Nga Neritan Sejamini*
Fushata e Gjergj Bojaxhiut për Bashkinë Tiranë (2015) mbetet një nga fushatat më të veçanta në tre dekadat e fundit. Ajo nisi vetëm me një ide, pa përgatitje dhe burime paraprake; e nisur nga 4-5 persona, bëri bashkë mbi 200 profesionistë, pa njohje me njëri-tjetrin; u zhvillua e gjitha në rrjetet sociale dhe takime në rrugë; u financua me pak para të ngritura krejtësisht nga dhurime të vogla të qytetarëve, të cilat u bënë transparente publikisht. Rezultati mbetet ende më i miri nga një kandidat jashtë dy partive të mëdha: mbi 16 mijë vota—rreth 5,4% të votave të qytetarëve të Tiranës.
Çfarë nuk dihet në publik janë zhvillimet pas zgjedhjeve. Pasi pjesëmarrësit në fushatë vendosën të krijonin një parti, dolën në pah dy qasje të ndryshme. Një pjesë donte një parti tipike nën udhëheqjen e Gjergj Bojaxhiut; pjesa tjetër donte një organizim politik të ri dhe modern: organizim me forume online dhe klube sociale në vend të degëve, seksioneve dhe hierarkisë së drejtuesve; menaxhim elektronik të komunikimit me anëtarët; vendim-marrje të gjithë anëtarëve për çështjet kryesore; dhe një drejtues partie pa pushtet në vendimet e rëndësishme, me mandat 2 vjeçar, pa përtëritje. Pas debatesh e përplasjesh nervoze, fitoi alternativa e parë e mbështetur në arsyetimin: Bojaxhiu u konfirmua nga vota popullore dhe një parti që lind nga kjo votë duhet të udhëhiqet prej tij.
Grupi që nuk dëshironte një parti me udhëheqës të fortë u tërhoq; grupi tjerët krijoi partinë Sfida për Shqipërinë. Dy vjet më pas, në zgjedhjet parlamentare 2017, ajo mori vetëm 3500 vota në të gjithë Shqipërinë, rreth një të pestën e votave që mori në Tiranë më 2015. Pas këtyre zgjedhjeve partia pushoi së ekzistuari. Me të ishte humbur një mundësi për të sjellë një qasje të re të të bërit politikë në Shqipëri.
Historia e Sfidës për Shqipërinë është historia e zakonshme e partive të reja në 2-3 dekadat e fundit. Me ndonjë përjashtim, ato kanë qenë të gjitha parti të krijuara nga një person (në pak raste 2-3 persona) si mjet për të çuar përpara aspiratat e veta politike. Për këtë arsye, organizimi dhe funksionimi i tyre ka përngjarë më shumë me një projekt personal se sa me një parti politike.
Por kjo prirje nuk ka qënë thjesht shqiptare: pas rënies së komunizmit, kryesisht në Evropë u shfaq një lloj i ri partie, e cila në literaturën politike u njoh me emrin “parti personale” apo “parti personalistike”. Forza Italia e Silvio Berluskonit konsiderohet e para parti personale e tillë në Evropë.
Siç i përshkruan një nga studiuesit kryesorë të tyre, këto parti janë “rasti më ekstrem i personalizimit partiak, i cili mishërohet në kontrollin e plotë nga një udhëheqës individual i partisë që ai vetë ka krijuar”.
Në të vërtetë të gjitha partitë shqiptare janë në thelb parti autokratike—udhëheqësi i çdo njërës vendos drejtimin dhe vizionin e partisë; emëron kandidatët për zgjedhje; shpërndan burimet; dhe ushtron autoritet të plotë mbi të gjithë politikanët e tjerë në partinë e tij. Por partitë personaliste kanë një dallim të rëndësishëm: mbijetesa e tyre është e varur nga burimet personale të themeluesit udhëheqës—aftësitë e tij për të krijuar lidhje, aftësia për të siguruar fonde dhe karizma personale për të tërhequr ndjekës. Për shkak të kësaj varësie, jetëgjatësia e këtyre partive është e lidhur ngushtësisht me udhëheqësin: në momentin që ai tërhiqet, partia pushon së ekzistuari.
Kjo natyra personaliste dhe mungesa e një vizioni serioz përtej ambicjes dhe karizmës personale të themeluesve udhëheqës i ka penguar partitë e reja shqiptare të tërheqin votuesit edhe pse numri i të pakënaqurve me partitë e mëdha është rritur vazhdimisht.
Me përjashtim të Frymës së Re Demokratike, e cila mori mbi 29 mijë vota (rreth 1,7% të totalit) më 2013 dhe të LIBRA-s që mori gati 20 mijë vota (rreth 1,3% të totalit) më 2017, asnjë parti tjetër nuk e ka kaluar deri tani pragun 1% të votës popullore. Aleanca Kuq e Zi më 2013 dhe Nisma Thurje më 2021 kanë rezultatet e tjera më të mira—të dyja morën rreth 10 mijë vota, respektivisht rreth 0,6% dhe 0,7% të totalit të vendit.
Thuajse të gjitha partitë e reja, nga G99 më 2009 tek Lëvizja për Ndryshim më 2021, praktikisht pushuan se ekzistuari pasi udhëheqësit themelues hoqën dorë prej tyre pas dështimit në zgjedhje. Si përjashtim, domethënës, Partitë e vogla tradicionale si PR, PAA, LZHK, PDNJ qëndrojnë ende në këmbë për arsye të koalicioneve me një nga partitë e mëdha që u ka mundësuar zgjedhjen deputet udhëheqësit të tyre.
Me këtë sfond pesimist historik, në zgjedhjet e 11 majit do të kandidojnë një sërë partish syresh të reja: Lëvizja Bashkë, Shqipëria Bëhet, Mundësia, Djathtas 1912, Demokratët Euroatlantikë e disa të tjera.
Deri më tani, të gjitha po ripërsërisin, kush më shumë e më pak, tiparet organizative dhe të njejtën qasje të partive personaliste si ato më sipër. Ato sundohen plotësisht nga themeluesit udhëheqës dhe ofrojnë të vetmen “zgjidhje” që kanë ofruar ato para tyre: ‘ne jemi më të mirë se politikanët e vjetër, prandaj na votoni ne të ndryshojmë Shqipërinë’.
Nuk ka dyshim se, nëse drejtuesit e këtyre partive do ishin deputetë, kjo do pasuronte debatin parlamentar dhe llogaridhënien në Kuvend. Por përtej mundësisë për pasurimin e pluralizmit parlamentar, partitë e reja nuk kanë sjellë standard të ri të demokracisë partiake dhe as qasje të re të të bërit politikë.
Diskursi i tyre publik është variacion i ri i qasjes ankuese: denonco, demasko, sulmo—pa frymëzuar dhe pa ëndërruar. Diskutimi i tyre publik është i zhveshur nga reflektimi dhe nga shpjegimi në themel i problemeve që ka vendi. Askush prej tyre nuk i jep përgjigjie pyetjes themelore: Pse ne jemi këtu? Si kemi arritur në këtë gjendje si shoqëri? Për rrjedhojë, atyre ju mungon një vizion i shëndoshë dhe realist për të dalë nga gjendja ku jemi.
Përballë një shoqërie të zhgënjyer, e cila ka humbur besimin tek politika, partive të reja u mungon përunjësia, u mungon vetëdija kthjelluese se problemet e vendit janë të thella e të vështira e ato nuk mund të zgjidhen me një të rënë të lapsit nga udhëheqës të mëdhenj. Për këtë duhet zgjimi dhe përpjekje e mbarë shoqërisë për të ndryshuar. Roli i udhëheqësve politikë është të nxisin këtë zgjim dhe të frymëzojnë këtë përpjekje për të ndryshuar.
Askush nuk pret që partitë e reja të fitojnë zgjedhjet apo të rrëzojnë qeverinë. Por shumëkush pret që ato të sjellin një kthesë në politikën shqiptare: të vendosin një standard modern dhe perëndimor të funksionimit partiak dhe të bërjes politikë në Shqipëri. Këtë standard nuk e sjellin dot as PD dhe as PS; atë mund ta sjellin vetëm ato. Nëse nuk e bëjnë këtë kthesë, e cila varet vetëm prej tyre, ato nuk mund të zgjidhin problemet e Shqipërisë të cilat janë përtej tyre.
Prandaj, edhe pse janë parti të reja, ato duhet të ndryshojnë! Vetëm duke sjellë një mënyrë të re të të bërit politikë ato mund të thyejnë më 11 maj “mallkimin” historik të dështimit të partive të reja.
*Titutlli origjinal: Partitë e reja duhet të ndryshojnë!
Me pelqeu trajtimi jot sejamini. Napoleon Bonoparti thoshte: "Burri i shtetit duhet ta kete zemren ne koke!!!". Jam mrekulluar kur e kam gjetur kete thenie. Une kete e kuptoj keshtu. Qe udheheqesit duhet ti flase zemra dhe jo buzet, siç ndodh rendom tek ne e, qe jemi ngopur 35 vjet me kete forme, qe kundershtarin politik e quajme armik. Jo broçkullitje, pra duke u hapur e mbyllur buzet ftohtesish e mekanikisht, e pa thene asgje, vetem çfryjne inatin pa lindur akoma. Dhe e dyta zemren duhet ta kene ne koke dhe jo ne xhep si keto 35 vjet... Te jesh udheheqes i pare i nje shteti, duhet te kesh disa karakteristika, qe nuk i ka kushdo. Te jesh krijues, te kesh mendim te perparuar. Te mos shohesh mbrapa, por para. Te kesh zemer per njerezit e thjesht. Te jesh i vendosur. I thjesht. Modest. Mirnjohes. I ditur. Largpames. Operativ. E sa e sa te tjera...
As qe mundohem te lexoj kete fund kazani plehrash te Saleh murtajes. Ky sejmeni eshte nje plehre e blere nga propaganda Salihiste te beje telefonin e prishur në emisionet e darkes, para për re cilat Ky edepsēz La gruan vetem në USA. Shtaze si Pune e tij kane mar fund e dekompozuar tashme.
O Sejamin! Liberalizmi në politikë i kthen partitë në OJF, edhe kur ato janë të vjetra e të kanë "broçkullotur" kokën ty për 35 vjet. OJF-të janë sajesa të krijuara për të trajtuar probleme të caktuara, sikurse shoqatat e gjuetarëve, shoqata e mbrojtjes së kafshëve etj. Partitë janë organizata udhëheqëse të një klase të caktuar të shoqërisë që përfaqëson dhe shpreh mentalitetin dhe botkuptimin e tyre. Këto të rejat, "partitë personale", siç i cilësoni ju disa prej tyre, janë parti shtresash shoqërore, interesash të ngushta të grupeve të vogla, që mund të gjejnë përmbushje brenda grupimeve më të mëdha "partive të mëdha". Edhe në grupimet e mëdha ka kompromise mes shtreash, madje edhe mes klasave të ndryshme joantagoniste. Dhe pikërisht, partitë personale, si ajo e Berluskonit lindi pas shpërbërjes së partine të mëdha dhe lindjes së këtyre "Siojf"-ve që them: u shpërbënë Kristian Demokratët dhe Socialistët, si dhe humbjes së fuqisë ideologjike dhe degradimit, deri në humbje të idenfitetit të Partisë Komuniste. U krijuan këto parti personale populiste, me tifizerira, jo me përfaqësime të intresave klasore, që kanë dallime thelbësore me populizmat e çastit, me mentalitet të pompuar nga masmedia se: ky që ka klub sportiv, TV, etj, ky do të ndryshojë botën, se blen gjithçka. Edhe sikur të doje të ndërtoje një "parti të shtresave të mesme", apo të "intelektualëve", nuk do të qe e mundur, pasi qëndrimet e përfaqëduesve të kësaj shtrese janë të ndryshme ndaj pronës, familjes, etj, deri në botkuptimin e jetës; pastaj, politika ka tjetër stof, atë e bën në formën e tij, qoftë dhe primitive e të jashtë ndërgjegjëshme, dialektikisht edhe dikushi i "thjeshtë", po e quajmë. Ndaj këto parti të reja, apo të shkëputura nga të mëdhatë, janë të vogla dhe me elektorat të kufizuar. Elektronika ka bërë punën e saj dhe shkurton kohën për komunikim, por përfaqësimi dhe zgjidhja e problemeve mbetet i njëjtë; madje komunikimi ballë për ballë me të përfaqësuarit mbetet thelbësore derisa njeriu "ende" mbetet qënje shoqërore. Inteligjenca artificiale që tash po hyn dhe në politikë, është sidoqoftë, artificiale, një sajesë dhe modelohet nga njeriu si e tillë: si t'a ushqesh, të përgjigjet. Prandaj, këto sukseset me tik-toke etj, nuk mund të jenë të suksesëshme afatgjata. Kurse sa i përket asaj që thua në drejtimin vetjak edhe të partive të mëdha, ajo ka ndodhur dhe do të ndodhë gjithmonë. Ka rreglla shpia me qeglla, thotë një fjalë e urtë, o Sejamin. Të gjitha institucionet, përfshi edhe familjet, e kanë një të parë, që e ngarkojnë të drejtojë, aq më shumë ato të mëdhatë, që kanë edhe shumë probleme. Realiteti ka treguar se fraksionizmi gjithnjë ka çuar në përçarje dhe mosmarrveshje. Sa parti të reja dolën nga PD-ja, që dhe sot po vazhdon të fraksionohet dhe secilën, por edhe atë vetë po e bën gjithnjë e më pak përfaqësuese. Edhe nga PS-ja po ashtu, por si më pak nga ky krah. Kështu, partitë zgjedhin, i varin çelsin në qafë, njërin me aftësitë që ka, siç e përmend ti, por kjo nuk do të thotë se medoemos që ky, është autokrat, përsa mbledh organet e ndërmjetme të përfaqësimit për konsultime e zgjidhje; madje, më autokratike janë këto "partitë personale", që s'kanë forume dhe që, siç e përmendni dhe ju, zveniten a shkrihen sapo i pari i tyre largohet nga politika. E në vazhdim të idesë, shtëpia ka një drejtues dhe nëse hyn grindja mes familjes, ajo ndahet në njesi më të vogla organizimi, por nuk do të kemi më një familje të madhe, por pjesëza të saj, ku njëri i bije gizhdës e tjetri patkoit. Vendit tonë, por e të gjitha vendeve që synojmë një zhvillim të shpejtë, i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe kjo dikton, deri në një farë mase, përqendrimin të qeverisjes, me ndarjen demokratike të tre pushteteve, pa ndërhyrë e politizuar ato në njëanësi (a mundet(?), kur nuk ka njerëz apolitikë), sado që nuk qëndron me parimet liberale që qarkullojnë dhe që mund të kenë sukses në një vend të qendrueshëm nga ana ekonomike. Aleancat sipas konceptit të sotëm e bëjnë qeverisjen të pa qëndrueshme dhe, sapo njëra palë nis një projekt, tjetra nis e saboton, ndërhyn në aleancë dhe kur vjen në pushtet, lë përgjysmë të tjetrit dhe fillon një tjetër të tijin; e kështu bëhet si pëlhura si e asaj të legjendës thur e çthur, a ke fuqi, ditë e natë. Kurse popullsia do të jetë e zhgënjyer gjithmon në kuptimin që e trajton ti, se është e pamundur të realizohen me frymën e shenjtë të gjitha dëshirat dhe aspiratat e popullit. Psh: një pjesë do barazi shoqërore dhe një pjesë do pabarazi shoqërore (të merituar a të pamerituar, kjo është temë tjetër). Prandaj, ajo që kërkon të thuash e që konkluzion nuk mund të jetë e vetmja, apo e duhura, e duhura nuk është shpërqendrimi në "OJF"-ra të mendimit politik, apo të bërit ndryshe të politikës, por drejt kompromiseve përbashkuese (jo aleancave formale apo fraksione, se ato do të përfundonin në të tilla si PR, LZHK, PBDNJ, ETJ), të mendimit të ashtuquajtur ndryshe ndaj grupimeve më të mëdha për tu bërë të pranueshëm, por edhe ndikues nesër, nëse përfaqësimi i madh do ta pranonte brenda botkuptimit të tij. Partinë nuk e përbëjnë individët, udhëheqësit ndikojnë në të, ndaj i kanë vënë në krye dhe nuk ka rëndësi në janë parti të vjetra apo të reja, dhe udhëhiqen nga udhëhiqen nga udhëheqës që qarkullojnë apo jo shpejt; në parti e rëndësishme është orjentimi i interesave të përfaqësimit, mos cenimi ndaj tyre, të tjerat janë retorikë liberale e përjetësimit të sistemit ekonomiko shoqëror. Një politikë fleksibile e paparimtë e shpërqendruar dhe e çoroditur, do të mbajë përjetësisht ashtu dhe të pa mirëorganizuar klasat përbërëse të shoqërisë. Sidoqoftë, partive në rradhë të parë u duhet një program i qartë ekonomik të përfshirjes në të të një problematike të gjerë shoqërore, por pa humbur boshtin botkuptimor të interesave, ndryshe kthehen në parti populiste të të shkuarit pas berihajit: një herë majtas e një herë djathtas, madje me hapa të përcaktuar mundësisht jo më shumë se 8 vjet. Formë kjo për të çfryrë pakënaqësitë antagoniste të miletit, që krijohen objektivisht në një shoqëri me klasa. Qendrimi ndaj pronës dhe formimi i saj, veç të tjerave, është baza e formimit të botkuptimit dhe politikave të vërteta të grupimeve politike, drejt një qeverisje ndryshe, të tjerat janë fasada të ndryshme, ku ndryshojnë vetëm emrat, por në thelb mënyra dhe programet e zhvillimit, për të mos thënë se janë të njëjta, ndryshojnë pak. Thirrjet e të bërit në një mënyrë të re politikë është është një tautologji e autorit, që vështirë të ndodhë në kushtet anarkike të mendimit politik botëror; të një shpikje gjeniale të sinkronizuar të pushtetit me parti të vogla që s'krijojnë dot maxhoranca të qëndrueshme dhe të gatshme për kriza. Kështu, përça e sundo, drejt përjetësimit të përvehtësimit individual të mbivlerës. Kështu mendoj se duhen kuptuar këto punë, o analisti Sejamini, me aq pak njohuri, fare modeste, që kam nga politika. Shkrojta pak gjatë, se nuk kisha kohë të mjaftueshme të shkruaja shkurt një mendim ndryshe nga sa thua ti, apo, për kë do të ketë durimin të lexojë këto rradhë por pa etiketime banale në mendje.