Ndodh që një libër të mbërthen përmes asaj që ti më pak e pret. Jo përmes argumentave të rëndësishme dhe as përmes personazheve qëndrore të tij, por përmes atyre çasteve të vogla, që duket sikur kanë përfunduar krejt rastëisht brenda tij. Pikërisht kjo është ajo çfarë më ndodhi teksa lexoja “Të Poshtëruar.”
Megjithatë, duhet të qartësoj qysh në fillim (dhe ndoshta duhet ta kisha bërë që në shkrimin e parë, i ndërgjegjshëm se të paktë janë sot ata që e lexojnë gjënë për atë që është dhe jo atë që kanë vetë në mendje), se shkrimi i mëhershëm nuk ishte një përpjekje për të bërë një review të librit. Aq më pak ishte synimi im të matja saktësinë historike të tij. Në fakt, libri është shumë më ekspansiv se sa shtegu i ngushtë që zgjodha me vetëdije të përshkoja në shkrimin tim. Duke bërë pikërisht të kundërtën e asaj që një kritik serioz letrar do të bënte, zgjodha të injoroj qendrën e romanit, për t’u përqendruar tek një nga hijet në cep të tij. Për mua, kjo hije ishte Gustavi.
“Të Poshtëruar” nuk është një roman për Gustavin dhe as atë çka ai përfaqëson. Libri nuk kapet aspak te psikologjizimi i klasës punëtore dhe as nuk tenton të shtyjë para argumente të tipit ‘X kategori sociale është më e aftë se të tjerat që të manaxhojë pushtetin politik.’ Përkundrazi, romani është shumë më i gjerë se kaq, më kompleks dhe më i nuancuar.
Megjithatë, disa prej atyre që e lexuan shkrimin dhe reaguan ndaj tij, lanë të kuptohej se artikulli ofronte një analizë (të cunguar) historike, apo se po përsëritja në mënyrë jokritike qëndrimin e Gustavit në Roman. Por, arsyet pse zgjodha të përqendrohem te ky personazh dhe fragmenti specifik (duke e nxjerrë deri diku qëllimisht nga konteksti), nuk kanë të bëjnë me historinë, por me shqetësimin që dikush përjeton kur një tekst prek papritur kontradiktat e tua të brendshme. Kontradikta, të cilat janë të miat dhe jo të autores.
Gustavi mbetet në thelb një personazh minor në roman. Një lloj ashkle që me cinizmin e vet të hyn në tru dhe, me gjithë bezdinë e dhimbjen që mund të shkaktojë, je i detyruar t’i japësh vëmendje. Për më tepër, letërsia e ka zakon të përdorë personazhe të tillë për të ekspozuar atë ankth, që përkorësia e rrëfimit përpiqet zakonisht ta mbajë jashtë skenës.
Interesi im ndaj tij është krejt personal dhe aspak analitik. Thuajse gjithmonë i kam lexuar librat – aq më tepër ata që shërbejnë së pari si mjete për të përçuar ide se sa si sipërmarrje pastërtisht estetike – duke i bërë vetes një pyetje që nuk ia ka edhe aq ngenë etiketës letrare: Çfarë më thotë ky libër mua sot? Dhe, kur një skenë apo një pasazh më shqetëson, dua patjetër të kuptoj përse ndodh kjo. Nëse një personazh më irriton, dua të di se ç’nerv ka prekur tek unë. Është një lloj leximi me një këmbë në tekst dhe tjetrën tek e tashmja, duke kërkuar gjithnjë atë hapësirën ku letërsia rrjedh jashtë faqeve të librit, tek vetë jeta.
Ndaj edhe zëri i Gustavit më shqetësoi sepse pikasa, në një mënyrë thuajse perverse, terrenin emocional që ai përpiqet të manipulojë. Vetë kam qenë pjesë e më shumë se një nga kategoritë që ai përçmon aq hidhur: kam qenë punëtori që bën punën fizike më të pakualifikuar, i huaji me theksin e rëndë që nuk mund t’i përkasë kurrë plotësisht qendrës, i papuni, i pasigurti, njeriu që gjendet thuajse përherë jashtë vendit shoqëri (ashtu sikurse në momente të tjera kam zënë në mënyrë komode kategorinë e të majtit që e rrethon veten me libra dhe teori)… I majti që romantizon punën dhe punëtorin, por që ndihet krejt i huaj në momentin e parë që përballet realisht me proletariatin. E kam përjetuar përçmimin që vjen nga lart-poshtë, ashtu sikundër kam ndierë brenda meje mllefin që bënte rrugën e kundërt, si përgjigje ndaj atij përçmimi. Ndryshe nga Gustavi, nuk mendoj se mllefi është tregues prapambetjeje. Përkundrazi, mendoj se ai është shpesh një reagim racional ndaj poshtërimit.
Ndoshta qëndrova kaq gjatë tek ai pasazh sepse sot Shqipëria, në gjendjen e saj emocionale, i ngjan diçkaje që e kam të vështirë ta emërtoj pa përjetuar vetë një lloj frike. E shoh sërish mllefin tek shtohet, jo si fara e rebelimit të nesërm qytetar, por si një presion të cilit i mungon fjalori politik, institucionet që mund ta kanalizojnë dhe besimi që ndoshta do mund ta përmbante. Është një mllef që rrezikon të shpërthejë në mënyrën më të pakëndshme të mundshme: krim, nihilizëm dhe një lloj revolte kaotike që në vend të lirisë, rrezikon të sjellë vetëm shkatërrim.
Pikërisht kjo është kontradikta që përjetoj edhe si i majtë. Besoj dhe e admiroj vetëorganizimin, organizimin horizontal të jetës dhe inteligjencën e komuniteteve, por nga ana tjetër shqetësohem kur mendoj se ç’ndodh kur njerëzit ndihen të braktisur për një kohë të gjatë, kur analfabetizmi ulet këmbëkryq mes nesh dhe kur pabarazia gllabëron imagjinatën e nevojshme që do të çonte tek veprimi kolektiv. E dua “bukën” e vetëorganizimit, por nuk mund të bëj sikur s’e shoh cilësinë e miellit me të cilin do të mbruhet ajo nesër.
Nuk ishte synimi im të mbështesja përçmimin e Gustavit, por të përballesha me shqetësimin që zgjoi brenda meje dhe që i përket së tashmes po aq sa edhe të shkuarës. Vendosa të shkruaja për të sepse hodhi dritë mbi një tension që vetë nuk kam mundur ta zgjidh akoma: tensionin që ekziston mes besimit tek solidariteti dhe frikës se shoqëria në të cilën jetojmë po humbet themelet që e bëjnë solidaritetin të mundur. Një fragment nuk mund të shpjegojë një roman të tërë. Ia doli të shpjegonte diçka për mua dhe ndoshta edhe në lidhje me kohën në të cilën jetojmë.
nuk je i detyruar t'u japesh shpjegime mendjeve te ngushta; ka disa gjera qe po nuk i kuptove vete, askush tjeter nuk t'i shpjegon dot kurre. Flm per shkrimin , per persiatjet.
Runa, nga Runajt e Nivicës?
E lexova me endje edhe shkrimin e pare edhe kete te dytin. Plot ide dhe refleksione interesante, te shkruara qarte. Urime Bjorn, ke nje pene te çmuar!
Shkrimi i mësipërm ne thelb nje cv e autorit e mbetur në tentativa letrare. E veshtire te anallizosh se ç fare ka dashur te shprehe autori. Publicistika dhe letersia jane motra, nuk jane te njejta. Hallakatje.
Në fakt jam duke e lexuar romanin në fjalë. Vërtet interesant për problemet që ngre nëpërmjet ngjarjeve dhe personazheve . Gustavi, që është veçuar nga artikullshkruesi kam përshtypjen se është një koncept filozofiko-poëitik më shumë se një personazh real - historik. Lea , nëpërmjet personazheve të romanin nuk resht së shtruari pyetje ekzistenciale të argumentuara nga këndvështrime të ndryshme si psh. rasti Gustavi