Pas njoftimeve se drejtori i Policisë së Tiranës dhe ai i gjithë Shqipërisë u shkarkuan, Muli thirri i lumtur Lelon për kafe për ta festuar.
— Që nga viti 2012 kur isha ministër është hera e parë që shkarkoj prapë një drejtor policie — i tha Lelos gjithë krenari.
— Ke të drejtë — i tha Lelo. — Ishte sukses i madh. Duhet ta mbajmë gjatë në media këtë lajm se është një arritje jote e vërtetë.
— Duhet t’ua shpjegojmë si u arrit deri këtu — tha Muli.
— Patjetër — tha Lelo. — Më jep ndonjë detaj.
— Në fillim mendova se mund ta demoralizoja policinë me dhunë. Këtë radhë kishim përgatitur në SHQUP shumë molotov dhe fishekzjarrë agresivë nga ata që gjuhen në distancë, bashkë me benzinën me vete dhe mendova të plagosim rëndë ndonjë polic e t’i demoralizojmë.
— Nuk ia arritëm dot. Mbroheshin shumë mirë dhe na gjuanin me gaz lotsjellës. Pas një beteje 2-orëshe nuk arritëm të bëjmë dot gjë.
— Po pastaj?
— Pastaj vendosëm të sulmojmë vilën e Enver Hoxhës. Për t’i motivuar sulmuesit u thamë se brenda është Enver Hoxha dhe njëri na dha një dorë se më tha për ata që do kalojnë gardhin ka stimul financiar.
Luftuam dhe aty, por nuk ia dolëm dot. Policia na shpërndau.
— Po si ia bëre që e demoralizove këtë Prodën?
— Përdora armën time të fundit: oratorinë. Thashë do t’u mbaj një fjalim policëve, t’u bëj thirrje të bashkohen me ne. Sapo fillova të flas e pashë efektin. Polici i parë la rreshtin dhe iku.
Një tjetër tha: molotovët i duruam, gurët i duruam, sulmet fizike i duruam, fjalimin s’e përballuam dot. Dhe iku.
— Epo kjo qenka arma jote më e fortë — i tha Lelo. — Ti duhet të flasësh më shumë se kështu i shpartallon.
Lini një Përgjigje