Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ka filluar me ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat e Kompleksit Memorial, Adem Jashari në Prekaz.
Në takim me Komitetin ndër-ministror, kreu i ekzekutivit ka theksuar se në fokus do të ketë master planin për kompleksin memorial.
“Pas vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave dhe hartimit të planeve përkatëse, kemi filluar me ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat në gjendje të keqe dhe kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve”, ka thënë Kurti.
Sipas njoftimit të Qeverisë, ndërhyrjet emergjente në ndërtesën nr.4, në shtëpinë e Salë dhe Hamit Jasharit, kanë filluar në fund të dhjetorit 2021 dhe kanë përfunduar në mes të muajit mars 2022.
“Ndërhyrjet me qëllim të konsolidimit të strukturave dhe mënjanimit të rrezikut të mëtejmë, do të vazhdojnë edhe në ndërtesat tjera, të cilët janë vlerësuar nga ekipet profesionale të institucioneve tona dhe të inxhinierëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë”.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet se në mbledhje u diskutua në hollësi për planin dinamik të punës, të zbërthyer në objektiva, aktivitetet në afat kohor.
Po ashtu, edhe për rezultatet e punës së Komisionit të Ekspertëve për periudhën janar – mars 2022.
Më 21 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi do të nisin investimet tek ky kompleks memorial.
Kurti u shpreh se puna që do të bëhet në këtë komunitet do të jetë me standarde kombëtare e ndërkombëtare.
“Raporti është ndërtuar nga inxhinieret dhe profesorët e fakultetit të ndërtimtarisë, ndërkaq kjo është hera e parë që është realizuar një vlerësim i tillë profesional”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit, shtoi se nga lista e gjerë e miratuar në këtë komunitet tani janë nëntë emra vendor e ndërkombëtare.
“Në momentin e themelimit, komisioni do të jetë krahu i djathë i komunitetit duke siguruar që puna dhe vendimmarrja jonë bëhet në përputhje me të gjitha standardet profesionale, ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Përgjatë 20 viteve të çlirimit, Kompleksi memorial “Adem Jashari”, ka qenë pasqyra kyçe e luftës së fundit në Kosovë.
Gjatë sulmeve serbe të datave 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ranë dëshmorë 55 anëtarë të lagjes “Jashari”, 20 prej tyre të familjes së komandantit Adem Jashari.
Por ky kompleks, që flet shumë për historinë, ka filluar të mos i rezistojë kohës.
Në secilin prej mureve të shtëpive vërehen plasaritje të theksuara si pasojë e vjetërsisë.