Dija përballë helmit

11 Maj 2026, 15:17Blog Nga Besnik Baraj

Vite më parë, një prej personaliteteve më të shquara të shkencës shqiptare , nga ata njerëz që një komb i nxjerr rrallë në një brez, punonte në Suedi pranë një profesori laureat me Çmimin Nobel. Në një moment, i shqetësuar nga një shkrim dashakeq (nga Shqipëria) ndaj tij, shkencëtari shqiptar e pyeti nobelistin: “A duhet t’i përgjigjem?” Përgjigjja ishte e thjeshtë dhe e thellë: “Jo. Nuk duhet të zbresësh në nivelin e tyre. Sfidoji me punën dhe me arritjet e tua.”

Këto fjalë më erdhën menjëherë në mendje sot, kur pashë një postim toksik në rrjetet sociale kundër një prej figurave më të spikatura të shkencës shqiptare dhe europiane, Prof. Arben Merkoçi. Nuk e njoh autorin e atij shkrimi dhe nuk kam pasur ndonjëherë komunikim me të. Por, duke qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i rrugëtimit akademik dhe shkencor të Arbenit, fillimisht si student, më pas si koleg në Katedrën e Kimisë Analitike në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe më vonë bashkarisht edhe në Universitetin Politeknik të Katalunjës në Barcelonë, e ndjej detyrim moral të them disa fjalë.

Sigurisht, nuk do t’i sugjeroja kurrë Arbenit t’u përgjigjej këtyre sulmeve. Figura të tilla nuk maten me zhurmën e rrjeteve sociale, por me peshën e kontributit të tyre në shkencë, në edukim dhe në shoqëri. Me atë se çfarë i kanë dhënë vendit të tyre, fakultetit, universitetit?

Fatkeqësisht, ekziston prej kohësh një mendim i hidhur, i shprehur që në fillim të shekullit të kaluar: se një pjesë e së keqes së shqiptarëve buron nga vetë shqiptarët. Jetojmë në një realitet ku modelet positive, në shkencë, arsim, drejtësi, administratë apo në jetën publike, rrallë marrin vëmendjen që meritojnë. Media, politika, madje shpesh edhe vetë shoqëria civile, promovojnë më shumë skandalin, banalitetin dhe negativitetin sesa integritetin dhe suksesin. Kjo klimë helmuese ndikon rëndë tek njerëzit e zakonshëm dhe sidomos tek të rinjtë, të cilëve u mungojnë shembujt frymëzues.

Prof. Arben Merkoçi është pikërisht një nga ata shembuj që duhet të nderohen. Ai ishte ndër studentët më të shkëlqyer që ka pasur universiteti ynë. Menjëherë pas diplomimit u emërua pedagog në universitet. Në vitin 1991 shkoi në Budapest, më pas në Itali, në Barcelonë, e më tej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku spikati në mënyrë të jashtëzakonshme. E respektoi elita e shkencë, aty ku ai punoi. Sot ai drejton një nga institutet më prestigjioze të nanoteknologjisë në Katalunjë dhe konsiderohet ndër shkencëtarët më të cituar në botë në fushën e tij.

Por madhështia e një shkencëtari nuk matet vetëm me citimet apo postet akademike. Arbeni nuk e shkëputi kurrë lidhjen me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarë në botë të angazhuar në shkencë. Përkundrazi, ai vazhdimisht nxit shqiptarët të përfshihen në aktivitete shkencore në Shqipëri. Ai ka qenë vazhdimisht i angazhuar për të krijuar ura bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare (Shqipëri dhe Kosovë) dhe qendrave më të avancuara kërkimore europiane. Në bashkëpunim me profesorë shqiptarë ka sjellë projekte me vlerë të konsiderueshme financiare dhe shkencore, duke përfshirë studentë e studiues të rinj shqiptarë në zhvillimin e nanosensorëve dhe teknologjive të avancuara. Ka mbështetur financiarisht aktivitete shkencore në Shqipëri përmes institutit që drejton, ka pritur doktorantë shqiptarë në Barcelonë, ka sjellë në Shqipëri elitën e nanoshkencës europiane dhe madje edhe laureatë të Çmimit Nobel. Prej vitesh është angazhuar për ngritjen e një qendre ekselence në nanoteknologji në Shqipëri, me synimin për të krijuar një hapësirë moderne kërkimi për të rinjtë shqiptarë.

Prandaj lind natyrshëm pyetja: pse ky helm? Çfarë i shqetëson ata që sulmojnë figura të tilla? Një honorar simbolik? Një bashkëpunim institucional? Çdo gjë që Prof. Merkoçi i ka dhënë Shqipërisë është shumëfish më e madhe sesa çdo përfitim personal që mund të ketë marrë prej saj.

Një shoqëri që sulmon njerëzit e dijes dhe të meritës, rrezikon të humbasë busullën morale. Sulmet ndaj figurave të tilla nuk dëmtojnë vetëm individin; ato godasin besimin e të rinjve se suksesi, përkushtimi dhe ndershmëria mund të vlerësohen në këtë vend. Kur zbehen modelet pozitive, hapësira mbushet nga cinizmi, mediokriteti dhe dëshpërimi.

Jam i bindur se Prof. Arben Merkoçi nuk do të merret me helmdhënësit. Njerëz të këtij niveli komunikojnë përmes veprës së tyre. Por ne të tjerët kemi detyrimin moral të mos heshtim kur padrejtësia synon të njollosë dijen, meritën dhe kontributin e vërtetë. Një shoqëri që nuk respekton njerëzit e saj më të mirë, dëmton të ardhmen e vet. Një njeri apo komb vlerësohet sa i respekton dhe çmon më të mirët e saj!

Mbi të gjitha, Prof. Arben Merkoçi është një njeri me zemër të madhe. Ai është nga ata njerëz që transmetojnë qetësi, pozitivitet dhe fisnikëri njerëzore në çdo marrëdhënie profesionale apo njerëzore. Përtej arritjeve të jashtëzakonshme shkencore, ai është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë të tjerët, të mbështesë studentët e rinj, të krijojë mundësi bashkëpunimi dhe të inkurajojë talentin shqiptar kudo që ndodhet. Në një kohë kur shpesh triumfojnë zhurma, egoja dhe negativiteti, Arbeni mbetet shembulli i intelektualit modern europian: i ditur, i përulur, i hapur dhe i përkushtuar ndaj shoqërisë. Ai përfaqëson modelin se si duhet të jenë intelektualët shqiptarë të së nesërmes në Bashkimin Europian, njerëz të dijes, të integritetit dhe të përgjegjësisë publike.

8 Komente

  1. F
    Fshatari

    Efekti Streisand ( Emeruar pas kengetares Barbara Streisand). Barbara ju kundervu nje komentuesi ne median sociale sepse kishte botuar nje pamje te shtepise se saj. Ndersa para pergjgjes se Barbaras ate foto e kishin pare rreth 1000 vete, pas pergjigjes se Barabaras fotoja isthe pare me mbi 10 milion vete. Une as e dija kush ishte ky shkencetari e as e kisha lexuar ate komentin ne mendian sociale. Ai me sa shikoj eshte nje figure e shkences. Deri sa behesh figure e nje aktiviteti, nuk je me person privat, pra behesh edhe pre e sulmeve me apo pa vlere. Pra ska azgje per tu cuditur. Por te shkruash nje artikull se shkrojti dikush, dicka ne media sociale, eshte idiotsiqe i dha me shume klikim komentit ne median sociale . Perfundimi PA VLERE. Vec mbase se Besnikut i doli emeri ne gazete dhe u be Intelektu-hale si gjithe te tjeret.

    Përgjigjjuni
    1. T
      Tropojanis

      Sigurims i fortë je, ja ke mbyll gojën Merkoçit. Se po llapi shkencëtari i modh i hapen petët lakrorit dhe në horrlliqet e nanoshkencës je dhe ti brenda o Niku.

      Përgjigjjuni
    2. M
      Merlika

      Asgjë më shumë një bravo të madhe Bednik Bare????????. Po ne nuk rrimë dot pa sharrë jemi bërë të gjithë si Saliu, shëmbulli më i keq.

      Përgjigjjuni
      1. M
        Mer

        Hahaha. Figura e shquar e shkencës shqiptare dhe europiane ky Merkoçi.???????? Edhe derrit gomari i duket gjeni, thonë lart e poshtë.

        Përgjigjjuni
      2. K
        Kinom

        Respekte për ju Z.Bare që lartësoni figura të tilla si Z.Arben që meritojnë respektë në shoqërinë tonë.

        Përgjigjjuni
        1. K
          K O R C A

          Urojme qe si prof.A.Merkoci Shqiperia te kete shume e shume te tjere ne te ardhmen , per te miren e ketij vendi e kombi . Urimet me te mira per z.Merkoci , shendet te plote , jete te gjate e te sukseseshme

          Përgjigjjuni
          1. I
            I Persosmi...

            Te qenit shkencetar nuk te ben vetiu njeri pozitiv me peshe publike. Ka zera se fundmi qe Gjermania s'kishte asnje projekt per prodhimin e bombes atomike, por Ainshtaini e beri fakt te kryer tek amerikanet qe ata te pershpejtonin ta prodhonin. Me gjithe kete episod, une kam bindjen se Ainshtaini eshte figure pozitive me drjt-hijet e veta... Izraeli ka plot shkencetare, por kujt i hyjne ne pune ata kur ushtria izraelite ka vrarë me monra gra e femije te paarmatosur, çfare ne Shqiperi ka ndodhur vetem pas ardhjes ne fuqi te Lavires 08 Nantor 1941...

            Përgjigjjuni
            1. !
              !!!

              Ekziston në mediet etj. një rrymë e tërë ANTISHQIPTARE, e organizuar, sistematike dhe e sponsorizuar, që synon të ulë e të përçmojë çdo arritje të sotme a të shkuar të shqiptarëve në çdo fushë, herë-herë e maskuar me gjoja luftën kundër komunizmit. Kundërvënia më e mirë ndaj saj është të forcojmë SHQIPTARIZMIN, secili prej nesh në vendin e veprimtarisë së vet.

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje