Mbushën Europën me kokainë, 7 shtete bëhen bashkë dhe shkatërrojnë rrjetin kriminal shqiptar: Arrestohen 45 persona

15 Shkurt 2022, 18:45Kronika TEMA

Një operacion ndërkombëtar ku u përfshinë autoritetet ligjzbatuese të 7 vendeve çoi në shkatërrimin e një prej rrjeteve më aktive shqip-folëse të kokainës në Europë.

Këtë të martë, Eurojust dhe Europol mbështetën një seri aksionesh të ndërmarra në Belgjikë dhe Spanjë, gjatë së cilave u kontrolluan më shumë se 80 vende dhe u arrestuan 45 persona.

Në mesin e tyre përfshihen persona të hetuar për disa çështje të rëndësishme, në juridiksione të ndryshme.

Të arrestuarit dyshohen se e importonin kokainën nga Amerika Latine nëpërmjet porteve të ndryshme europiane, organizonin dhe transportonin ngarkesat nëpërmjet avionëve, anijeve, makinave, e kamionëve dhe drejtonin tregun. Spanja dhe vende të tjera të Bashkimit Europian u përdorën për të pastruar të ardhurat nga tregtia e tyre.

Gjatë ditës së aksionit, mbi 600 mijë oficerë të agjencive ligjzbatuese në bashkëpunim të ngushtë me prokurorë dhe hetues ndërmorën aksione kundër anëtarëve të këtij rrjeti në Spanjë dhe Belgjikë. Një numër paralel veprimesh u ndërmorën po ashtu në Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë.

Eurojust ngriti një qendër koordinimi për të mundësuar një bashkëpunim të shpejtë mes autoriteteve të përfshira. Europol organizoi shkëmbim intensiv informacionesh dhe provash të nevojshme për të përgatitur fazën e fundit të hetimit. Dy ekspertë u vendosën në terren për të lehtësuar operacionet transnacionale të operacioneve policore, duke përdorur zyra të lëvizshme në vendngjarje.

Operacioni i sotëm i koordinuar në nivel ndërkombëtar nga Europol dhe Eurojust ishte kulminimi i shumë muajve planifikime mes agjencive të ligjit dhe autoriteteve juridike për aksionin.

Një skuadër e përbashkët u vendos mes Belgjikës dhe Spanjës muajin e shkuar, me asistencën aktive të Eurojust dhe Europol. Puna e hetuesve në Spanjë nisi në 2018-n, me arrestimin e një anëtari të nivelit të lartë të grupit të organizuar kriminal, i cili aktualisht është në pritje të të nisjes së gjyqit.

Në Belgjikë, hetuesit nisën punën pas sekuestrimit të një sasie droge në Shtator të 2020-s dhe të një sasie të madhe kimikatesh, të përdorura për të transformuar dhe prezervuar kokainën me qëllim tregtimin e saj. Sasi të mëdha kokaine u sekuestruan falë disa operacioneve përgjatë viteve të fundit nëpër gjithë Europën, të lidhura me të dyshuarit.

Ky rrjet kriminal i nivelit të lartë kishte ngritur një seri sipërmarrjes në vende të ndryshme për të pastruar paratë, përfshirë Spanjë e Kroaci. Anëtarët e tij udhëtonin rregullisht në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi, për të rregulluar bizneset e tyre të jashtëligjshme dhe përdornin komunikim të enkriptuar për të koordinuar aktivitetet e tyre.

Në hetim morën pjesë autoritetet e Belgjikës, Kroacisë, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Holandës dhe SHBA (FBI).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje