Sulmuesi belg, Romelu Lukaku duket se është penduar për kalimin e tij te Chelsea në merkaton e verës, kur u largua nga Interi.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Sky Sport”, 28-vjeçari ka bërë deklarata të bujshme, ku thotë se nuk është i lumtur me situatën te Chelsea, ndërsa shton se një ditë do të rikthehet te Interi, ku kishte shpërthimin e tij si lojtar.
Ai gjithashtu i ka kërkuar falje tifozëve ziklatër, për atë që ndodhi në verë, ku thotë se ishte koha e gabuar për të folur.
“Fizikisht jam shumë mirë, por nuk jam i lumtur me situatën te Chelsea. Tuchel ka vendosur të luajë me një tjetër sistem, por unë nuk dorëzohem. Jam një profesionist edhe pse nuk jam aspak i lumtur për momentin.
Mendoj se gjithçka ndodhi në verë, nuk duhej të ndodhte në atë mënyrë. Mënyra si lashë Interin, përshëndetja me tifozët. Kjo më shqetëson shumë sepse nuk ishte koha e duhur, tani është momenti për të folur për ndjenjat e mia.
E kam thënë gjithnjë se e kam Interin në zemër, e di që do të rikthehem aty. Shpresoj që kjo të ndodhë sepse jam i dashuruar me Italinë, tani është momenti i duhur për të folur dhe për të bërë njerëzit të kuptojnë se çfarë ndodhi.
Dua me të vërtetë t’i kërkoj falje tifozëve të Inter, koha kur unë fola ishte e gabuar. Ajo që keni bërë për mua dhe familjen time nuk do të mund ta harroj kurrë”, u shpreh Lukaku.