Strakosha gjithnjë e më larg Lazios, Tare gjen zëvendësuesin dhe i bën nder Berishës

20 Nëntor 2021, 18:23Sport TEMA

Me kontratën në skadencë dhe me bisedimet e “ngrira”, Thomas Strakosha duket gjithnjë e më larg Lazios. Gardiani i kombëtares shqiptare ka kaluar më shumë kohë në stol këto dy sezonet e fundit dhe kjo situatë nuk e kënaq aspak, aq më tepër kur për të ka interes nga Premier League.

Klubi i Newcastle është gati t’i besojë Strakoshës dhe për 26-vjeçarin mund të ketë zhvillime në merkaton e janarit.

Ndaj, drejtori sportiv i Lazio, Igli Tare kërkon të mos mbetet i befasuar nga lëvizjet e janarit dhe ka nisur nga puna për të gjetur pasuesin e Strakoshës.

Në fokus është portieri i Torinos, Vanja Milinkovic-Savic, i cili është edhe vëllai i Sergej, mesfushorit të bardhekaltërve. Serbi ka bindur me paraqitjet e tij te skuadra “granata” dhe kështu është kthyer në opsion real për Lazion.

Ndërkohë, të gjitha këto lëvizje do t’i shkonin për shtat portierit tjetër të kombëtares, Etrit Berisha. Ky i fundit është transferuar këtë sezon te Torino, por nuk ka gjetur hapësira dhe në janar në rast largimi të Milinkovic drejt kryeqytetit, atëherë ai do të kthehej numri 1 për italianët duke përfituar nga puna e Igli Tares.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje