Pas zhurmës që u bë rreth operacioneve kozmetike të Salianjit gjatë burgut, Mulit i erdhën disa të dhëna konfidenciale nga spitali privat ku Salianji ishte shtruar dy herë.
Sipas këtyre të dhënave, Salianji nuk ka pasur një diagnozë, por dy të tilla, në të dy rastet e shtrimit.
Në një rast është përdorur diagnoza false për mbjellje flokësh, në tjetrin për një ndërhyrje estetike në njërën nga pjesët e fytyrës.
Sipas të dhënave të siguruara nga Muli, diagnoza e dytë quhet rino-septoplastikë (kombinim i estetikës dhe funksionit).
Në atë rast shënohej: “Rinoplastikë estetike – procedurë kirurgjikale për korrigjim forme.”
-Kjo duhet të jetë bërë në mars, tha Muli, sepse në fotot para muajit mars fytyra i dukej si më përpara, kurse pas atij muaji, sikur i kishte dhënë pak dorë.
Për të sqaruar këto dyshime, Muli i kërkoi Lelos të ngrihej një komision i brendshëm për të verifikuar akuzat, me qëllim që të ishin të përgatitur në rast se kjo çështje merrte përmasa publike.
— Më duket pak e rëndë ta thërrasim shokun tonë dhe t’i themi: Na thuaj, cilat pjesë të trupit ke operuar plastikisht, tha Lelo.
— S’ka problem, nuk e thërrasim fare, tha Muli.
Vendosim Albanën kryetare të komisionit, se ajo merr vesh nga ndërhyrjet plastike, dhe i verifikon vetë çfarë ka rregulluar.
Sa për flokët, aty s’ka nevojë për ekspertë, kemi fotot: si ka qenë, si është.
— Po sikur të thotë që më kanë mbirë vetë, çfarë do themi ne, pyeti Lelo?
— Kjo është e papranueshme politikisht, tha Muli.
Si mund të themi ne që burgjet e Ulsi Manjës janë aq të mira sa të mbijnë edhe flokët vetë? Ky është kulmi!
Për kaq gjë mund edhe të përjashtohet nga partia.
Ka më leverdi të thotë “i mbolla se më ranë në burg”, sesa të thotë “më mbinë vetë”.
— Po edhe për pjesët e tjera të fytyrës, mund të thotë që s’kam bërë asgjë.
Si do ta provojmë ne? Do t’i masim hundën apo veshët në foto?
— Kjo duhet për të treguar sa i sinqertë është me partinë, tha Muli.
Se nëse gënjen edhe partinë, atëherë i bie të rikthehet në burg, se është liruar me kusht: “të mos gënjejë më”.
Lini një Përgjigje