“Dorën në zemër, me këtë nuk dua të them se asnjë tetovar nuk mund të jetë gjetur aty, porse cilësimi i bashkëqytetarëve të mi me këtë epitet autorëve nuk ju bën nder, aq më pak kur kjo bëhet në kryegjuhën e botës, në anglisht!”
Nga Seladin Xhezairi
Çfarë të bësh, kanë për të ta bërë, bile – një do ta shtojnë!
Demokratët e Tiranës, sidomos ata më të moçmit, do të duhej ta dinë mirë, fare mirë, sidomos ata që janë gjallë, se këtu e rreth tri dekada më herët, ishin Ata të cilët në Tetovë instaluan këtë që aktualisht po ndodhë në familjen e tyre partiake: Fillimisht e patën marrë për yrnek Partinë e Prosperitetit Demokratik që ishte forca e parë e regjistruar në nivel të Federatës së atëhershme jugosllave, në fillim të viteve nëntëdhjetë, me çka u lejua shumëpartizmi në ish-Jugosllavi. Nuk kaloi shumë kohë dhe ishin eksponentë të Partisë Demokratike të Shqipërisë të cilët, për ‘arsye madhore’, erdhën në Tetovë dhe i ndërsynë çarjes më dysh të PPD-së që atëbotë ishte si një Lëvizje.
Marrja me vetëveten, s’do mend, ishte dëshmi i demokratizimit të korpusit politik shqiptar, ama ‘fara’ erdhi nga Tirana dhe, për pasojë, ndasia në ‘atëdhetarë e tradhëtarë’ e bëri të veten. Disa dëshmitarë janë gjallë, disa kanë ndërruar jetë, por shija e hidhur e përçarjes them që ende nuk ka kaluar.
Atëherë kishte një Televizion kombëtar satelitor dhe në ekranin e tij defilonin të dyja taborret me epitetet e sipërpërmendura. Si gazetar, mbaj mend, isha në hall se si t’ju referohem protagonistëve të të dyja grupimeve. Më kujtohet, ka qenë shefi i atëhershëm i seksionit shqiptar të BBC-së, Tim Kuk, që ma zgjidhi problemin: Krahun me të cilin është numri më i madh i deputetëve do ta emërtosh me emrin e Partisë, ndërsa atë tjetrin, ashtu sikurse e cilësojnë autoritetet kompetente. Mbaj mend, krahu tjetër kualifikohej si ‘grup joformal politik’. Kështu ndodhi: PPD-ja mbajti vulat, por në vend të Nevzat Halilit erdhi Xheladin Murati, ndërsa krahu tjetër u quajt, fillimisht PPDSH, e më pas PDSH, me kryetar Arbën Xhaferin.
Kështu ishte atëbotë dhe, për hir të së vërtetës, edhe këtej nga Tetova nuk është se s’pati të shtëna në drejtim të ‘demokratëve’ nga Tirana, roli i të cilëve në këtë ndarje nuk është se ishte i debatueshëm, ama, mbaj mend, askush nuk foli për ndonjë ‘vëllazëri’ të themi ‘ateistësh’ nga Tirana, sikurse ndodhi këto ditë kur u fol për implikim të ‘Vëllazërisë myslimane’ nga Tetova brenda selisë së Partisë Demokratike. Dorën në zemër, me këtë nuk dua të them se asnjë tetovar nuk mund të jetë gjetur aty, porse cilësimi i bashkëqytetarëve të mi me këtë epitet nuk ju bën nder autorëve, aq më pak kur kjo bëhet në kryegjuhën e botës, në anglisht!
Hë, më kujtohet si sot: pasi ishte zgjedhur udhëheqja e PD-së, në Tiranë, njëri ndër kandidatët për postin e numrit një, gjatë një darke në vilën e tij, ashiqare nën ndikimin e rakisë, më pati thënë, jo pa inat, për rivalin e tij se ai ishte një ‘mysliman i keq’. Operatori im që është gjallë e që ishte aty pranë, pa një, pa dy, ndërhyni, edhe ai kishte cakërruar disa herë gotat, duke thënë se ‘nëse ai qenka i tillë, Ju do të jeni një i krishterë i mirë’! Miku im u gjet ngusht kur e pa veten duke bërë kryq në meshën e parë në Shkodër, e regjistruar kjo nga operatori im prishtinas! Dua të them: cilësimi i këtillë nuk është se çon peshë në këtë kantar përplasjesh! Aq më tepër kur kemi një përvojë të hidhur të para rreth tridhjetë vjetësh! Shëndet!
Mire mor plak e morem vesh punen me miqte tetovare , dakort per sa thua ……po nuk po gjej asgje per vellezerit kineze ne shkrimin e me siperm ???!!!!!!! Apo vazhdon neser fejtoni ?? Ne mos eshte ndonje lajthitje e redaksise TEMA ,si zakonisht me tituj bombastike por qe jane arra “fyçke”, siç thonim dikur ne kohet tona .
Zoti Lej Fen-nuk eshte faji i autorit nese ndonje gazeter i TEMAs vendos te “shkurtoje” artikullin e tij.
Sa i perket episodeve qe permenden ketu, kjo nuk eshte aspak cudi, pasi nje agjent i Serbise si Berisha, sigurisht qe do fuste percarje nder shqiptaret.
Parrulla antike romake “divide et Impera” eshte jetike per cdo force armike qe kerkon te dominoje nje force tjeter dhe serbet e greket kete kane bere gjithmone, duke sponsofizuar spijune ne politiken shqiptare.
Historia gjithmone do te perseritet.
Se cfare thote Saliu tashme nuk merzitet asnje ne Shqiperi.Jeni pak te vonuar per ta kuptuar