Pas shumë kritikave për Mulin si njeri i pagdhendur, ai vendosi të sfidojë kritikët duke punësuar një djalë që t'i shkruajë statuset në Facebook dhe rrjetet e tjera sociale.
Pasi e mbajti disa kohë afër që të kuptonte punën, i dha pavarësi të plotë të shkruante ç'të donte.
Një ditë Lelo e thirri i shqetësuar.
-Kush po t'i shkruan statuset në Facebook? - i tha.
-Kam punësuar një djalë nga Saranda, - i tha Muli.
-Po mirë, moj burrë, të paktën ta gjeje nga Mamurrasi, - i tha Lelo, - që të afronte pak dialektin, se po t'i shkruan labçe.
-Çfarë d.m.th. labçe? - i tha Muli.
-Ti shkruan në dialekt të jugut, - i tha Lelo. - Ti vërtet ke shtëpi në Sarandë, por s'do të thotë të flasësh si sarandiot. Dhe në vend që të kesh sukses, tani njerëzit po të tallin më shumë. Ishe mirë siç ishe. Se ne nuk kemi dhe kë të kopjojmë nga Saranda. Veçse nëse do të dukesh si Ina Zhupa. Po atë s'e arrin dot.
-Po puna është se unë nuk di çfarë të shkruaj, - tha Muli. - Bile unë edhe ato që shkruan ai nuk i kuptoj. Çuditem si i kuptojnë ata që komentojnë.
-As ata nuk kuptojnë gjë, - i tha Lelo, - por kuptojnë që s'i bën ti.
-Po si t'ia bëj tani?-pyeti Muli i dorëzuar.-Të punësoj një tjetër nga Tropoja që t'ia përkthejë këtij sarandiotit?
-Po nuk i bën dot ai, - i tha Lelo, - se duhet edhe të ulë nivelin, edhe t'i shkruajë kuksiançe. Janë dy ushtrime të vështira njëherësh. Më mirë shkruaji vetë, - i tha Lelo, - dhe ai të shikojë ndonjë gabim. Do të dalë një gjuhë që s'e merr vesh as ai i Tropojës e as ai i Sarandës. Do mendojnë njerëzit që ke filluar të shkruash me kdoe mos ta kuptojë Edi Rama.
Lini një Përgjigje