Pse kostumet tona kombëtare rrezikojnë të zhduken dhe një shembull nga Norvegjia

14 Nëntor 2021, 15:30Kulturë TEMA

Kostumet popullore janë një nga simbolet më origjinale të kulturës tradicionale. Duke qenë trashëguese e transmetuese të shumë elementëve që vijnë nga lashtësia janë jo të paktë njerëzit që drejtohen drejt një veshjeje popullore.

Por në Shqipëri duket se është e vështirë që kjo traditë të ruhet e të vazhdojë të përcjellë vlera si për vendësit, ashtu edhe për turistët që jo pak herë janë mahnitur nga veshjet tona popullore.

Ajo që etnografët dhe kostumografët pohojnë njëzëri është se kostumet tona kombëtare janë të rrezikuara të zhduken nga transformimi që kanë pësuar në vite.

“Kostumet Kombëtare Shqiptare më shumë rrezikojnë të zhduken e të humbasin nga rreziku dhe masakra e transformimit që u është bërë gjatë këtyre tridhjetë viteve në ekonominë e tregut të lirë, nga bizneset që prodhojnë të ashtuquajtura kostume popullore. Përveç qëndistarëve të talentuar të paktë që kanë dashuri dhe shije arti, përgjithësisht është bastarduar modeli i kostumit kombëtar, devijuar nga origjinali. Në skenat artistike artistët e rinj i veshin në emër të traditës, por janë thjesht beze e tekstile me ngjyra dhe kinkalerira shndritëse”, shprehet koleksionistja dhe hulumtuesja e simbolikës në etnografi,   Luljeta Dano.

Kritike është edhe etnografja e njohur, Afërdita Onuzi. Sipas saj duhet ruajtur identiteti krahinor i veshjes.

“E vërteta është se ndodhin raste që ato tjetërsohen. Duhet të ruhet origjinaliteti i krahinës përkatëse, të ruhen të njëjtat motive, që kur të shohim një veshje të Tropojës, të themi është nga Tropoja, të ruhet identiteti krahinor i veshjes”, shprehet etnografja për “Si”, ndërsa shton se “ka prodhues të rinj, ka edhe në fshat të specializuara që i prodhojnë, ka edhe në qytetet e Shqipërisë. Unë si studiuese preferoj ato gratë e fshatit sepse ato i njohin specifikën veshjes për të ruajtur atë origjinalitetin”.

Sipas kostumografes Edlira Sulaj, fakti që riprodhohen “shtrembër” është edhe kostoja e lartë e tyre.

“I thjeshtojnë për faktin se veshjet tradicionale kanë një kosto të lartë të prodhimit, dhe nuk mund të gjesh treg për ta tregtuar dhe nuk mund të kesh as prodhim gjendje, prandaj shumë njerëz e bëjnë gabim atë. Një pikë të vogël t’i heqësh asaj, ti ja prish të gjithë atë bukurinë që ka, për mua duhet të kanalizohet edhe licencimi i personave që ndërtojnë veshje tradicionale origjinale”.

Sulaj i mëshon fort faktit se duhet të kanalizohet edhe licencimi i personave që ndërtojnë veshje tradicionale origjinale, gjë të cilën ajo e quan edhe papërgjegjshmëri shtetërore.

“Në fakt është shumë emergjente pjesa e riprodhimit. Personat që mbartin dijet e teknikave të ndërtimit të veshjeve, janë shumë të paktë. Gjithashtu nuk ka dhe literaturë të shkruar për teknikat e ndërtimit të veshjeve tradicionale, të ndërtosh veshje tradicionale duhet të kalosh 36 teknika të ndërtimit të saj dhe të gjitha këto janë një institucion më vete”.

Koleksionistja Luljeta Dano ngre pyetjen “a ka etnograf që firmos duke mbajtur përgjegjësinë akademike për kostumografinë e përdorur në një event”?

“Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, një nga monumentet më të mëdha të trashëgimisë kulturore shqiptare ngjitet në skenë grupi polifonik i burrave dhe marrësi i këngës, kryekëngëtari, në vend të mbajë në brez një silah me qëndisje ari të kapedanëve të vjetër, mbante një stravecë, përparëse me thekë, grash mirditore. Nuk e di, nëse në festivale, filma e shfaqje të tjera, a ka etnograf që firmos duke mbajtur përgjegjësinë akademike për kostumografinë e përdorur, qoftë edhe të shartuar me stilimin artistik. Ka një harmoni që nuk duhet cenuar kurrsesi, të mos preken ato linja që kostumet kombëtare shqiptare i kanë trashëguar në vijë tipologjike nga veshjet ilire dhe veshje të tjera të lashta”, shprehet Dano.

Për këtë panoramë të zymtë, etnografja Onuzi është kritike edhe ndaj Ministrisë së Kulturës, pasi sipas saj veshjet popullore janë pjesë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

“Ministria e Kulturës për veshjet origjinale ka vite që e ka harruar këtë punë. Për riprodhimin kur janë bërë festivale deri para 5 vitesh, interesohej për të sjellë grupet me kostume, por në këtë 5-vjeçarin e fundit nuk do fare të merret. Është lënë në dorë të përgjegjësve të grupeve artistike që kanë ato grupet e tyre dhe zhvillojnë aktivitete private”.

Për të kuptuar se çfarë ndodh në botë me veshjet popullore, koleksionistja Dano sjell edhe një paralelizëm me Norvegjinë ku shihet dukshëm se me sa fanatizëm ruhen kostumet atje, duke marrë edhe dënime nga policia.

“Veshja popullore norvergjeze e quajtur Bunad, ka afërsisht 55. 000 variante të Bunad-it në mbarë Norvegjinë, (duket një rekord marramendës, por Norvegjia ka gjithashtu Policinë e Bunad-it e cila monitoron çdo bartës dhe prodhues të saj që të mos shtojë asnjë element joautentik në veshje dhe në filigramën e saj). Nëse ti je një norvegjez që e vesh në festat familjare e krahinore, apo je një prodhues i kësaj veshjeje dhe dëshiron të fantazosh mbi një element të kostumit duke besuar se i shton bukurinë duke ndryshuar sikur edhe një element për ta zbukuruar sipas shijes personale, Policia e Bunad-it shfaqet në derën tënde me dënimin përkatës”, shprehet Dano, ndërsa shton se “Shqipëria nuk është Norvegjia, por së paku dëshiroj të kemi një polici të tillë, qoftë edhe vetëm për Xhubletën, si monument me status Kryevepër e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare”.

Mungesën e vëmendjes ndaj kësaj fushe të krijimtarisë popullore, e pranon edhe kostumografja Sulaj. “Nuk ka vëmendje, por më duket se nuk ka as dëshirë nga institucionet për të parë diçka me vlerë me syrin më të mirë të mundshëm”, përfundon ajo.

Veshjet tradicionale janë ajo pjesë e trashëgimisë për të cilën çdo vend krenohet, por duket se në vendin tonë ato po shkojnë drejt transformimit, duke na sjellë kështu më pak shije tradite…

6 komente në “Pse kostumet tona kombëtare rrezikojnë të zhduken dhe një shembull nga Norvegjia”

  1. Mal Cori says:

    Kostumet kombëtare shqiptare, humbën formën origjinale, qëkur kënga, Xhamadani vija vija, bastardoi vetë xhamadanin si dhe vetë këngën.
    Xhamadani shqiptar, nuk është vija vija. Të tillë e ka Serbia….

    1. Matrapiku says:

      Qe te flasim per “zhdukjen e kostumit Kombetar”, duhet te percaktojme, cilin Komb … ate para apo ate pas pushtimit dhe asimilimit nga Ottonanet.
      .
      E them kete sepse jane 2 kultura krejt te kunderta, 2 kostume qe nuk kane shum ngjasi, shikoni ato te Arbereshve (qe me siguri jane më orgjinalet), dhe shikoni keto te sotmet, tumane, shami, trecerekshe …
      .
      Turqia na ka c’perfytyruar si Komb, nuk eshte cudi qe ky asimilim te ndikonte ne te gjitha aspektet.
      .
      Ne aspektin Fetar.
      Shikoni ne internet se me sa madheshti festohen nga Arbereshet Pashket Orthodhokse (ne zemren e Katolicizmit Italian), me vez te kuqe, hymne Bizante ..
      .
      Dhe shikoni se me sa madheshti festohet Bajrami, Ramazoni, Sulltani (i Novruzit) … ne qender te Tiranes me daulle, ezane, ballokume, ashure …

  2. Nik says:

    Veç akdemis sè çobanève nèqofte dèshirojm tè jemi nè standartet e veshjes antike atèhere tè vendosen rregullla tè hekurta,fmth tè bèhen me liçensim kush pèrgatit veshje popullore dhe tè jet e çertifikuar nè veshje.kèshtu kush i i qep tè mbaj pèrgjegjèsi penale,thjesht,nuk i kushton gjè shtetit tè hartoj njè dekret apo ligj,kèshtu etnograf ose persona tè tjer kopetent e kanè mè tè leht tè kontrollojn.Nuk èsht vetèm veshja e dhe kostumet popullore,veshjet e barinjève dhe bareshave,veglat muzikore antike,mjetet qè pèrdoreshin pèr tè pèrgatitur drekèn darkèn ,nga prodhimet e drurit,lugè,saçi,dybekèt .Tè pèrbmlidheni siç janè mbledhur shumè kèngè antike dhe vjersha se ndoshta njè dit do tè dali greku apo sèrbèt dhe tè thonè se do tè mbrojm nè Unesko “veshjen shqiptare)e t’a quajn tè tyre.Njè shkrim me vlera

  3. Illyria-Shqiperia says:

    Shume me vend artikulli!keto 30 vjet kostumet jane bere ke keq se te arixhinve, me temina mbaj e ver.

  4. Duaje atdhene si shqiponja Folene says:

    Zgjohuni Ministria e Kultures dhe merreni kete mesazh seriozisht neglizhenca per ta ruajtur veshjet tradicionale. te jete e kontrolluar nga shteti. Po sjell vetem nje shembull te vogel ”Italia ruan edhe sot e kesaj dite edhe llojet e mullirit te kafese qe ka prodhuar ne shekuj…… pa folur per te tjera . Imagjino qe veshjet qe i kemi kaq te vecanta dhe ti leme ne meshire te fatit dhe i pershtasim p.sh me cfare gjejme tek Gabi apo tek kinezi materiale qe i humbasin komplet vlerat > >>.
    Me shpresen dhe me deshiren e mire jeni te lutur te merret seriozish .

  5. ° says:

    Shum e drejte problemi qe artistetizanet mjeshtre paraqesin ne drejtim te indiferentizmit te M se Kultures .Politikanet shqiptare jan te shqetesuar per probleme me madhore,si ata globale dhe per kete arsye ata po globalizojne edhe kete pak tradit qe na ka mbetur.Ne raste se nje popull zhvishet nga tradita ai eshte i drejtprire drejte zhdukjes.Tradita eshte fanari qe ndritcon te shkuaren e hershme dhe asaj te se ardhmes.Eshte per te ardhur keq kur degjon muzik polifonike te perzier me fjal turke,polifonia ka lindur para se turku te vinte ne arberi .Kostumet me brekushe e cetjane nuk jan te tonat ata pasqyrojne kulturen e dikujt tjeter ose me sakte te pushtuesit .Shpresojme qe qeveria do te ndergjegjsoje kulturen e paster Ilire Arberore.Duhet te perfaqsohemi si otokton dhe jo si kolone,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje