Përhapja e shpejtë e variantit të ri Omicron dhe grumbullimet gjatë festave po reflektohen tashmë në numrin e lartë të të infektuarve me Sars Cov 2. Sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, Shqipëria sapo e ka nisur përballjen me valën e re të koronavirusit e cila sipas do të vijojë përgjatë gjithë muajit janar.
“Nga ky moment deri nga fundi i janarit në do të kemi rritje rastesh dhe humbjet e jetës do të reflektohen disa ditë më vonë. Pra, me Deltën ishte 10 ditë – 2 javë ndërsa me Omicronin mund të jetë 5 deri 10 ditë. Do të shohim nëse do të ketë efekt spitalor”, deklaroi Alimehmeti për TV Klan.
Megjithatë duke iu referuar studimeve nga shtete të ndryshme Alimehmeti thotë se Omicron është një variant më i butë sesa delta, e më një risk me të ulët për fatalitet.
“Risku për t’u shtruar në spital është rreth 80% më i ulët sesa me Deltën, Në Skoci dhe në Angli u konfirmua një shifër rreth 67% dhe e njëjta nga Kanadaja. Kjo ka të bëjë me individin. Indikatori spitalor është i rëndësishëm, megjithatë deri tani nuk ka sinjale të forta risku”, tha Alimehmeti.
Ndërkohë edhe gjatë së premtes u krijua radhë e gjatë e qytetareve që prisnin në qendrat shëndetësore për të kryer tamponin. Sipas ekspertëve kjo është e vetmja mënyrë për të kuptuar nëse individi është mbartës i Covid-it apo i virozave stinore.