Kancelarja në largim e Gjermanisë, Angela Merkel më 4 dhjetor u bëri thirrje gjermanëve që të vaksinohen kundër koronavirusit.
Këto komente Merkel i bëri përmes një video-mesazhi, që pritet të jetë i fundit që ajo e lëshon si kancelare e Gjermanisë. Kjo thirrje erdhi dy ditë pasi liderët federalë dhe shtetërorë vendosën mbi masat e reja, që kanë për qëllim të frenojnë një valë të re infektimesh me koronavirus.
Masat e reja përfshijnë përjashtimin e të pavaksiunuarve që të vizitojnë dyqanet jothelbësore, restorantet dhe objektet sportive dhe kulturore. Ndërkaq, Parlamenti do të shqyrtojë mundësinë që ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin.
Të paktën 68.9 për qind të gjermanëve janë të vaksinuar plotësisht, që është shifër më e ulët sesa synimi i Qeverisë që të vaksinojë të paktën 75 për qind të popullsisë.
Personat e pavaksinuar shihen si fajtorët kyçë në rritjen e rasteve të reja me COVID-19 gjatë javëve të fundit.