Humbja triumfale e Ramës dhe dy B-të humbëse të PD-së

11 Mars 2022, 12:15Politika TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Zgjedhjet e 6 marsit patën një tris humbjeje. Më saktë, në zgjedhje humbën të gjithë protagonistët që morrën pjesë, me përjashtim të vetë votuesit shqipar.

Humbësi i parë monumental është zoti Basha. Ai nuk di të bëjë gjë tjetër dhe humbja nuk i ngjet humbjes vetëm në përmasë sepse edhe justifikimet për to i ka njëlloj. Basha u vërtetua se është minorancë tronditëse jo vetëm në shoqërinë shqiptare, por edhe në partinë e tij që pretendonte pak muaj më parë se e kontrollonte deri në skajin e 97 për qindshit. Për gjithë kënd tjetër, ky do të ishte një epilog i mjaftueshëm për të mbyllur çdo hesap me zyrën, kurse Basha pretendoi që në të gdhirë të 7 marsit se “…nuk ka humbur asnjëherë asnjë garë!”.

Nguti i Bashës për të takuar një grup mësuesish të nesërmen e zgjedhjeve, të cilët i siguroi se “…beteja vazhdon”, është së paku qesharak si çdo gjë që përsëritet përtej një caku logjik. Refuzimi për të dhënë dorëheqjen si një akt vetëmarrjeje përgjegjësie mbi veten, është mjerim politik, është provë se ose zoti Basha është tërësist i shkëputur nga realiteti, ose se një hall i madh e mban ende dhunshëm në zyrën e tij të blinduar.

Kur Basha refuzon të ikë edhe në një rast të tillë, në çfarë rasti, në çfarë rrethanash, për çfarë rrethanash apo për çfarë motivesh ai, si kryetar opozite, do të kërkonte dorëheqjen e qeverisë? Çfarë gjëme duhet të bëjë Rama që kur Basha të bërtasë në shesh: Rama Ik!, publiku ta ndjekë pas dhe t’i japë një të shtyrë ikjes së kryeministrit? Sa kohë që mbërthehet me thonj, si macja në xham për të mos shkarrë deri në fund, sa kohë që e zgjat agoninë e qëndresës si zullum vetjak, Basha me gjasë do të jetë i fundit në PD që do të kuptojë se ka prekur fundin.

Tashmë është e qartë për këdo se ai mund të ishte një djalë i mire, i lexuar dhe i buzëqeshur, por punës së drejtimit të një partie në opozitë, i ka rënë kot në qafë. Çfarë mund të mbajë ende me vete në këto rrethana, nuk është ndonjë suvenir nga zyra, por pak, fare pak dinjitet. Dhe me siguri, më shpejt sesa vonë, Basha do të vendosë vetë të iki. Eshtë vetëm çështje ditësh kur ai do të rrëshkasë nga xhamat e zyrës së tij.

I humbur i madh i këtyre zgjedhjeve është edhe ai që shpalli fitoren, Doktor Berisha. Shifrat e tij mbi Lulin dhe Shkodra që i dha Bardhit, janë shumë pak në përballjen e tij me Gazin e PD-së zyrare. Eshtë ushtrim i pamundur logjik për një politikan të sërës së tij që ta numërojë të dielën e shkuar si fitore. Sepse realisht ai ka humbur në mënyrë totale dhe i ka dhënë partisë së tij dhe gjithë demokratëve një humbje mizore. Ai ju tregoi, se falë edhe atij vetë, pushteti është një ëndërr të cilën ata nuk do ta shohin kurrë dhe se zgjimi mbas çdo palë zgjedhjesh, do të jetë makth. Nëse gëzohet se lagu të mbyturin, atëherë ky është shërbimi më i mirë që Doktori i bën kryeministrit. Edhe pse nuk do ta pranonte kurrë publikisht, së bashku me Bashën, Doktori krijon çiftin e dy B-ve të PD-së, që i vlejnë në zgjedhje Ramës me shumë se dy B-të e P-së, Balla e Braçe.

I humburi i tretë është dramatik. Ndryshe nga sa urdhërojnë shifrat e Celibashit të KQZ-së që e nxjerrrin fitues në pesë bashki nga gjashtë, në një garë që ai vetë e bëri si shëtitje, Rama është i humburi tjetër i madh duke triumfuar në këto zgjedhje. Krejt ndryshe nga sa i thonë servilët, ndryshe nga sa i shpjegojnë sondazhet, ndryshe nga sa i brohorasin mbështetësit, ai ka humbur mundësinë që edhe për një kohë të pacaktuar të ketë përballë një opozitë reale. Rama ka nevojë pikërisht për këtë gjë: një opozitë të fortë që të mundë të balancojë pushtetin e tij. Budallenjtë e shumtë që përdorin fjalën publike në Tiranë, ata që i japin zë fjalëve nga fundshpinat e tyre, janë të bindur se opozita e dobët i jep shans qeverisjes që të jetë më e fortë. Në fakt është krejtësisht e kundërta; opozita e dobët e bën qeverisjen më arrogante. Maxhoranca dhe opozita janë dy enë paralele, që i japin forcë dhe dobësi njëra-tjetrës. Herët e vonë, dobësia e Lulopozitës, do të jetë tipar i qeverisjes së tij që ai e mban në këmbë me karizmën vetjake dhe fatin që e ndjek pas si qen shtëpiak, edhe pse me gjasë, nuk i njeh dot emër për emër ministrat anonimë të kabinetit të tij. Edhe pavarësisht zhgënjimeve të tij të shumta me ta.

I vetmi fitues real në këto zgjedhje është publiku shqiptar. Shifrat e pjesmarrjes në një palë zgjedhje aspak frymëzuese janë të jashtëzakonshme. Duke pasur parasysh se pothuaj një në dy shqiptarë të regjistruar në listat e votimit nuk ndodhen fare në Shqipëri, 30 për qindshi i votuesve të së dielës, është realisht 60 për qind. Kjo është prova se vota në Shqipëri, ky mjet i mrekullueshëm i demokracisë është gjallë dhe besohet nga publiku. Edhe pse gjithmonë e më pak atë po e meritojnë ata që gjallojnë në politikë. Të cilët, në këto kohë dramatike e të errëta që po kalon vendi dhe gjithë bota, shkëlqejnë pafund me provincialitetin e tyre komik.

8 komente në “Humbja triumfale e Ramës dhe dy B-të humbëse të PD-së”

  1. Olti Hipopotam Curri says:

    Bla bla bla bla bla

  2. Haka Tekizoti says:

    Analizë që mëton të zbukurohet me sofizma. “Rama humbi se humbi opozitën…” Broçkulla të tilla i thonë të gjithë analistët. Nëse Rama e ndjen vërtet se ka nevojë për opozitë, atëherë kjo do të thotë se ai është i aftë mendërisht të kujdeset për të mos gabuar në qeverisje. Kjo e paraqet si një qeveritar që s’ka nevojë për opozitë.

  3. ferrrrr says:

    O Lenco ,850000 shuplakat socialiste tallin bolet me saliun, lulin ,floririn, analistet edhe ramen .liri demokraci.

  4. Jari says:

    Tani e kuptoi Vangjeli per gjysmen qe jane jashte, kur beheshin zgjedhjet ne kohen e sales per çudi votonin edhe 70% e votuesve dhe llogarite i benin me kete shifer, po te bente kete llogari qe ben tani dilte 140%pjesemarja ne zgjedhje, keshtu i vidhte sali berisha zgjedhjet duke votuar bandat sa te mbusheshin kutit.

  5. Aron says:

    Ky Vangjeli eshte nje cope trapi plot idiotlliqe. Shkruan vetem per te shkruar. Rama nuk beri fushate fare pothuajse, dhe e tha vete, qe nuk do bej fushate, sepse dhe vertete ishin vetem zgjedhje per kreun e bashkise qe ne pergjithesi dihej pak a shume kush do fitonte. Madje as ne Shkoder nuk e vuri aq shume vemendje, dhe perseri sipas sondazheve edhe pse nuk pati shume pjesmarrje, perseri PS pati ngritje ne te gjitha bashkite.

    1. Shpetim Qyqja. says:

      Fakti qe Rama nuk beri fushate, eshte me pak e komplikuar se thenia e tij qe nuk do bej fushat. Vete kjo thenie ishte fushate. Rames me shume se gjithcka ne keto zgjedhje do ti leverdiste shkaterrimi total i Saliut. Kjo thenie e Rames inkurajonte ata persona qe e kuptonin se per Ramen rendesi kishte me shume fuqizimi i Bashes dhe shkaterrimi perfundimtar i saliut, se sa fitorja “spektakolare” e PS. Pra indirekt ajo ishte thirrje qe socialistet tja jepnin voten Bashes, sepse per socialistet nuk kishte shume rendesi kush do fitonte…
      Zgjedhjet perfunduan ashtu sic deshi populli dhe eshte fatkeqesi qe Saliu, ky pinjoll i spiuneve dhe armiku i amerikaneve, te dilte me i forte se Basha. Nga na tjeter eshte fatkeqesi qe Shqiperia nuk ka opozite konstruktive. Eshte e vetmja opozite ne bote qe ne kete kohe lufte dhe mortore per njereziimin, del ne sheshe dhe destabilizon vatanin, duke I sherbyer Rusit. Mere me ment se sa thelle ka depertuar rusi dhe serbi ne Shqiperi dhe sa i frikesuar eshte Rama qe vertitet si pordha neper breke me politike demagogjike dhe jo me aksione konkrete per ta futur Saliun ne burg. Rama pret qe Basha te fuqizohet, te marre pushtetin dhe te fusi Saliun ne burg. Jo me kote Saliu e quan Ramen frikacak. Jo me kote ai luan me karten “te gjitha ose asgje” . Jo me kote ne keto kriza lufte ai rrezikon me lufte. Zgjohu Rama! Eshte koha per patriotizem dhe jo per politike…

  6. ida says:

    O Vangjel,i katerti , Iliri me Moniken, humbi gje?
    Po Nardi…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje