Lekët i bëmë ilaçe

5 Tetor 2021, 17:49Sociale TEMA

Familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 5150 lekë në muaj për kujdes shëndetësor gjatë vitit 2020, me një rritje prej 28% në krahasim me një vit më parë dhe për një total të vlerësuar prej afro 392 milionë eurosh, sugjerojnë statistikat e publikuara nga Instituti i Statistikave në raportin mbi Anketën e Buxhetit të Familjes.

Shifra e frikshme, e cila është pothuajse e barabartë me shumën e shpenzuar për kujdes shëndetësor përmes buxhetit të shtetit ndërsa pjesa që qytetarët u detyruan të paguajnë nga xhepi në një vend që ëndërron “shëndetësi falas” duket se shënoi një rekord të ri negativ.

Gjatë vitit 2020, shpenzimet e buxhetit të shtetit për shëndetësinë ishin 51.6 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet e familjeve nga xhepi vlerësohet të kenë qenë 47.5 miliardë për një total prej 99.1 miliardë lekësh ose 820 milionë euro.

Instituti i Statistikave publikoi të martën rezultatet e anketës së konsumit të familjeve, një anketë ku rreth 7800 familje janë intervistuar rregullisht përgjatë një viti për të matur sjelljen e tyre konsumatorë.

Të dhënat tregojnë se shqiptarët shpenzuan mesatarisht 83 mijë lekë në muaj për familje, me një rritje të vockël prej 1.5% në krahasim me vitin 2019, ku shpenzimet për shëndetësi ishin grupi i vetëm me rritje. Sektorët më të goditur nga kriza rezultuan argëtimi dhe kultura, shpenzimet për të cilat ranë me 26% si dhe veshjet dhe këpucët që ranë me 10%.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të familjeve shqiptare shkojnë për ushqime. Familja tipike shpenzon 42% e të gjitha parave për ushqim.

Tirana është qarku më i pasur, ku familjet konsumojnë mesatarisht 98 mijë lekë mallra dhe shërbime në muaj ndërsa Kukësi është qarku më i varfër ku shpenzimet mesatare familjare janë 70 mijë lekë.

Familja mesatare shqiptare ka 3.6 anëtarë ndërsa në Shqipëri vlerësohet se ka aktualisht 768,963 familje.

Shqipëria u prek nga pandemia e koronavirusit të ri në mars të vitit të kaluar, por deri në fund të verës, numri i rasteve ishte i ulët. Situata u përkeqësua me shpejtësi në tetor, nëntor e dhjetor ndërsa shënoi kulmin në shkurt të këtij viti.

Shpenzimet e shqiptarëve për kujdes shëndetësor ka gjasa janë rritur edhe më tej këtë vit.(BIRN)

3 komente në “Lekët i bëmë ilaçe”

  1. holta says:

    Pantemine prandaj e nxoren per te vjerdhur e shkateruan popullin e shkrete…

  2. Turi says:

    Pse komunat dhe bashkit nuk krijojne farmaci komunale ne cdo qytet dhe fshat ne menyre qe te bejne konkurrence privatit dhe parate e fituara ti investojne ne dobi te qytetareve?

  3. Covidiani says:

    Nuk i shpenzuat ne ilace po ne mbeturina +helme qe i ju serverin matrapazeve moterq.. me lejen e politikaneve neneqi…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje