Instituti Kombëtar i Fizikës në Konferencën e Parë Shkencore

16 Shkurt 2022, 17:42Sociale TEMA

Instituti Kombëtar i Fizikës (IKF) i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është njësi bashkëpunimi dhe koordinimi shkencor në fushë e Fizikës dhe degëzimet e saj, me mision nxitjen e dijes e të vërtetës shkencore, mbrojtjen e shëndetit publik, trashëgimisë kulturore, mjedisore dhe materiale, nxitjen e teknologjisë dhe inovacionit, përmirësimin e programeve të studimit universitar, zhvillimin e Fizikës si shkencë themelore, në bashkëpunim me institutet, akademitë e tjera dhe institucione të mirëfillta shkencore.

Me synimin për promovimin e dijeve më bashkëkohore në fushën e Fizikës në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, lehtësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes fizikanëve shqiptarë kudo në botë, rritjen e aksesit dhe lidhjes mes fizikanëve shqiptarë dhe të huaj, mbështetjen e ekselencës shqiptare në kërkim e mësimdhënie, me fokus talentet e reja, IKF organizoi Konferencën e Parë të tij në fushën e Fizikës, me një pjesmarrje të gjerë të fizikanëve të vendit, Kosovës e Maqedonisë dhe mjaft prej tyre të cilët punojnë sot në institucione të rëndësishëm shkencorë në Europë dhe SHBA. Kolegë e bashkëpunëtorë të huaj, u angazhuan me kumtesa në këtë Konferencë, krahas studjuesve tanë.

Megjithë vështirësitë e kohës, fizikanët tanë pasqyruan rezultate inkurajuese të studimeve të tyre eksperimentale e teorike dhe zbatimeve në jetën e vendit, në kuadrin e kërkimeve shkencore pranë universiteteve dhe instituteve që kanë ruajtur fizionominë e tyre dhe kanë shtuar bashkëpunimet në sferën ndërkombëtare. Punime me vlera u paraqitën nga drejtuesit e institutit dhe pjestarët e tij, lidhur me koncepte moderne mbi hapësirën, kohën, lëvizjen dhe materien, si pjesë e rëndësishme e formimit në nivel të lartë shkencor të fizikanëve dhe profesoratit universitar si dhe lidhur me elementë themelorë të studimeve të sjelljeve të strukturave të hapësirës, duke demostrar teknikat e sotme të sofistikuara sudimore dhe dëshmuar për nivele të larta të kualifikimit shkencor e punime të nivelit ndërkombëtar të të ndjerit Prof. Boriçit në fushën e grimcave elementare dhe kombinimeve e vetive të tyre, asocijuar ekipeve kërkimore më të avancuara europiane; punime të rëndësishme me vlera aplikative u paraqitën nga fizikanët tanë në fusha me interes si ato të lidhura me rrezatimet bërthamore, aplikimin e tyre në teknikë dhe, sidomos në monitorimin e rrezatimit mjedisor në kuadrin e rrjetit kombëtar të këtij monitorimi, identifikimet e burimeve kruyesore të ndotjes grimcore dhe aerosole të atmosferës në vend, specifika e veçanti rajonale të shfrytëzimit me rendiment ë energjisë diellore; interesante u paraqitën punimet e fizikanë tanë të fushës së Biofizikës dhe Fizikës Mjekësore, nisur nga të dhëna e specifika në trajtimin me rrezatime të sëmundjeve të ndryshme të vështira, deri në paraqitjen e elementëve të inteligjencës artificial shoqëruar me algoritme të simulimeve imazherike, veti të biomolekulave në projektimin dhe realizimin e biosensorëve etj.

Komunikimet e kolegëve të huaj, profesorë dhe drejtues kërkimesh në këto fusha, ardhur nga Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Svicra, Greqia, gjetën një mjedis intelektual, të përgatitur dhe me shumë ambicje në kërkimin shkencor, duke diskutuar me pjesmarrësit për problemet e trajtuara dhe interpretimet e zbatimet e tyre.

Me këtë veprimtari, Instituti u shfaq si një organizëm serioz i Akademisë së Shkencave për thellimin e kërkimeve në fushën e Fizikës, intensifikimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe aplikimin e kërkimeve në këtë fushë në mjedisin shqiptar dhe, me perspektivë, për nxitjen e inovacioneve dhe ngritjen e nivelit të Arsimit të Lartë në vend.

IKF është një zë aktiv dhe autoritar në mjedisin kombëtar të Fizikës dhe synon të shërbejë si qendër e komunitetit të shqiptarëve të diplomuar në fizikë, duke ndjekur me vëmendje synimin e Akademisë së Shkencave për përparime të dukëshme në kërkim, edukim dhe inovacione në interes të vendit dhe zhvillimit të qendrueshëm të tij.

Prof. Marenglen SPIRO

Komisioni i Biologji dhe Shkenca Bujqësore

Akademia e Shkencave

 

2 komente në “Instituti Kombëtar i Fizikës në Konferencën e Parë Shkencore”

  1. kasemi says:

    Akademia e shkencave le te punoje per ato fusha qe vertete i duhen ketij vendi dhe mund te behet dicka, si albanologjia, po sa per fiziken berthamore, astronomine e ku di une le tju a lere te tjereve qe i kane mundesite per ti realizuar. Nuk e kuptoj se cfrae mund te jete ku instituti kombetar i fizikes dhe per cfare do ti sherbeje ketij vendi. Me sa duket akademia kerkon te shpenzoje ca para, si gjithmone pa bere asgje.

    1. faro says:

      100 % Me Kasemin!
      Keqpërdorim I taksave të një populli me shumë NEVOJA të tjera.
      Të ngrihej Institut për Edukimin Bashkëkohor të brezit të ri, e kuptoj, sepse na mungojnë me të vërtetë sh tipare që i shërbejnë bashkëjetesës dobiprurëse të qytetarëve.
      Edhe sjelljet e deputetëve në parlament, shfaqin primitivitet. Mjafton t’iu kujtoj se opozita e sotme përdor termin ARMIK, në vend të termit KUNDËRSHTAR politik. Pa menduar se ku të çon ky term ushtarak dhe jo bashkepunues

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje