Gjuha që mbajti gjallë kombin!

30 Nëntor 2021, 20:25Kulturë TEMA

Nga Albana Hodaj

Kongresi i Manastirit mbajtur në 1908-ën nga patriotët e mëdhenj të Rilindjes sonë Kombëtare, ishte jo thjesht “Konferencë” për një alfabet të përbashkët për të shkruar, përhapur e jetësuar gjuhën shqipe, si një nga elementët themelorë të identitetit dhe kulturës sonë kombëtare, por padyshim ishte kurorëzim i përpjekjeve të mendimtarëve, publicistëve, poetëve dhe patriotëve të zjarrtë të Rilindjes sonë Kombëtare, qysh në vitet ’30-’40 të shek.XIX e deri në shpalljen e Pavarësisë, si një mjet i fuqishëm që zgjoi vetëdijen gjithëkombëtare dhe aspiratën për liri.

Rruga për në 22 Nëntorin e 1908-ës kaloi nga përgjakja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), nga lëvizjet çlirimtare (1909-1912) në fillim të shek.XX, ku domosdoshmëri ishte dhe liria e gjuhës dhe e arsimit shqip.

Shoqëritë kulturore e patriotike “Shoqëria e Stambollit” (1879),”Drita”, “Besa-Besë”,”Dituria” apo dhe shtypi shqiptar i kohës me gazetat e De Radës, Konicës, Naços apo M.Frashërit, ishin pjesë e përpjekjeve për zgjim kombëtar, për dije e përparim.

Kongresi i Manastirit përzgjodhi dhe vendosi dy alfabete, midis tyre dhe alfabetin latin, jo thjesht si sistem shenjash arbitrare apo “kanal” për të komunikuar përmbajtje, gjë të cilën mund ta bënin dhe alfabetet e tjera greke, jezuite, turke apo arabe,  por si qëllim për bashkimin e shqiptarëve, deri atëherë të përçarë dhe si rrugë largpamësie për zhvillimin kulturor të Kombit.

Ky Kongres e simbolikisht dhe data e përfundimit të punimeve të tij, 22 Nëntori 1908, janë pjesë e kujtesës historike të rrugës së mundimshme që kombit shqiptar i është dashur të përshkojë në betejat shekullore për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve, kulturës e gjuhës shqipe.

Vendimi i këtij Kongresi ishte paradhoma e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së shkrimit të shqipes, e cila ka mbajtur mbi shpinë jo vetëm pushtetin  gjuhësor, por ekzistencën e folësve dhe të vetë trojeve shqiptare.

Alfabeti latin, me prakticitetin, thjeshtësinë dhe homogjenitetin e tij,  gjeti rrjedhën natyrale nëpër kohë, si një arbitraritet i dëshiruar dhe i nevojshëm për përdorimin e unifikuar të tij në shkrimin e derisotëm të gjuhës shqipe.

Por a duhet ngushtuar ngjarja e madhe e mbledhjes së këtij Kongresi vetëm si një takim gjuhësor, edhe pse çështja e njësimit të Alfabetit ishte ndër më kryesoret?

Kongresi i Manastirit ishte padiskutim një ngjarje e madhe historike, politike e  kombëtare, vendimet e së cilës kërkonin njëzëri njohjen e kombësisë dhe gjuhës shqipe, vendime të cilat çuan në hapjen e shkollave të pavarura shqipe e botimin e librave të shumtë shkollorë.

Kjo ngjarje e madhe rri ngushtë vetëm me cilësimin “Dita e Alfabetit”, pasi si e tillë mbetet e paplotë në shpërfaqjen e idealeve kombëtare për të cilat ky Kuvend u mbajt.

A duhet të jetë festë Kombëtare edhe në Shqipëri, sikurse është e tillë në Maqedoninë e Veriut?

Nëse kjo mori përpjekjesh është dëshmi historike e një epoke të etur për liri, plot figura ideologësh të ditur e që frymëzojnë dashuri e patriotizëm të rrallë, të ndalesh në një ditë e të reflektosh mbi stoicizmin e trupit të Kombit tënd fatkeq të ndarë nëpër shtete, është një akt përuljeje e nderimi.Është akt respekti për veten, për historinë tonë e për ata burra e gra që i vunë shpirtin e mendjen një periudhe të ndritur, Rilindjes sonë Kombëtare.

Le të evokojmë karvanët ngarkuar me gërma, larë me jetën e gjakun e Veqilharxhit, Negovanit e Petro Ninit, në kohërat me heronj të vërtetë, që në çdo ditë i bëjnë dritë Kombit!

22 Nëntori është ditë kujtese, është zëri i ndërgjegjes sonë mbi mundimet e Kombit që ka folur një nga gjuhët më të lashta e tingëlluese, pellazgo-iliren, në themel të trungut të gjuhëve të botës e që me të drejtë thuhet ka mbijetuar dhe pa alfabetin.  Por Alfabeti ynë, ky sistem me simbole shkronjore  latine të ftohta, mbart brenda frymë e ideale patriotësh, derdhur për ta lënë të shkruar gjuhën e të parëve.

Të ndalesh në këtë datë, në 22 Nëntor e të nderosh me një tufë lule Rilindasit e mendjes e të penës, që me fuqinë e dijes bënë histori, është akt dinjiteti.

Ndaj është kaq e vlerë të ndalësh veten, punën, vëmendjen në një ditë pushimi, falenderimi, respekti, mirënjohjeje e reflektimi,  qoftë dhe me një lutje, shqip, si do ta donin,  për shpirtin e tyre që e dhanë për Kombin, që  Gjuha e mbajti gjallë!

5 komente në “Gjuha që mbajti gjallë kombin!”

  1. E verteta dhemb.... says:

    ….lare me gjakun e kristianeve Veqilharxhi,Negovani,Petronini por asnje te reni turkoshak…!?
    Thua rastesi!? JO!
    Turkoshaket nuk derdhen pike gjaku per vatan( vec mes tyre per vilajete),as per alfabet apo Pavaresine!!

    1. vezhguesi says:

      E verteta dhemb-shume e vertete qe e “verteta dhemb”, por zotrote harron se kjo shprehje eshte shume e pershtatshme per neo-greket si puna jote qe perpiqen ti paraqishin botes aziatiket si pas-ardhes te grekeve antike.
      Duke u kthyer tek nje tjeter genjeshter qe ke thene ne komentin tend; nuk kane qene vetem kristianet ata qe kane luftuar per gjuhen dhe alfabetin shqip. Keshtu, gjuhetaret flamurtare te gjuhes shqipe qe i perkisnin komunitetit mysliman jane Abdul e Naim Frasheri, Cerciz Topulli, Faik Konica e shume e shume te tjere, qe bashke me vellezerit e tyre kristiane na lane nje trashegimi te pasur te veprave te tyre ne interes te gjithe shqiptareve, te cilet kane si fe te pare shqiptarine.
      Vetem handikapatet mental si puna jote bejne dallimet mbi bazen e fese, kur njerezia dallohet mbi bazen e kombesise qe lidhet me ADN-ne, historine dhe gjuhen e perbashket, prandaj nga do qe te shkosh, ne cdo vend te botes, kombesine nuk e ndryshon dot, por mundet te ndryshosh shtetesine apo edhe fene.

    2. Toni says:

      Dmth shoqeria kulturore patriotike. “Shoqeria e Stambollit” Paska pasur rrolin kryesor ne perparimin dhe ne levizjen kombetare te shqiptareve. Nuk na ngelet gje tjeter pervecse te falenderojme Turqine qe paska qene kaq e mire me ne.. Se shqiptaret dje i vriste Enveri me plumb sot po i vrasin me fukarallik.

  2. Shumë janë përpjekur e vazhdojnë të përpiqen ti fusin shqiptarët e gjorë në dy grupe kundërshtare, muslimanë e të krishterë.
    Askush nuk mund ta mohojë kontributin e çmuar të shqiptarëve me besim fetar musliman në betejat shekullore për mbrojten e identitetit tonë kombëtar.
    Shqiptarët nuk janë as fis dhe as far me turqit apo edhe grekët, dëshirojmë ti kemi miq. Kush i do për vëllezër le të na lerë të qetë e ti ndjekë nga pas.
    Komplimente autores jo vetëm që pati mirësinë të na rikujtojë këtë moment historik për kombin tonë por edhe për gjuhën shqipe letrare që e ka përdorur me kujdes e dashuri.

    1. vezhguesi says:

      sakte-faleminderit per komentin dinjitoz

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje