"Kambana ka kohë që po bie", kryetarja e KLGJ-së: Kemi gjykata me 3 mijë çështje për gjyqtar, duhet shmangur kolapsi

28 Dhjetor 2021, 10:21Kronika TEMA

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami ka ngritur alarmin se në të gjitha gjykatat po rritet ngarkesa e gjyqtarëve për shkak të largimeve nga Vetting-u.

Llagami tha se për një gjyqtar sot mesatarja është 640 çështje, por në Administrativen e Apelit dhe tek Apelit Tiranë mesatarja shkon deri në 3 mijë.

Ajo shtoi se kambana ka kohë që po bie dhe se ky shqetësim ka kohë që është ngritur.

“Nëse i referohemi ngarkesës së gjyqtarëve për gjykatat në këtë vit  mund të themi se kemi shkuar në një mesatare në 640 çështje për gjyqtar, pa përfshirë këtu dhe ngarkesën në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu kemi dhe gjyqtar me mbi 3 mijë çështje, siç është Gjykata Administrative e Apelit dhe Gjykata e Apelit Tiranë ku kemi shkuar mbi 2500 çështje për gjyqtar.

Kostoja më e madhe është morale e besimit që kërkojnë shqiptarët tek reforma në drejtësi. Këmbana ka kohë që po bie, për mëse një vit e kam ngritur këtë shqetësim me shumë përgjegjësi. Sot jemi shumë vonë, edhe harta e propozuar nuk do të jetë e mjaftueshme për të stabilizuar humbjet qe kemi në sistem, ndërhyrjr të tjera duhet të artikulohen sa më shpejt për të shmangur kolapsin. Na duhen zgjidhje të mundshme të besueshme optimale ku fitojnë të gjithë edhe sidomos qytetari,” tha Llagami.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje