“Disiplinë dhe rregulla”. Kjo është baza e projektit të trajnerit të ri të Barcelonës, Ksavi Hernandez. Ish-mesfushori katalanas e ka bërë të qartë gjatë prezantimit se do t’i imponojë skuadrës një sërë normash, të cilat ai i ka mësuar dhe respektuar si futbollist.
“Gjërat kanë shkuar mirë gjithmonë, kur në skuadër kishte rregull dhe disiplinë”, – ka thënë Ksavi. E përditshmja spanjolle “As” ka zbuluar 10 rregullat që Ksavi do t’i imponojë skuadrës për ta ngjitur drejt kreut nga vendi i 9-të që mban aktualisht, 11 pikë prag vendit të parë. Ja dhe 10 rregullat e forta të Ksavit:
1 – Orar i ri për stërvitjen. Lojtarët duhet të jenë në qendrën stërvitore brenda orës 9:30, një orë e gjysmë para nisjes së seancës. Kështu ka hapësirë për biseda individuale mes lojtarëve dhe trajnerit.
2 – Ndryshojnë oraret edhe për stafin, me asistentët e Ksavit dhe pjesëtarët e tjerë që duhet të jenë të pranishëm 2 orë para nisjes së seancës, që të jenë gati për mbërritjen e lojtarëve.
3 – Futbollistët duhet të drekojnë vetëm në sallën e ngrënies së klubit, me një dietë të fiksuar sipas parametrave të nutricionistëve të klubit.
4 – Një kod i rreptë sjelljeje, me gjoba të parashikuara edhe për faullet në stërvitje. Këtë ide ai e ka marrë nga Guardiola.
5 – Ka gjoba edhe për vonesat, që rriten në rast të gabimeve të përsëritura. Sanksioni i parë është 100 euro, i dyti 200 euro dhe kështu me radhë.
6 – Kontroll edhe në aktivitetin e jashtëm të skuadrës. Lojtarët duhet të kthehen në shtëpi para mesnatës.
7 – Lojtarët e formacionit zgjidhen në bazë të një sistemi meritokracie. Nuk ka titullarë fiksë, askush nuk e ka të sigurt vendin, atë duhet ta fitojë me impenjimin në stërvitje dhe në ndeshje.
8 – Ksavi dhe stafi i tij do të kontrollojnë të gjitha aktivitetet e lojtarëve që ndikojnë në paraqitjen e tyre në fushë. Për shembull, ndalohen udhëtimet e shumta private.
9 – Ndalohen edhe aktivitetet e rrezikshme të futbollistëve. Trajneri i ri kërkon të evitojë me çdo mënyrë dëmtimet, duke i limituar lojtarët me gjoba, nëse e shkelin këtë rregull.
10 – Të gjithë lojtarët duhet të prezantojnë një imazh të mirë për klubin, duhet të respektojnë rregullat, të përshëndesin dhe flasin me tifozët, të inkurajojnë skuadrën të evitojë sjellje të gabuara.
Pa disipline nuk ka asnje rezultat ne cdo aspekt te jetes. Futbolli nuk ben perjashtim nga ky rregull.
Uroj qe ta shikojme perseri Barcelonen ne ditet e saja me te mira. Mbase Ksavi e ben kete mrekulli tek Blaugramat.