Hapim lajmet, e ndjejmë si një goditje. Jo për herë të parë. “Një 17-vjeçare ka tentuar vetëvrasjen…” është një fjali që, në vend të na trondisë, po bëhet pjesë e përditshmërisë së heshtur. Sot në Vlorë, dje në Tiranë, më parë në Gjirokastër, Përmet apo Shkodër. Duket sikur kemi nisur të zëvendësojmë vetëm qytetin, ndërsa mosha mbetet njësoj. Gjithnjë 17.
Çfarë po ndodh me adoleshentët tanë? Pse një brez që është rritur në kohë pa luftë, me shkolla të hapura, me internet, me opsione më shumë se kurrë më parë, po ndjen se nuk ia vlen të jetosh?
Në vend të përgjigjeve, gjejmë heshtje. Në vend të ndërhyrjeve, kemi lajme që lexohen për dy sekonda dhe lihen pas dore si të ishin njoftime moti. Por nuk janë. Janë sinjale të qarta se kemi një emergjencë kombëtare të shëndetit mendor.
Të rinjtë e sotëm janë ndoshta brezi më i ekspozuar ndaj gjykimit publik, më i ngarkuari me pritshmëri të parealizuara, më i bombarduari me imazhe të një “jete perfekte” që nuk ekziston. Në TikTok, Instagram dhe rrjetet e tjera, çdo ditë përballen me modele suksesi që nuk përfaqësojnë realitetin. Ndihen të vegjël, të pasigurt, të pamjaftueshëm. E për më keq, shpesh ndihen vetëm.
Shtoji kësaj edhe mungesën e shërbimeve të dedikuara për shëndetin mendor në shkolla. Mësuesit nuk janë të trajnuar për të njohur simptomat. Prindërit, të lodhur nga stresi ekonomik apo kulturat e vjetra të "forcës" emocionale, nuk e kuptojnë. Ndërsa vetë të rinjtë nuk dinë ku të drejtohen.
Kur një vajzë 17-vjeçare tenton vetëvrasjen, nuk është një rast i izoluar. Është një alarm që duhet të dëgjohet. Sepse ajo përfaqëson qindra të tjerë që ndoshta nuk arrijnë në atë akt, por ndihen njësoj bosh, të pashpresë, të humbur.
Shkollat kanë nevojë urgjente për psikologë të kualifikuar dhe të pranishëm çdo ditë. Prindërit duhet të edukohen që të kuptojnë ndjeshmëritë e reja të fëmijëve. Politikat publike duhet të vendosin shëndetin mendor në qendër.
Media, nga ana tjetër, duhet të ndalë ciklin e lajmeve të thata dhe të ftohta. Duhet të raportojë me ndjeshmëri, me thellim, me edukim. Nuk mjafton të thuash se “tentoi vetëvrasjen”. Duhet të pyesim pse, të kërkojmë rrënjët dhe të ndihmojmë në ndërtimin e një shoqërie që i mbron, jo që i shtyn drejt buzës.
Shkollat kane nevoje oer psikologe? Shkolla nuk eshte Spital!