Kreu i PD-së, Lulzim Basha në konferencën e zhvilluar me gazetarët tha se 30 % e karburantit në Shqipëri hyn kontrabandë dhe PD ka nisur hartimin e një kallëzimi penal të cilin do ta depozitojë në SPAK, me shpresën se nuk do të përfundojë tek dhoma e pluhurave.
“Sa prej jush që ka një automjet apo që njohin dikë që përdor një automjet, nuk e dinë që cilësia e karburantit shqiptar është mizerabël. Kjo për shkak të skemës së vjedhur të korrupsionit. Dhe siç është bërë e qartë edhe sot në mbledhjen nga e cila doli edhe Rama , sipas burimeve të besueshme rezulton se 30 % e karburantit në Shqipëri hyn kontrabandë.
Por pyetja përse ndodh kjo? Si ka mundësi që nuk paguhet as taksë, qindra milionë euro që nuk futen në arkën e shtetit apo nuk përkthehen në pensione. Ku shkojnë këto para? Sot po ju njoftoj se që nga dje, PD ka nisur hartimin e një kallëzimi penal të cilin do ta depozitojë në SPAK, me shpresën se nuk do të përfundojë tek dhoma e pluhurave”, tha më tej Basha.