Pandora Papers hedh dritë mbi skandalin e bankës FIB ne Bullgari

15 Tetor 2021, 10:35Politika TEMA
Pandora Papers hedh dritë mbi skandalin e bankës FIB ne Bullgari

Dokumente nga e ashtuquajtura Pandora Papers tregojnë se aksionarët më të mëdhenj të First Investment Bank (FIB) në Bullgari, Tseko Minev dhe Ivaylo Mutafchiev janë përfituesit kryesorë të kompanive “offshore”, të cilët kanë marrë hua me vlerë afro një miliard levi (monedha bullgare) nga kjo bankë.

Në përpjekje për ta bërë bankën sa më pak të ekspozuar në këtë skandal, drejtuesit e saj i detyrojnë sipërmarrësit që t’i tërheqin fondet që më pas bëhen të parikuperueshme nga ana e bankës. Pastaj, çështja i kalon Zyrës së Specializuar të Prokurorit të vendit dhe prona e sipërmarrësve blihet për një shumë mjaft të vogël nga Aleksandër Angelov, avokati i ish deputetit të famshëm dhe magnatit të medias, Delian Peevski dhe bashkëpunëtori i afërt i Angelovit, Georgi Samuilov.

Shteti bullgar i ka ardhur në ndihmë tri herë bankës FIB. Një herë me anë të rritjes së kapitalit nga ana e Bulgarian Development Bank (BDB). Herën e dytë gjatë qeverisjes së Koalicionit Tri Partiak (2005-2009) pas falimentimit të Corporate Commercial Bank (CCB) dhe kohët e fundit, pasi ajo nuk e kaloi dot testin e stresit të kryer nga Banka Qendrore Evropiane.

Një raport i Bankës Kombëtare Bullgare i vitit 2012 liston arsyet e kësaj paqëndrueshmërie: përgjatë viteve, Banka u ka dhënë hua të mëdha një numri të vogël subjektesh. Huat e dhëna te kompanitë “offshore”, të cilat kanë lidhje me aksionarët e saj më të mëdhenj përbëjnë edhe pjesën më të madhe të huave problematike të FIB-it, por këtu përfshihen edhe hua të dhëna ndaj kompanive që lidhen me oligarkët e njohur si Hristo Kovachki. Inspektorë të Bankës Kombëtare Bullgare zbuluan se një përqindje e madhe e këtyre huave ishin hua të këqija.

Kjo praktikë e përdorimit të fondeve të klientëve për t’i dhënë hua bizneseve të vetë bankierëve është përmendur po ashtu nga ish ambasadori amerikan në Bulgari, Xhon Beirle gjatë një mesazhi të klasifikuar diplomatik në vitin 2005 dhe i cili është bërë publik nga Wikileaks. Mesazhi thotë se disa nga bankat bullgare, përfshi këtu edhe FBI, janë të përfshira në pastrim parash.

Sipas mesazhit, “Banka Qendrore dhe autoritetet qeveritare janë në dijeni të veprimeve të këtyre bankave dhe kanë deklaruar se po merren masa ndaj tyre”, por vështirësitë janë të shumta për shkak të ndërhyrjeve politike. Beirle i përshkruan këto banka si “mollë të krimbura”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje