që prej asaj epoke të lavdishme. E tillë ishte para së gjithash letërsia arbëreshe, që shprehte
përmes lavdisë së moçme edhe krenarinë e prejardhjes. E tillë ishte edhe letërsia e Pjetër Budit dhe
Pjetër Bogdanit; e Naimit, e rilindësve dhe pjesës më të madhe të shkrimtarëve të periudhës së
Pavarësisë. Letërsia shqipe mund të thuhet se ishte mbërthyer, ishte kryqëzuar tek figura e kryeheroit,
tek kryezoti i Arbërisë, që ishte edhe simboli i shpirt të saj të mbijetesës. I pari që “guxoi” ta shpërngulte
letërsinë së paku katër shekuj, tek një epokë tjetër me një rëndësi fatale për popullin shqiptar, siç qe
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, qe Gjergj Fishta.
Poema e tij, kryevepra me të cilën identifikohet me të drejtë, Lahuta e Malcìs, para se të ishte guxim
krijimtarie, ishte guxim për të bërë atë që quhej e pabëshme, për të ardhur tek ngjarjet e
bashkëkohësisë, tek kryengritjet e malësorëve sa kundër pushtuesve otomanë aq edhe kundër
revanshizmave të fqinjve. Mbas Lahutës së Malcìs ishte e lehtë për këdo tjetër të shkruante për ngjarje
të kohëve të reja sepse ja, edhe në këto ngjarje kishte dinjitet për letërsi.
Merita e dytë e madhe e Gjergj Fishtës është se e ndau përfundimisht lahutën nga heronjtë legjendarë,
nga kreshnikët parahistorikë, nga epoka e gojëdhënave kombëtare, tek figurat që do të meritonin jo
shumë më vonë monumentin historik: prej Dedë Gjo Lulit e Oso Kukës deri tek Frashërlliu i Toskërisë;
prej Tringës së Dukagjinit deri tek Ali pashë Gucia; prej Marash Ucit të Uc Sokolit deri tek prijësit dhe
luftëtarët e tjerë të mbrojtjes së trojeve shqiptare nga lakmitë e të huajve, nga vendimet e padrejta të
kongreseve ndërkombëtare; të çlirimit të tyre nga sundimi i huaj.
Dijetari gjerman Maximilian Lambertz, kur shkroi se Lahuta e Malcìs ishte epopeja e madhe e
shqiptarëve krahasuar me eposin e kreshnikëve, të cilin e quante epopeja e vogël, me siguri këtë kishte
parasysh. Eposi heroik legjendar ishte i vogël jo nga bëmat, sepse bëmat e tij ishin të mbinatyrshme, por
për shkak se shqiptarët tashmë kishin nevojë për heronj të vërtetë, për njerëz frymëzues që nuk luftonin
për bjeshkë e grabitje, por për kufirin e shtetit, për trojet e të parëve. Këtë shpërngulje të madhe
epokale prej një periudhe të kryehershme, që ishte mbyllur me këngët për betejën e Fushë Kosovës, e
bëri Gjergj Fishta.
Në traditën e shkrimeve shqip shumë herë ka ndodhur që laikja dhe religjiozja të bëhen bashkë. Por
Gjergj Fishta, edhe duke qenë një poet që vinte nga radhët e klerit franceskan dhe që urdhri i rendit i
kërkonte respektimin e kanonit, arriti si rrallëkush tjetër t’i bënte bashkë mitet psagane dhe mitet e
krishtera, në një vepër që kishte receptimin më të madh për kohën kur u botua. Ky ishte një akt i
shkëlqyer emancipimi, që do të guxonim ta quanim edhe iluminist.
Figurativisht vepra e Gjergj Fishtës i kaloi të tria fazat: parajsën, ferrin dhe purgatorin. Prandaj flasim për
tri kohë të Gjergj Fishtës në historinë e letërsisë shqipe, që janë kohët e nderimit, mbijetesës dhe
rikthimit.
Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës.
Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte,
ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë.
Ose siç pati shkruar Naimi: Unë jam në shpirtin tuaj / Mos më merrni për të huaj.
Gjergj Fishta po, por ju akardemiket e sotit mundoheni te fitoni vemendje sepaku duke ia permendur emrin Fishtes.
Po si nuk fole sadopak, o kryeakademik, per luften qe iu be Fishtes gjate 45 vjeteve? Si nuk fole per eshtrat qe iu hodhen ne lume? A e di, o kryeakademik, se edhe shkrimtari “i madh” Kadare ka shkruar e folur kundra Fishtes – per te mos permendur te tjeret? Ti ke shpetuar se nuk ke qene letrar, se edhe ti do te ishe perlyer, siç u perlye edhe Moikom Zeqo, qe i vetmi shkroi edhe poezi kunder Fishtes, duke u tallur, madje, me vdekjen e tij , me “poezine” “Funerali”.
Shkence; Shllup-Shllup-Shllup!
Nje institucion shkencor laik i paguar me taksat e qytetareve, nuk ka per detyre humorin e puthadoreve te Vatikanit, Erdoganit, grekut! Te ushqeje kulturen tone tribale apo te legjitimoje pseudikomunizmin, duke kultivuar pjedestale dhe profete si limite te zhvillimit cerebral te nje kombi mesjetar, por raportin sa me racional me te verteten, qe nxit zhvillimin kulturor dhe shkencor te kombit.