Muli në kërkim të një skenarii për mitingun e 17 prillit

6 Prill 2026, 19:17Antena TEMA

Deklarata e sotme e Doktorit e tronditi Mulin. Kur dëgjoi se Evropa dhe bota po presin protestën e 17 prillit, i hyri frika.
- Si është e mundur? - i tha Lelos. - Në Iran po bëhet nami, siç ka thënë edhe Tritani. Presidenti Trump ka lëshuar paralajmërimin e 110-të, që ata do ta paguajnë shtrenjtë po nuk hapën atë mut ngushtice. Ukraina po bën namin me dronë duke luftuar me Rusinë. Gaza u harrua fare dhe ky Bordi i Paqes u bë kot. Të gjithë tani presin protestën tonë. Si është e mundur?
- Nuk di ç’të them, - tha Lelo. - Derisa bota është çmendur me gjithë këto lufta, mos u çudit të presë edhe protestën tonë.
- E di, e di, - tha Muli, - po si t’ua shpjegojmë këtë demokratëve? Se mos na marrin edhe ne si të çmendur.
- Demokratëve u duhet thënë se bota s’e ka mendjen tek ne, dhe se Edi Rama ka aleat botën. T’i fusim një të rrëzuar më 17 prill, se luftanijet amerikane janë në Gjirin Persik, këto të NATO-s janë në detin Egje, nuk ka fortifikime ushtarake rrotull nesh. Është moment i mirë të marrim pushtetin. Pastaj i shkruajmë një letër Trump-it dhe ia zëvendësojmë Ramën me Doktorin te Bordi i Paqes, dhe ja ku mbarojnë të gjitha.
- Nuk është aq kollaj, - tha Muli.
- E di që nuk është kollaj, - tha Lelo, - por ti më the si të gënjejmë demokratët, jo si të bëjmë. Ata nga këto gjëra duan, se këto i mbajnë gjallë.
- A po, se harrova, - tha Muli. - Ngaqë më pëlqeu, doja edhe ta besoja. Po sikur të na kërkojë Doktori listën e mediave botërore që po presin protestën? Çfarë t'i themi? Se ky i beson ato që thotë vetë dhe pastaj na kërkon llogari ne.
Lelo ndezi një cigare me qetësi olimpike dhe pa nga dritarja.
- Thuaji që CNN-i ka dërguar ekipin në Rinas, por kanë ngelur në trafikun e rrethrrotullimit të Doganës. Thuaji që BBC-ja ka marrë shtëpi me qira te "Rruga e Shpresës" që të mos humbasë asnjë frymëmarrje të Doktorit.
- Po nëse nuk shfaqen në ekran? - pyeti Muli me sy të zgurdulluar. - Doktori e ka telekomandën në dorë gjithë ditën.
- O Muli, po ti s’merr vesh nga teknologjia fare! - qeshi Lelo. - Thuaji që Edi Rama ka blerë satelitët e Elon Musk-ut dhe ua ka bllokuar sinjalin vetëm mediave që duan të japin ne. Thuaji që bota po na ndjek në "Dark Web", aty ku nuk na kap dot censura e Surrelit.
Muli u ndriçua në fytyrë, por prapë kishte një merak.
- Po për ato luftanijet që the... po sikur të na thonë demokratët "pse nuk po vijnë të na ndihmojnë"?
- O budalla, - ia ktheu Lelo duke i rrahur shpatullat, - thuaju që ato janë "stealth", nuk duken me sy të lirë. Janë aty në gjirin e Vlorës, por rrinë nën ujë që të mos provokojnë serbët. Ne vetëm duhet të bërtasim fort më 17 prill, që t'u japim sinjalin akustik për të nxjerrë periskopin.
Muli nxori bllokun dhe filloi të shënonte me shpejtësi.
- "Sinjali akustik... periskopi... satelitët e Musk-ut". Je gjenial! Edhe unë që e di që po gënjejmë, po filloj të besoj se vërtet po na vjen flota.
- Kjo është arti i politikës sonë, Muli, - mbylli sytë Lelo. - Të besosh gënjeshtrën tënde aq fort, sa t'u duket të tjerëve si amanet.

Lini një Përgjigje