Çfarë fitojmë nga fatura e qumështit?

19 Korrik 2025, 08:53Blog TEMA
Çfarë fitojmë nga fatura e qumështit?

Nga Fatos Çoçoli

Nga e hëna 14 korrik 2025, inspektorë të tatimeve, në bashkëpunim me punonjës të bashkisë dhe me policinë bashkiake, kanë nisur kontrollet në tregje, pika grumbullimi, baxho, dyqane dhe njësi shitjeje të produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Po kontrollojnë imtësisht tregjet e shitjes së produkteve të bulmetit dhe të mjaltit, duke kërkuar për çdo shitje nxjerrjen e faturës përkatëse tatimore. Kjo nismë, e ndërmarrë me urdhër të kryeministrit, është pjesë e fazës së re të luftës kundër informalitetit në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Deri tani, 90 përqind e qumështit që tregtohet tek ne shitet pa faturë. Qëllimi i nismës është të formalizojë aktivitetin ekonomik të fermerëve dhe bletarëve, të sigurojë transparencë për konsumatorin mbi origjinën dhe cilësinë e qumështit dhe mjaltit që blejmë, si dhe të krijojë mundësi më të mëdha për përfitim nga skemat e subvencioneve (parave falas) shtetërore, për fermerët tanë që lëshojnë faturë, duke u regjistruar dhe duke marrë një NIPT (numër regjistrimi pranë organeve tatimore).

Marrja e NIPT-it për fermerët bëhet shumë thjesht. Mjafton që ata të aplikojnë pranë drejtorisë rajonale të tatimeve të fshatit dhe rrethit të tij. Çdo fermer apo tregtar i produkteve ushqimore, që shet qumësht ose mjaltë, duhet të lëshojë faturë tatimore elektronike për çdo shitje, pavarësisht sasisë.

Mungesa e faturimit po ndëshkohet me gjoba dhe paralajmërime për pezullim aktiviteti për rastet e përsëritura. Shoqata të fermerëve kanë kërkuar më shumë informim dhe mbështetje teknike për procesin e fiskalizimit, duke kërkuar kohë adaptimi për fermerët e vegjël. Qeveria është shprehur se nuk ka kthim pas në zbatimin e ligjit dhe se do të ofrojë asistencë për ata që janë të gatshëm të formalizohen. Ministria e Financave ka folur për trajnime për fermerët dhe tregtarët e produkteve ushqimore, mbi përdorimin e sistemit të fiskalizimit dhe mënyrat e deklarimit të shitjeve të tyre. Këto trajnime duhet të fillojnë sa më shpejt, pasi nevoja për dije nga fermerët është e madhe.

Në këto dhjetë vitet e fundit, kemi humbur 700 mijë krerë bagëti të trasha(lopë) dhe të holla(dhen, dhi). Ose 35 përqind më pak tufa se në vitin 2015. Kjo duhet të na shqetësojë shumë. Nëse subvencioni për blegtorinë bëhet për njësi prodhimi, sikurse e permendi kryeministri, do të shohim rritje të fortë të prodhimit të qumështit, të numrit të krerëve bagëti  dhe të formalitetit në bujqësi.

 Fatura tatimore për shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një instrument i rëndësishëm që sjell dobi konkrete për fermerët, bletarët, konsumatorët dhe shtetin. Po cilat janë këto përfitime?

Së pari, bujqit, fermerët dhe bletërritësit do të mund të përfitojnë nga subvencionet (paratë falas) shtetërore dhe skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Deri tani, pa NIPT-in tatimor, nuk e kishin këtë mundësi.

Së dyti, fermerët që punojnë të formalizuar dhe lëshojnë faturë tatimore, do të mund të përfitojnë edhe nga programet e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian.

Së treti, me shitjen e produkteve ushqimore me faturë tatimore online, si konsumatorë përfitojmë nga një siguri më e madhe në treg. Ai fermer që ka menduar të shesë qumësht të skaduar apo me ujë, apo mjaltë që të tillë e ka vetëm emrin, me faturën që lëshon kapet shumë kollaj dhe ti si qytetar, po u ankove nga malli i blerë me këtë lloj mashtrimi, e gjen shumë kollaj mashtruesin. Fatura i bën të gjithë shitësit tanë ushqimorë më të disiplinuar dhe të përgjegjshëm për mallin që shesin dhe që ka të bëjë me jetën tonë.

Së katërti, me faturë dhe dokumentacion të rregullt, fermerët dhe bletarët mund të hyjnë më lehtë në kontrata me baxhot, pikat e grumbullimit dhe edhe me vetë supermerkatot e tregjet e mëdha, duke siguruar shitje të qëndrueshme.

Së pesti, formalizimi përmes faturës tatimore online për qumështin dhe mjaltin e shitur, i hap rrugën zhvillimit të mëtejshëm të biznesit për shitësit dhe grumbulluesit, për aplikim për kredi të buta, investime në pajisje moderne dhe për rritje të prodhimit.

Së gjashti, fatura tatimore barazon kushtet e lojës në treg, duke i mbrojtur të gjithë ata që e lëshojnë, nga konkurrenca e pandershme në treg.

Së shtati, si konsumatorë, kur blejmë me faturë na shtohet besimi në produktet vendase, pasi fatura për qumështin apo mjaltin që blejmë, është një lloj garancie se po marrim një produkt të kontrolluar dhe të çertifikuar.

Së teti, fatura që marrim na jep të drejtë si konsumatorë të ankohemi, të na kthehen paratë e shpenzuara, ose të fillojë një hetim nga organet ligjvënëse, në rast mashtrimi me çmimin apo me cilësinë.

Së nënti, mijëra faturat e lëshuara në qumështin apo mjaltin e blerë, na e zvogëlojnë ndjeshëm informalitetin në ekonominë tonë. Ato na japin të dhëna të sakta për politikat bujqësore. Këto të dhëna ndihmojnë qeverinë të hartojë politika më të drejta për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral.

Së dhjeti, ne, si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, e kemi detyrim të afrohemi me praktikat e Bashkimit Evropian në fiskalizim dhe siguri ushqimore. Faturimi i qumështit dhe mjaltit është një hap drejt integrimit dhe tregut të përbashkët europian.

Fatura për qumështin dhe mjaltin: mundësi, jo pengesë 

Fatura tatimore për qumështin dhe mjaltin nuk është një pengesë, por një mundësi zhvillimi për ne. Nuk është një taksë shtesë për fermerët tanë, por një shans që ata të ndihmohen nga subvencionet e Shtetit. Ajo është një element themelor për ndërtimin e një tregu të drejtë, të sigurt dhe të formalizuar, ku prodhuesi përfiton më shumë, konsumatori blen më me siguri dhe shteti vepron më me drejtësi.

Zbatimi korrekt i faturës tatimore në shitjet e qumështit dhe mjaltit është një test për seriozitetin e Shtetit tonë, në raport me sektorin informal, si dhe një thirrje për vetëdijesim për fermerët tanë, në bujqësi dhe blegtori.

7 Komente

  1. B
    Bujku

    Se njembedhjeri: Per te nxjerr kasen fiskale, per ta mirembajtur, per ta pasur me net fshatari qe ka 1-2 lope se shumica kaq kane duhet te coj gruan te punoj ne ndonje lokal qe ti perballoj Legena qe beni teori dhe se dini sa vuan fshatari sot

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bagjogjiu

      Ore Fatos, po të dija të zgjuar! Me këtë shkrim, tregon se nuk ke dalë kurrë nga zyra të shkosh në një fshat..... . Dhe kam frikë se nuk e di që qumështi në Shqipëri nuk bëhet nga lopa, por nga fabrika...... . Po si mor 90% e qumështit tek ne shitet pa faturë? 90% e qumështit shitet në markete e dyqane lagjeje...... . Nëse e mer pa faturë, faji nuk është i fshatarit por i tregtarit........................ Po e shoh se ti nuk e di se 90% e sasisë të qumështit grumbullohet nga fabrikat e qumështit dhe baxhot...... . Dhe vetëm 10% e fshatarëve e çojnë qumështin në qytet, me shishe plastike 1.5 l. Por këta kanë klientët e tyre, të cilët janë të kënaqur me cilësinë e qumështit...... . Ndryshe nuk i detyron kush ta blejnë..... . Por shiko! Çmimi që fabrikat apo baxhot e qumështit ja grumbullojnë fshatarit është shumë i ulët. 55 deri 60 lekë litri..... . Ata fshatarë që shkojnë e shesin në qytet, e shesin me 100 lekë litri........... . Ndërsa fabrika e shet deri 150 lekë litri, atë qumësht që e ka marë me 55 lekë te fshatari....... . Dhe ky që shet fabrika, nuk dihet çfarë është? Qumësht lope apo qumesht pluhur me përbërës të panjohur dhe të padeklaruar...... . Dhe sa për atë NIPT-in që ti thua, fshatari e di më mirë se ti, dhe shumica e kanë nxjerrë, pasi aplikojnë për të përfituar të paktën naftën për bujqësinë........ Dhe ai bujku, me 4, 5 apo 6 shishe qumësht që i jep lopa e tij, të jep ty numrin e NIPT-it dhe jo faturë tatimore që i rrit kostot, dhe ti ne anë të nr të NIPT-it e di se ku po blen qumështin dhe mund të ankohesh, ose mund të mos blesh më tek ai, por çfarë ti bësh atij qumështi, që vetëm qumësht nuk është, të cilin e blen në markete lagjesh................. . Dhe kryesorja zoti Çoçoli:- Nuk ka ardhur ende koha, që shteti të verë nën disiplinë tatimore prodhimet e fshatarit , bujkut të vogël.... . 5 litra qumësht në ditë, 5 kg domate nga baçja e tij, 3 kg trangull, 5 copë kunguj, katër tufa çaji mali apo rigon............. . . Shtetit duhet të vërë nën disiplinë prodhimin e madh. Furnizuesin e madh. Atë që fut autobotet e qumështit nga Serbia, apo Maqedonia. Atë që sjell vaporrin me mish 30 vjeçar nga frigoriferët e Brazilit. E blen me 2 euro kg e shet me 3 euro tek tregtarët në Shqipëri dhe këra ja shesin popullit me 10 euro kg........................................................................... . Dhe duke shkuar prapë tek qumështi dhe tek djathi apo gjalpi...... . Le të shkojë kontrolli ushqimor i organizuar nga shteti tek baxhot dhe fabrikat e qumështit dhe të kontrollojë magazinat e tyre....... . Dhe do të gjejë me dhjetra kuintalë me niseshte, qumësht pluhur, margarinë dhe vaj palme në to. Përse nevojitet niseshteja në fabrikat e qumështit, Lufra, Erzeni, etj? Po margarina? Po vaj i palmës? Ja pra, blihet qumështi me 55 lekë litri dhe me 8 litra qumësht duhet nxjerrë 1 kg djathë. Me 800 litra qumësht 100 kg djath. Mirëpo çfarë ndodh? ..... . Fabrika përzien 400 litra qumësht dhe 40 kg niseshte dhe nxjerr 100 kg djath. 40 kg niseshte, kur përzihet me qumështin dhe ujin bëhet 50 kg.... . Pra gjysma e djathit që ti blen, me faturë tatimore, se ti e do me faturë tatimore në supermarket, është niseshte. Niseshteja blihet me 100 lekë kg dhe shitet për djathë me 800 lekë kg......... . Po kështu dhe margarina që përzihet me gjalpin.... 50% margarinë dhe 50% gjalp..... . Këtë të vendosë nën kontroll shteti. Dhe të mos shkojnë inspektorët e AKU , të marin dëngun me pare, qeskat me djath kaçkavall e gjalp të pa përzier, dhe të shkruajnë te libri i kontrollit : - Të pastrohen barishtet pas fabrikës, pasi përbëjnë rrezik për zjarr.... . Të kompletohet me kazëm dhe lopatë këndi për mbrojtjen nga zjarri..............P.S. -------- Këto ti thotë dikush që ka punuar në këto fabrika qumështi.... . Dhe dil nga zyra!

      Përgjigjjuni
    2. K
      Kapterri

      Ne ka njeri me te pa afte ne ekonomi,analfabet funksional,ky eshte Fatos Çoçoli.Gjithmone pro çdo qeverie,por argumentimet qe i ben problemit,të dhjet fare.

      Përgjigjjuni
      1. x
        xhoxhi

        E vetmja mënyrë është grumbullimi i qumshtit na fshatarët me një çmim të arsyeshëm.Kështu fshatari ska nevojë të rendë posht e përpjetë për 5 litra qumësht....Grumbullusi e përpunon dhe mer djathë,gjalpë,dhallë,gjiz.Kjo është zgjidhje ngritja e baxhove dhe grumbullimi i qumshtit...

        Përgjigjjuni
        1. F
          Fatos Cocoli

          Hahahhahahhaha. Doli Çocol analfabeti, ky Ben Bernanke nga Baldushku, i Edi Rames. Hahhahahha. Tani, miq, per ata qe nuk e njohin: Asnje dite pune, asnje koncept qe ta njohe ne thellesi, papagall neper emisione "ekonomike", dhe sigurisht, pjese e propagandes qeveritare. Dite te kendshme. Pertej ceshtjes, qe meriton argument dhe diskutim, sigurisht - po flasim per nje qeveri 12 vite ne pushtet.

          Përgjigjjuni
          1. T
            Tirana 1967

            Bravo te madhe komentuesit "bagjogjiu" e ke qare komentin..

            Përgjigjjuni
            1. B
              Berati

              Si more 700 mije krere me pak ne 10 vjet? Po dy vite si mi hengre. Berishist. Kumanari beri akademine per barinjte ky me flet per lope. Kumanari sapo ardhi ne pushtet i vuri tvsh-ne qumeshtit tek grumbulluesi qe fshatari paguante ne menyre indirekte. Kumanari e beri te ndihmonte fshatarin qe ti shiste lopet qe e keputen ne mes e te kerkonte fatin ne kurbet. Sa u gezua fshatari. Tere jeten duke pastruar bajga dhe ja ku i erdhi rilindja qe e rilindi. Dhe fshatari nuk e harroi dhuraten qe i beri partia dhe vazhdoi ta votonte partine me 90% edhe ne kurbet ku e çoi partia .

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje