Nëse PD-ja e lexon drejt realitetin ajo mund të ringrihet!

8 Dhjetor 2021, 15:39Blog TEMA

Nga Namir Lapardhaja

“Për xhenet u nisëm, sosëm në xhehnem,

Shqipëri, moj kuçkë, ç’na bëre verem”

(“Viti i mbrapshtë”)

Shqipëria është një vend i pasigurt përsa i përket jetës, shëndetit, arsimit, pronës, së ardhmes.

Është një vend ku shteti shihet si bagëti që mund të milet, ligji si i bërë enkas për t’u shkelur dhe ndershmëria si turp që duhet fshehur.

Mund ta ngrysësh jetën e t’i rrokullisësh ditët që të ka falur Zoti në në këtë vend, mirëpo në të je i destinuar të jetosh mes pasigurisë së përhershme dhe rrezikut të përditshëm.

Askush nuk e ka menduar më 8 dhjetor 1990 se rinia e këtij vendi do të ikte udhëve të Botës për të mos u kthyer.

Askush nuk e ka çuar ndër mend në atë kohë se 31 vite më vonë pasardhësit e Byrosë Politike do të drejtonin vendin, do të kishin në dorë ekonominë, do të bënin ligje dhe do të vijonin të vendosnin për fatin e shqiptarëve.

Askush nuk e ka menduar në dhjetorin e ’90-tës se krimet e tmerrshme të komunizmit do të liheshin pa u dënuar.

Askush nuk e ka menduar se ëndrra për ta parë Shqipërinë si gjithë Evropa do të rezultonte një gënjeshtër që nuk do të përmbushej asnjëherë.

Askush nuk e ka menduar se pas 31 vjetësh Shqipëria do të kishte probleme me votën e lirë, me shtetin ligjor apo nuk do të kishte zgjidhur ende problemin e pronës.

Askush nuk e ka menduar se do të ishim të fundit në Rajon përsa i përket nivelit të jetesës, nivelit të pagave dhe të pensioneve.

Dështimi më i madh i politikës në Shqipëri është se nuk diti asnjëherë të sakrifikojë pushtetin për të ndërtuar shtetin, nuk ndërtoi asnjëherë një administratë profesionale të pavarur nga militantizmi, një gjyqësor të drejtë për të gjithë dhe jo vetëm për një pjesë.

Sot shqiptarët janë të zhgënjyer, të pandjeshëm dhe të painteresuar për atë se çfarë ndodhë.

Janë 3 dekada dështim pas dështimi, zhgënjim pas zhgënjimi, ikje pas ikje.

Ëndrrat dhe idealet e fillimit u tradhëtuan duke i lënë ëndërronjësit dhe idealistët djerë.

Ndaj sot të jesh në opozitë në Shqipëri është e rrezikshme, të jesh në anën e drejtë është raskapitëse dhe të besosh se mund ta ndërtosh jetën mbi disa parime është utopike.

Prandaj sot pushteti dhe klientët e tij mediatik janë më të interesuarit për ta mbajtur sherrnajën e opozitës gjallë, ta ushqejnë përditë mëngjes e mbrëmje, sikur ora të ketë ngelur aty, sikur i vetmi problem real i vendit të jetë fati i një personi, sikur hallet dhe problemet e këtij vendi me emrin Shqipëri të kenë mbaruar të gjitha.

Duket sikur është prishur skema e gjasmimit, të bëjmë sikur zihemi, sikur kundërshtohemi, sikur debatojmë dhe sikur denoncojmë.

Duket sikur në vijim kambanat e alarmit do të bihen për të gjithë, duke mos pasur ndihmëtarë dhe alibi për pandëshkueshmërinë dhe kjo i ekspozon të gjithë përballë rrezikut.

Partia Demokratike ka mundësinë të ngrihet mbi sherrnajën vetjake, të shndërrohet në anije shprese, të rikthehet në misionin e saj të fillimit, duke u rithemeluar mbi vlerat, parimet dhe virtytet, se ky vend ka nevojë për të mirën, ka nevojë për të ndershmen, ka nevojë për njerëz që veprat i kanë në lartësinë e fjalëve dhe ku hallin e popullit e bëjnë hallin e tyre, duke jetuar me të derisa ta zgjidhin.

3 komente në “Nëse PD-ja e lexon drejt realitetin ajo mund të ringrihet!”

  1. A says:

    E ku i gjen keta njerez o namir. Ju nuk e konceptoni dot qe pd duhet te shkrihet pasi eshte promotorja dhe mbartesja e te gjitha veseve te keqija. Gjithmone do veproje ne zonen ekstra te ligjit, dhe jo ne zonen e drejte ku 1+1 =2, per pd 1+1=3 ose cdo numer tjetet vec 2 jo. Cte te kujtoj, me te afert pp te kujtoj zgjedhjet e tiranes per kryetar bashkie ku kryetari yt i sotem vodhi per turp ne mes te dites votat, dhe nga i nxoren. Pastaj te gjithe simotrat e pd ne evrope jane shkrire me kohe pse u beka qameti per partine tuaj. Ta them une se qameti u behet juve dhe jo popullit. Prandaj ju qani perdote ne ekrane se kushedi cdo ndodhe. Po luftoni te dy palet le te derdhet njhere gjaku juaj si ka 30 vjet qe derdhet gjaku i shqiptareve

    1. a says:

      e namir ishe te luli. prandaj ke kaq dite qe po leh. ke gabuar ere luli nuk ka te ardhme, as pd nuk ka te ardhme. kishe nje pozicion te mire para disa ditesh. tani u demaskove

  2. Lanabregesi says:

    O Lapardredhur,PD duhet te shkrihet, nuk ka asnje mundesi ripertritje.Ndoqa takimin e Lulit me perkrahesit e tij,me perjashtim te Prec Zogajt qe beri njefare katarsisi,te gjithe folen kodra mbas bregut,asnjeri nuk u mundua te pastroj plagen e thelle qe ka pd,e cila lindi si shprese,por nen drejtimin e kriminelit Sali Berisha u kthye ne fashiste,aqe sa sot nga themeluesit ka ngelur vetem komunisti Sali Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje