Miratohet doza e tretë e vaksinës kundër Covid në Shqipëri, për qytetarët mbi 60 vjeç

19 Tetor 2021, 14:56Sociale TEMA

Edhe në Shqipëri do të nisë aplikimi i dozës së tretë anti-Covid. Vendimi është marrë nga Komiteti i Imunizimit dhe Vaksinimit, për popullsinë mbi 69 vjeç.

Mjekja dhe anëtarja e komitetit, Gjeorgjina Kuli, deklaroi për “A2 CNN” se së shpejti do të nisë zbatimi në mënyrë që kategoritë e riskut të kenë mbrojtje më të mirë ndaj varianteve të Covid-19.

“Kemi vendosur që të rekomandojmë dozën e tretë për grupmoshat mbi 60 vjeç dhe për personat me sëmundje të caktuara kronike. Ne kemi rekomanduar që të dalë protokolli i gatshëm për të gjithë detajet për kontingjentet që do të bëjnë dozën e tretë, lloji i vaksinës, afatet kohore dhe kombinimet e ndryshme”.

Komiteti ka dalë me rekomandimin për vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç, që kanë probleme bashkëshoqëruese.

“Është hedhur ideja për vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç, por që kanë sëmundje me imunitetin, probleme kronike apo sëmundje të caktuara, për të cilët rekomandohet vaksina nga mjeku kurues”, shpjegon Kuli.

Ekspertja tregon për vaksinat që do të përdoren për dozën e tretë, ku nuk përjashtohen as kombinimet.

“Kemi bërë skenarë dhe kombinacione të lejueshme. Kështu, të moshuarit që kanë marrë dy dozat Coronacav mund ta marrin dozën e tretë Pfizer ose Coronavac sërish. Ndërsa për fëmijët është lëne vaksina Pfizer, pasi deri tani studimet për këto grupmosha i kemi me këtë vaksinë”.

Mjekët dhe më të moshuarit do të jenë kategoritë e para që do të marrin dozën e tretë anti-Covid, pasi vaksinimi i tyre është bërë në muajin janar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje