Bekimi i Flamurit!

28 Nëntor 2025, 09:00Blog TEMA
Bekimi i Flamurit!

Nga Alba Malltezi

“O Zot, që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje Flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar, me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo. Se ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”.

Si atëherë në 1947, kur Imzot Fan Noli e ndjeu të thellë nevojën për të bekuar e për të dhënë meshë për Flamurin tonë, Fortlumturi Joani, qysh në Korcën e 1998-s, e ka kryer përvit këtë ritual,  me 28 nëntor 2025, e kryen për herë të parë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet.

Për disa mund të konsiderohen si rituale të mirëfillëta fetare, si liturgji që do të dëgjohen nga besimtarët e zakonshëm ortodoksë; si fjalë të thëna në një kontekst fetar, të krishterë, ortodoks. Pra të kufizuar, të izoluar. Dhe meqë kemi shkruar shpesh këto kohët e fundit për zhurmën dhe pamundësinë për të dëgjuar fjalët e mira kur lumi i sharjeve dhe sulmeve është më i rrëmbyeshëm e i fortë, mesha e 28 nëntorit për bekimin e Flamurit shqiptar dhe popullit tonë, do të na duket si puna e një blete të vetme, e cila, pavarësisht trafikut përreth, pavarësisht grindjeve e grindavecëve, mund të përqëndrohet në lulen e vetme në asfalt, për të mbledhur nektarin e nevojshëm për mjaltin që e grumbullon në koshere.

Por puna e të mirëve dhe të mbarëve mes zhurmës dhe rrëmujës, kërkon durim dhe përkushtim, rezistencë dhe përqëndrim, e megjithatë është e sigurtë, që është e vetmja punë që ecën përpara, që nuk pengohet, që nuk zhduket. Tamam si urata që krijoi me mendjen dhe kokën e tij i ndrituri Fan Noli dhe sot, e plotë, me një shqipe të mrekullueshme, do të shijohet nga veshët e kujt të mirën, të bukurën, të vlefshmen, dëshiron vërtetë ta dëgjojë dhe duke e dëgjuar, e bën të jetojë.

Ja e gjithë mesha, ashtu sic Imzot Noli e konceptoi:

Prifti: Lavdi Trinisë së shenjtë së bashkëqnënshme jetëbërëse dhe të pandarë, gjithnjë tani dhe përherrë dhe në jetë të jetëve.

Lexuesi: O Mbret qiellor, Ngushëllimtar, Shpirt i së vërtetës, që ndodhesh kudo dhe i mbush të gjitha, thesar i të mirave dhe dhurues jete; eja dhe qëndro ndër ne dhe pastrona nga çdo njollë dhe shpëto, o i Mirë, shpirtrat tanë. Amin.

Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona. (3 herë)

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. Trini e Tërëshenjtë, mëshirona; o Zot, falna mëkatet tona; o Zot i madh, ndjeji paudhësitë tona; o i Shenjtë, vështro dhe shëro sëmundjet tona, për emrin tënd. Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. Ati ynë që je në qiej; u shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote; u bëftë dëshira jote si në qiell ashtu edhe mbi dhé. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot; dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu. Prifti: Se jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia, e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

Prifti: Se jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia, e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

O Zot shpëtoje popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd, dhuroju shpresëtarëve fitore mbi barbarët dhe ruaje shtetin tënd me anën e kryqit tënd.

Psaltët: Lavdi Ty që na rrëfeve dritën, lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje.

Të himnojmë, të bekojmë, të falemi, të lavdërojmë, Ty të falënderojmë për lavdinë tënde të madhe.

Zot Mbret, Perëndi qiellor, Atë i tërëfuqishëm; Zot, Bir i vetëmlindur Jisu Krisht edhe Shpirt i Shenjtë.

Zot Perëndi, Qengj i Perëndisë, Bir i Atit që ngre mëkatin e botës, mëshirona, Ti që ngre mëkatet e botës.

Prano lutjen tonë, Ti që rri në të djathtë të Atit, edhe mëshirona.

Se Ti je Shenjt i vetëm, Ti je Zot i vetëm, Jisu Krishti, për lavdi të Perëndisë Atë. Amin.

Përditë do të të bekoj dhe do të lavdëroj emrin tënd përjetë e në jetë të jetës.

Bëna të denjë, o Zot, që të ruhemi këtë ditë pa ndonjë mëkat.

I bekuar je, o Zot, Perëndi i Etërve tanë, dhe emri yt është i himnuar dhe i lavdëruar në jetët. Amin.

Le të jetë, o Zot, përdëllimi yt mbi ne, sikurse kemi shpresuar te Ti.

I bekuar je, o Zot, mësomë porositë e tua. (3 herë)

O Zot, u bëre streha jonë brez pas brezi, unë thashë: O Zot, mëshiromë, shëro shpirtin tim, se fajtova te Ti.

O Zot, te Ti gjeta strehë; mësomë të bëj dëshirën tënde, se Ti je Perëndia im.

Se pranë Teje është burimi i jetës; me dritën tënde do të shohim dritë.

Zgjate përdëllimin tënd mbi ata që të njohin.

Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona. (3 herë)

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë. Tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. Shenjt i pavdekshëm, mëshirona. Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona.

Dhjaku: Le të themi të gjithë, me tërë shpirtin dhe me tërë mendjen tonë, le të themi. Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: O Zot i gjithëpushtetshëm, Perëndia i Etërve tanë, të lutemi, dëgjo dhe mëshiro.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Mëshirona, o Perëndi, sipas mëshirës sate të madhe, të lutemi, dëgjo dhe mëshiro.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi dhe për Kryepiskopin tonë (aksh) dhe për tërë vëllazërinë tonë më Krishtin.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi dhe për Republikën e Shqipërisë, qeverinë, ushtrinë dhe gjithë popullin

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi edhe për ndërtuesit e kësaj Kishë të Shenjtë, për vëllezërit dhe Etërit tanë dhe për të gjithë të krishterët besëmirë që prehen me shpresë këtu dhe kudo.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi dhe për mëshirë, jetë, paqe, shëndet, shpëtim, vështrim, ndjesë dhe falje të mëkateve të shërbëtorëve të Perëndisë (aksh).

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi edhe për ata që sjellin pemë dhe bëjnë punë të mira në këtë kishë të shenjtë dhe të gjithënderuar, që mundohen, që psalin, dhe për popullin që qëndron rrotull dhe pret prej Teje mëshirën e madhe dhe të pasur.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: (me zë të lartë) Dëgjona, o Perëndi, Shpëtimtari ynë, shpresa e gjithë anëve të dheut dhe e atyre që ndodhen larg në det; dhe i mëshirshëm, i mëshirshëm tregohu, o Zot, për mëkatet tona dhe mëshirona.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: (me zë të lartë) Se Ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe Ty ta drejtojmë lavdinë, Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

Dhjaku: Përsëri dhe përsëri duke rënë në gjunjë le t’i lutemi Zotit

Prifti: O Zot, që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje Flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo.

Se ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”.

Prifti: Popullit Shqiptar dhuroji, o Zot, jetë, paqe, shpëtím, përparím, dhe mundje kundër armiqve, dhe ruaje për shumë vjet.

Psaltët: Për shumë vjet (3 herë).

Prifti: Kryepiskopit tonë (aksh) dhuroji, o Zot, jetë, paqe dhe ditë të gjata, që ta shpallë Ungjillin e së vërtetës sate, dhe ta udhëheqë popullin në udhën e dritës dhe ruajë për shumë vjet.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: Të krishterëve besëmirë që ndodhen këtu dhe kudo, dhuroju, o Zot, jetë, paqe shëndet dhe ditë të gjata dhe ruaji për shumë vjet.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: Bekimi dhe mëshira e Zotit, ardhtë mbi ju, me hirin dhe njeridashjen e tij, gjithnjë tani e përherë e në jetë të jetëve.

Prifti: Lavdi më Ty, o Perëndia ynë, lavdi më Ty.

Lexuesi: Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Mëshiro, o Zot (3 herë). Beko, o atë i shenjtë.

Prifti: Krishti Perëndia ynë i vërtetë, me ndërmejtimet e shën Marisë dhe të gjithë shenjtorëve, na mëshiroftë dhe na shpëtoftë, si i mirë dhe njeridashës. Amin.

5 Komente

  1. F
    Farsa fetare

    BARSALETA ____________ (Papa dhe Kryepeshkopi po bisedonin për historinë e fesë.) Kryepeshkopi: Disa filozofë thonë se feja lindi kur mashtruesi i parë takoi budallain e parë. Papa i përgjigjet: Mund të jetë e vërtetë. Por që atëherë, mashtruesit dhe budallenjtë janë bërë aq të shumtë, sa Zoti u detyrua të na dërgojë për t’i ndarë! Kryepeshkopi: Dakord, po nëse i ndajmë, kush do na besojë më neve?

    Përgjigjjuni
    1. T
      Tamam bekim

      Çfarë thotë Bibla në lidhje me mizogjinizmin ndaj grave?________ Te 1TIMOTHY 2:10 Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim. 11 Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje. Te 1CORINTHIANS 14:34 Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji. 35 Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është e turpshme për gratë të flasin në kishë.

      Përgjigjjuni
      1. H
        Hajde bekim hajde

        Deuteronomy. Kapitulli 20, 13. Kur më vonë Zoti, Perëndia yt, do të ta japë në dorë, do të vrasësh me shpatë tërë meshkujt e tij; 14 por gratë, fëmijët, bagëtinë dhe të gjitha ato që ndodhen në qytetet, tërë prenë e tij, do t'i marrësh si plaçkën tënde; dhe do të hash plaçkën e armiqve të tu që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë. 15 Kështu do të veprosh në të gjitha qytetet që janë shumë larg nga ti dhe që nuk janë qytete të këtyre kombeve. 16 Por nga qytetet e këtyre popujve që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, nuk ke për të lënë asgjë që merr frymë; 17 por do të vendosësh shfarosjen e plotë të tyre, domethënë të Hitejve, të Amorejve, të Kananejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt, 18 me qëllim që ata të mos ju mësojnë të imitoni tërë ndyrësirat që bëjnë për perënditë e tyre, dhe ju të mos mëkatoni kundër Zotit, Perëndisë tuaj.

        Përgjigjjuni
        1. K
          Kështu janë bekimet?

          Të Bibla, Dhiata e re, te Matthew, kapitulli 10: 34, thuhet: ''Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. 35 Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra, 36 dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet. 37 Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua. 38 Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua. 39 Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri.

          Përgjigjjuni
          1. N
            Niko

            futjani pordhes !

            Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje