Nga Ben Andoni
Është për t’u habitur sesa buzagaz dalin politikanët shqiptarë kur akuzojnë, thërriten për të pyetur apo japin shpjegime në Prokurori. Daljet e fundit të Berishës dhe Bashës, Ballës e të tjerëve nga PS, prej Prokurorisë ngjajnë sikur sapo po vinë pas një udhëtimi mbresëlënës në ndonjë vend ekzotik, jo prej organit suprem të Akuzës. Ajo që ndodhi me 8 Janarin, me shkatërrimet që u panë përballë live pothuaj nuk bëjnë më asnjë përshtypje, sikur të mos kenë ndodhur kurrë, teksa Berisha ka nisur sërish mobilizimin e militantëve!!! Tek e fundit të gjithë të ndaluarit e Selisë së PD-së dolën. Pse të mos bëjnë një tjetër.
Ligji është aty, Thyerja e tij, po aty. Kurse një nga deputetët e PD-së e shprehte me gati kënaqësi dhe me një shpërfillje qesëndisëse sesa shumë herë ishte thirrur nga SPAK-u!!! Atë punë kanë ata, dukej sikur thoshte. Por edhe viktimat e pretenduara nga zyrtari socialist Braho jo vetëm nuk pësuan gjë, por e kanë marrë me të qeshur. Do ketë sërish, prokuroria do thërrasë, ne këtu jemi. Po, a është vërtetë kaq qesharak institucioni i ligjit në vendin tonë? A duhet marrë seriozisht?
Me sa duket, po për njerëzit, por jo politikanët. Kohë më parë, autori kujton një nga nëpunësit që punonte në këtë vend: Kam frikë dhe uroj të mos kem punë me ligjin, sepse ligji është i drejtë dhe i pamëshirë. Edhe kur kaloj afër Prokurorisë, druhem, shprehej nëpunësi i thjeshtë. Por me kë është i frikshëm ligji? Dhe, a është vallë i tillë?! Për një pjesë gjyhnaqarësh, kundravajtësish, ai ka qenë bajagi i egër. Për një pjesë politikanësh ai është zbavitës. Nuk ka përgjegjës realë për mbytjet e njerëzve në Jon, për 21 Janarin, për Gërdecin e me radhë për atë shkatërrim të vendit në tre dekada. Nuk ka…Nuk ka. Do ketë sërish caqe, por Ligji aty është. Dhe, politikanët po ashtu.
Cilido që do të kujtojë, forcën e ligjit duhet të sjellë ndërmend për një çikëz fare, parabolën e Kafkës, “Përpara (portës) së Ligjit”.
“Para (portës) së ligjit ulet një portier. Tek ky portier afrohet një burrë nga vendi që kërkon të hyjë në Ligj. Por portieri i thotë se nuk mund t’ia lejojë hyrjen, të paktën për momentin. Burri mendon e mendon për këtë dhe pak më pas e pyet nëse do t’i lejohet të hyjë më vonë. “Është e mundur,” thotë portieri, “por jo tani.” Në momentin që Porta e Ligjit qëndron e hapur, si gjithmonë, dhe portieri bën të eci anash, atëherë duket se diçka lirohet se kështu njeriu përkulet për të parë nga porta brenda. Kur portieri e vëren këtë, qesh dhe thotë: “Nëse të tundon kaq shumë, provoje pavarësisht nga fakti i ndalimit iim. Por ki parasysh: Unë jam i fuqishëm. Dhe unë jam vetëm portieri më i parëndësi. Por nga dhoma në dhomë qëndrojnë portierë, secili më i fuqishëm se tjetri para tij”.
Për shumicën e politikanëve Kafka nuk sjell asgjë, por disa syresh ndonjëherë i referohen sipas mënyrës së tyre për të na treguar diferencën e kulturës dhe drejtësinë e mendimit të tyre.
Mënyra sesi ka ecur dhe është zhvilluar jeta politike ka ndikuar në të gjitha fushat, madje edhe në drejtësinë e shoqërisë sonë tranzicionale. Politika shqiptare ka qenë kaq e lidhur me drejtësinë saqë përshtatshmëria e tyre shkonte deri në skajet më të paimagjinueshme. Ti e dije verdiktin në këto 31 vjet thjesht duke marrë në mëndje një background politik të trupës gjykuese. Huntington e vinte theksin, sa i përket këtij fenomeni, tek bilanci i forcave politike në momentin e daljes nga një regjim i vjetër. Sipas tij është i një rëndësie të madhe edhe për Drejtësinë. Në fakt, ky bilanc në Shqipëri ishte me një kah.
Që do të thotë se ekzistonte vetëm Partia e Punës dhe sot po kuptohet se edhe ata që i japim atribute demokratike erdhën dhe rrodhën prej saj. Mjafton të kuptosh urrejtjen, krizën e sotme te Partia Demokratike, zhveshjen që i kanë bërë Shqipërisë në të gjithë fushat, makinacionet për të qëndruar në pushtet, mënyrën sesi i kundërvihen Reformës në Drejtësi dhe qesëndinë ndaj saj të kuptosh se bilanci ynë prej atëherë është i hidhur. Ne erdhëm me vetëm trashëgiminë e një partie që kishte në kokë vetëm sesi të mbante pushtetin e vet dhe të gjithë pushtetet e tjera t’i kishte leva të veta. Si dy pika uji po vimë në kohën tonë, kur t’i kupton se edhe pas Reformës në Drejtësi apo gjatë procesit të saj, njerëzit e drejtësisë nuk frikohen dhe kur kapen në kundravajtje të frikshme.
Kurse politikanët aleatë të tyre duket se e kanë në kokë që tani sesi do mbarojë ky proces i një Reforme që duket se po bëhet gjysmasi. Që do të thotë se padrejtësia do jetë e zakonshme, kurse politikanët nuk do kenë kurrë frikë. Politika aktuale e tranzicionit, mënyra sesi po zhvillohet privatizimi dhe reformat e tjera, janë gjithashtu një nga indikatorët që tregojnë se asgjë nuk po luan në vend në drejtimin e duhur sa i përket Drejtësisë. “Drejtësia tranzicionale është një projekt elitist, një armë për politika ndërpartiake dhe jo për t’iu përgjigjur kërkesave mirëfilli popullore”, shkruan në një studim të KAS-it për politikat ndërpartiake dhe Drejtësinë, Raluca Ursachi. Dhe, ashtu po ndodh. Drejtësia jonë e rikonfirmuar pas një procesi Vetting-u po tregon se thjesht po ngroh koniukturat por mbetet ende shumë larg t’i japë udhë së Drejtës në vend. Kjo është arsyeja që të gjithë flasin për të Drejtën por pak i binden ndryshimit të realitetit.
Tek e fundit, vetëm tek ne ndodh që prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë nëpunësit e pushteteve të pavarura të jenë ende kaq të fascinuar pas Berishës, Ramës, Bashës, Metës, Nanos etj., me radhë. Kjo është arsyeja që këta të fundit dalin të gjithë të buzëqeshur sepse tek e fundit adhuruesit e tyre i gjen ngado, por mbrojtësit e drejtësisë shumë pak. Dhe, të mendosh sesa e lehtë është. “Të gjitha gjërat e mëdha janë të thjeshta dhe shumë mund të shprehen me një fjalë të vetme si: liri, drejtësi, nder, detyrë, përulje, ndihmë”, shkruante dikur Winston Churchill. Por, kuptohet ky nuk është rasti ynë dhe as i politikanëve tanë, që nuk i frikësohen drejtësisë dhe burgut madje…edhe vetë Zotit, që e përdorin si të jetë çkado. (Javanews)
Shkrim i pjekur, por besoj se do te ndryshoje shpejt gjendja dhe politikanet e pushtetaret do te fillojne te japin llogari.
Ke shume te drejte per te gjitha sa shkruan.Edhe ne na ben aq pershtypje qe keta politikane as qe duan ta dine se i therrasin ne prokurori.
Njeriun e mban o FRIKA o TURPI !
Dikur , jo shumë larg në kohë , tek ne ishte shumë e rrënde t’ë thirej në prokurori apo gjykatë qoftë dhe si dëshmimtar e jo më si i pandehur , ishte turp mbi të gjitha , po ja që kohët ndryshuan , atë turpin e hëngrëm ca nga ca me bukë , bashkë me çorbën , aq sa jo vetëm që nuk turpërohemi por dalim atje para kamerave që të na shohin i gjithë mileti si mburemi dhe sa të pa cipë jemi ,që ne jemi mbi ligjin mund të bëjmë ç’të duam , t’ë shkatërojmë , t’ë djegim , t’ë rembejmë , ç’të na dalë përpara , t’ë ofendojmë pse jo dhe t’ë vrasim e përsëri t’ë dalim e mburemi para kamerave se sa trima e të pa cipë jemi !
E pra kjo është drejtësia jonë e vetvrarë !
E pranoj shkrimin e Ben Andonit, tekstin dhe nentekstin e tij, revolten e pafuqise perballe amebes mafioze te trupes se togave te zeza qe nuk ke se ku ta godasesh sepse ameba e squllet i mbush boshlleqet, eshte indiferente ndaj goditjeve dhe vazhdon te zgjerohet, te vegjetoje dhe te gllaberoje ne te gjitha drejtimet qe i lejon graviteti te zderhallet e te shullohet.
E kuptoj vuajtjen e Ben Andonit, me mire te them, e kuptoj pervuajtjen e tij.
Nuk vjen nga padrejtesia qe pershkruan, vjen nga pafuqia per tju kundervene asaj.
Ne te gjithe e kuptojme vuajtjen e tij, sepse ne te vertete, jemi bashkevuajtes se bashku me te.
Dhe per fat te keq, edhe ne e vuajme kete zezome, nga pafuqia per te dale prej saj.
Gorki na ka treguar dikur nje perralle se si mund te dilet nga zezomat kenetore: Duhet nje Danko, qe te kete guximin dhe fuqine morale, te caje gjosin e tij, te nxjerre zemren e tij te zjarrte prej saj dhe me zemren e mbajtur lart si fener, te udheheqe njerzit jashte zezomes kenetore, drejt lirishteve te mbushura me diell.
Vecse Dankot nuk lindin per dite, madje nuk lindin fare per njerzit qe e kane pranuar ameben si pjese e si strehe te tyren.
Ashtu sikurse nuk lindin per dite edhe Avni Rustemet, madje duket se edhe Avni Rustemet nuk lindin fare per popujt qe e kane pranuar nenshtrimin, qe e kane bere ate pjese te mbijeteses se tyre.
Pra desha te them se me pelqeu shkrimi i Ben Andonit por, gjthesesi, nuk me plotesoi.
E ndersa e falenderoj Ben Andonit per sjelljen e Paraboles se Kafkes qe na jep nje ndjesi rrenqethese te amebes se drejtesise, kam rezervat e mija per sjelljen e citimit nga Winston Churchill.
Per ne shqiptaret, te ndrydhur midis grekeve e serbeve, por ndofta edhe per shume popuj te tjere ne bote, fjalet e thjeshta “liri, drejtesi” ne gojen e nje perfaqesusi te Perandorise Britanike ne te cilen nuk perendonte kurre dielli, tingellojne me shume si nje tallje dhe cinizem.