Muli është shqetësuar disi nga zërat që po vënë kandidaturën për Tiranën, por dhe nga ata që nuk duan ta vënë.
E thirri Lelon dhe i dha urdhër që askush të mos flasë për kandidaturën e Bashkisë së Tiranës.
– Po jemi në siklet, – tha Lelo, – se po nuk folëm duket sikur e kemi frikë Manastirliun, po folëm për kandidatë duket sikur do hymë në zgjedhje. Është hall i madh, se ne vetë nuk dimë çfarë do bëjmë.
– Ja po ta kishim dhënë një “Diellën”, mund ta pyesnim se mund të na jepte ndonjë ide. Këtë ChatGPT e pyeta dhe më tha se pjesëmarrja do të kushtëzohet nga: Garancitë për proces të rregullt dhe të drejtë; Mundësia për të ndërtuar një koalicion të opozitës jashtë ndikimit të Sali Berishës.
– Pra këshilla që na jep është që të gjejmë një kandidat jashtë Doktorit. Ky është skandal po e mësuan demokratët. Duket që Edi Rama, përmes Mira Muratit, ka blerë dhe ChatGPT-në dhe na jep këshilla të gabuara.
– Kjo është temë delikate, – tha Lelo. – Nuk duhet të biem në këtë kurth. Të shikojmë njëherë çfarë do bëjnë socialistët. Kur ta shkarkojnë Veliajn, atëherë flasim. Tani duhen ndaluar të flasin këta që flasin. Se deri tani, të vetmit që duan të kandidojnë janë këta që kanë borxhe dhe duan të kapin ndonjë lek nga fushata. Ne na duhet ndonjë që të na japë ndonjë lek, jo t’i japim, – tha Lelo.
– Dakord, – tha Muli. – Fillimisht duhet të biem dakord që të mos bëhet asnjë deklaratë për zgjedhjet në Tiranë, se do na hedhin në erë pastaj. Se nuk i dihet, jemi fat që nuk bëhen fare.
Lini një Përgjigje