“Ja dolëm, u ngjitëm!”, në gjurmë të maleve të jugut të Shqipërisë

27 Dhjetor 2021, 11:31Turizëm TEMA

“Ja dolëm! U ngjitëm!”

I gjithë rrugëtimi i tyre mishërohet në jehonat e zërave që e bërtasin arritjen me të qeshura.

Atje. Në majën e një mali. Në ndjekje të lartësisë që të fton krah madhështisë së vet.

Ku ecja ashtu sikurse ndjek, edhe lë gjurmë. Nga ato të paharrueshmet që mbrujten nga aroma e natyrës dhe ndjesitë e brendshme që marrin frymë bashkë me të.

Ku shikimi takohet me një tjetër horizont të fushëpamjeve të pikturuara nga e gjelbra e barit, e kaltra e qiellit dhe e arta e diellit.

Ku çlirimi njeh veten.

Atje. Në malet kryelarta të jugut të Shqipërisë. Te triumfuesit e tyre, te grupi Libohova Hiking.

Në nisje

“Fillimi ka qenë thjesht rastësi.

Së bashku me Sotir Kacin, të inspiruar çdo ditë e më shumë nga grupe alpinistësh, na lindi dëshira të ngjisnim malin e Buretos.

Bukuria e borës na thërriste dhe na tundonte që ta bënim një ngjitje në mal. Kështu që, vepruam. Morëm çantat e shpinës dhe u ngjitëm.

Dhe… ishte një nga eksperiencat më të bukura të jetës.

Sfida me vështirësitë e ngjitjes, zemra që na rrihte fort sepse na priste diçka e papritur, gjurmët e kafshëve të egra… ishte adrenalinë e çmendur.

Por ja dolëm. U ngjitëm.”

Kështu i kujton Agush Hide, fillesat e grupit Libohova Hiking. Fillesat e një grupi të pasionuar me ngjitjet në mal.

Të përqafuar nga emocioni i ngjitjes së parë, ata nuk e mbajtën të fshehtë përvojën e papërshkrueshme që përjetuan. E ndanë atë edhe me të rinjtë e tjerë.

“Fokusuam pamje fantastike nga ai mal dhe kur kemi zbritur, të gjithë eksperiencën tonë e ndamë me miqtë dhe të afërmit, moshatarët tanë”, tregon Hide.

Ky ishte edhe çasti kur dëgjueseve u lindi dëshira që të bashkoheshin me ta. Dhe kështu, u krijua grupi.

Mes nuancave të së gjelbrës

Një grup që e mban bashkë dhe e forcon dëshira për të ndjerë afër natyrën dhe magjinë e saj.

Hide e vërteton këtë, duke thënë se “çka na bashkon me njëri-tjetrin është dëshira. Pasioni që kemi për të zbuluar dhe eksploruar natyrën dhe gjallërinë që e shoqëron atë”.

Përveç kësaj, grupin e mban bashkë edhe një përshtatshmëri që “e zbukuron udhëtimin dhe rrugën mes të gjelbrës dhe nuancave të saj”,

Të gjithë me të njëjtin pasion për ngjitjet, të rinjtë janë shumë kompakt me njëri-tjetrin.

“Përveç kënaqësisë personale, gjithsecili jep nga vetja më të mirën e mundshme për t’i dhënë ngjyra grupit… ngjyra të jashtëzakonshme ndjesish dhe eksperiencash”, dallon Hide.

Por grupi nuk ndalet vetëm me përjetimin e kënaqësisë që u dhuron udhëtimi. Ata duan të përcjellin edhe një mesazh te të gjithë bashkëmoshatarët.

Mesazh, të cilin Hide, e thërret fort. Ngjashëm si të donte të dëgjonte jehonën e zërit të tij teksa gjendet atje, në mal.

“Të rinjtë duhet të kuptojnë që përveç qëndrimit gjatë gjithë ditës nëpër kafene, ka edhe mënyra të tjera argëtimi që janë më të shëndetshme.

Nëpërmjet eksperiencave që ndajmë në rrjetet sociale me të tjerët, duam të përçojmë te ata edhe se sa bukur është ta duash dhe ta mbrosh natyrën.

Të gjithë duhet të kuptojnë që natyra është ajo që na jep kaq shumë dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm kur e keqtrajtojmë në mënyrën më çnjerëzore, duke shkatërruar me vetëdije florën dhe faunën.”

Madje, ky mund të quhet edhe qëllimi kryesor i grupit.

T’i bëjë njerëzit të kuptojnë se sa e bukur dhe se sa resurse u dhuron natyra dhe se sa të aftë duhet të jenë për t’ia kthyer ato pas.

Terapi për trupin dhe mendjen

Vendet ku ka shkuar Libohova Hiking përqendrohen kryesisht në jug të vendit.

Duke nisur nga vargmali Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto, Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë, Mali i Gjerë, Mali i Morganës, i cili ka qenë edhe një nga ngjitjet më mbresëlënëse për Hiden.

Dhe që do ta konsideronte si një nga parqet natyrore më të bukura.

“Krahas ngjitjes, eksplorimi dhe dëshira për të vizituar vepra monumentale si Antigonea, Manastiri i Spilesë, Adrianopoli, Shpella e Skotinisë dhe të tjera që i kemi vizituar është e madhe”, veçon ai.

Çka i ka shijuar më së shumti është ecja dy-ditore prej 40 kilometrash, duke u nisur nga fshati Suhe-Poliçan-Sheper i Zagorisë dhe duke mbërritur në Përmet.

Për të, “ishte një nga aventurat që do të mbetet gjatë në memorie. E veçanta e këtij udhëtimi qëndronte te kalimi nëpër disa fshatra të zonës dhe kampingu me çadra që i ngritëm në Sheper”.

Prandaj dhe përvojën e deritanishme, ai do ta cilësonte si më të bukurën. Por edhe si arritjen më të madhe të jetës së tij.

“Mbase duket butaforike, por nuk konsideroj diçka tjetër më të rëndësishme se udhëtimet në natyrë me grupin apo ngjitjet në mal.

E shoh tejet me rëndësi pasi veç eksplorimit, hapjes së horizontit dhe njohjes së bukurive natyrore, ka edhe anën tjetër krejt pozitive që lidhet me shëndetin.

Ngjitja në mal është terapi si për shëndetin fizik edhe për atë mendor.”

Kur dashuron malet

“Kur vjen momenti për të folur për ecjen në mal, fjalët dhe mendimet më rrjedhin vetë.”

Kjo është e para fjali që i vjen ndërmend Keti Buzherit kur e pyet për përvojën e saj të ngjitjes në mal.

Përvojë, e cila ngjashëm si fryma e grupit Libohova Hiking ku ajo është anëtare, i ka rrënjët te dëshira e kahershme për të jetuar natyrën në një mënyrë krejt të afërt.

“Dëshirën për ecje në mal e kam pasur që në moshën 18-vjeçare. Shikoja shpesh majat e maleve teksa mendoja se si është të ngjitesh.

Kam 11 vjet mësuese në Libohovë. Malin Bureto e kemi shumë afër shkollës dhe ende më ngacmonte dëshira për t’u ngjitur.

Duke parë në mediat sociale një grup nga Libohova që ngjitej, nisa të mendoj për këtë aventurë.

Sotirin, njërin nga anëtarët e grupit e kisha shok në mediat sociale dhe fotografitë që ai postonte nga natyra, ma provokonin dëshirën për ta provuar ngjitjen në mal.

Dhe u realizua.”

Bashkë me realizimin e dëshirës erdhi edhe prova e parë.

Mali i parë që ka ngjitur Buzheri ka qenë ai Bureto me 1763 metra lartësi.

Pa ecur kurrë më parë nëpër male, për herë të parë ajo provoi pasionin e saj të fshehur, ngjitjen në malin e Buretos. Një mal mjaft i vështirë, por ja që ja doli mbanë.

Kështu, papritur u dashurua me ecjen në mal. Me sfidat dhe të bukurat e kësaj aventure të natyrës.

“Është sfidë e vazhdueshme. Sapo del në një shteg ka gjithmonë të panjohura pas secilës kthesë. Ama ka edhe fushëpamje mahnitëse, horizont të pafund”, tregon ajo.

Për të, Libohova Hiking është një grup frymëzues.

Aty, Buzheri njohu njerëz të thjeshtë, tejet të komunikueshëm, argëtues, të pasionuar me ngjitjen në mal dhe me një frymë bashkëpunimi tërheqëse, mirëkuptuese, por edhe rigoroze në orare.

Zgjedhja për të qenë pjesë e rrugëtimit të grupit e ndihmon atë të ndjehet mirë.

“Të zgjedhësh të ngjitesh në mal do të thotë të zgjedhësh jo vetëm një rrugë të vështirë, por edhe të bën të zhvishesh nga brengat e përditshmërisë dhe të mbështet në një mënyrë që ndihet e pastër dhe e vërtetë”, shpjegon ajo.

Buzheri ka afro tri vite që ngjitet në male, që prej vitit 2019 dhe kjo gjë i pëlqen tepër. I pëlqen të jetë në natyrë, mbi male.

“Grupi synon majat e maleve për një adrenalinë të gjallë e plot jetë. Çfarë arsye mund të dua më shumë se kaq?”, thotë ajo teksa nuk ndan asnjë nga udhëtimet.

Për të, të gjitha janë të bukura, pa asnjë veçim.

“Çdo ngjitje ka veçantinë e saj. Emocione të reja”, ka përmbyllur ajo.

4 komente në ““Ja dolëm, u ngjitëm!”, në gjurmë të maleve të jugut të Shqipërisë”

  1. Dinjiteti says:

    Ju lumte, Vertet shume bukur. Artikuj te tille i duhen me shume gazetave!

  2. Nji nga aktivitetet qe duhet te jene me te pranishme ne jeten e shqiptareve .
    Kto aktivitete fizike sherojne cdo semundje dhe rrisin maximalishte Imunitetin e trupit te njeriut ,
    largojne cdo shtres e depresion .
    Braktisni medikaminetet ddhe beni te pakten njiher ne jave nji aktivitet te tille .

  3. Deti says:

    Malet, shume bukur. Lvizje, lartesi, Ajer, vizion, levizje, enaqsi, kethjelltesi, antistres, jetegjatesi etj. Bravo!

  4. Bravo Korça says:

    Një “JU LUMTË” të madhe për ju!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje