Godoja (Pasardhësi) do shfaqet pas rrënimit!

24 Maj 2026, 20:30Blog Nga Ben Andoni

Edhe pse i gjithë publiku shqiptar e dinte mirë rezultatin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike, ende media e ka kryefjalë (në mangësi të temave vitale për vendin). Edhe pse shumë e dinë se përballë Ramës nuk “ekziston” asnjë kandidat, sërish hera-herës mundohen ta ngrenë si problem parimi. Habitshmërisht, qoftë tek PD dhe PS-ja nuk është tandemi Berisha-Rama që e kundërshtojnë procesin, por janë njerëzit pas tyre që të etiketojnë si të shitur, të këtij apo atij, apo ironikisht thjesht: miop. Rama nuk e fsheh ambicien dhe ka kaluar deri në cinizëm: Do të iki kur të dua unë, tha ftohtë dhe qartë, pak kohë më parë. Asokohe nuk pipëtiu znj. Spiropali dhe askush, sepse e di se pas Ramës: PS-ja do të jetë thjesht arenë luftrash por jo më vlerash. Indirekt e kanë thënë vetë, për të mos thënë që është shprehur nga kryeministri. Sistemi funksionon më mirë, si në rastin e patronazhistëve me mbajtjen e status quo-së te PS-ja, sesa me krijimin e një sistemi vlerash. Mjaftoi një devijim i ish-kryetares së Parlamentit dhe pamë plasaritjet e para të zbehta. Kurse tek PD-ja, të mjaftonte të kundroje gjuhën e trupit dhe fizionominë e dyshes kryesore në parti Noka-Gjekmarkaj të kuptoje sesi po e përjetojnë groteskun që po u kthehet u para syve në tragjedi.

Për ata që s’kanë lidhje me dy partitë kryesore edhe artikulimi më i pakët kundër kësaj praktike ka ofendime, por më shumë se çdo gjë përballjen me frazën standard: Ka vallë njeri tjetër…?! Nuk ka njeri te PS-ja dhe PD-ja që kur është pyetur nuk ka dhënë të njëjtën përgjigje! Madje edhe me sintaksë gati matematikisht të njëjtë.

Përgjigja ka kohë që është e përcaktuar në shkencat politike dhe ky është i vetmi lajm pozitiv, që ndryshe nga socializmi absurd që zgjodhëm, pa bërë socializëm, ne jemi pjese tashmë e të tërës që po ndodh. Studiuesit e quajnë këtë “shmangia e planifikimit të trashëgimisë”, ku i forti i pushtetit (lexo Rama-Berisha) siguron që nuk ekziston asnjë rival të mund t’u dalë për t’i sfiduar ata. Sa u tall Rama me të gjitha ata që ka hequr është bisedë e gjatë, sa përqesh Berisha të gjithë ata që ka shmangur është argument për një shkrim (lexo studim) tjetër, po për etikë nuk do duam t’i përmendim të larguarit, të cilët vetë ishin pjesë të kësaj farse, kur ishin me tandemin pushtetar. Dhe, sak këtu qëndron edhe paradoksi. Në rast se Drejtësia, nuk po themi Natyra (që të jemi kategorik) do t’i thërriste në apelin e fundit të pushtetit, nuk do ketë më stabilitet në partitë e tyre. E kemi parë se çfarë ndodhi te PD-ja me ardhjen e Bashës (pa përmendur tollovitë në vite), e kemi parë se si u zhvillua KPD-ja e famshme e PS-së dhe ofendimet e një “të forti” si Nano, që zgjodhi pak më vonë rehatin para absurdit të pushtetit.

PS-ja dhe PD-ja do të jenë dy hapësira të vuajtura, pas ikjes Rama-Berisha, kurse njerëzit që do tentojnë të sfidojnë, do t’u kujtohet e gjithë rruga dhe servilizmi nën ta. Pasardhësi në dy kampet do të vij pas shkatërrimit reciprok ose djerrinës (lënë prej tendemit) që do të thotë më shumë amulli në një vend që është bajagi i drobitur.

Godo nuk shfaqet kurrë në dramën “Duke pritur Godonë” të Beckett, sepse mjeshtri e trajtoi të gjithë temën si metaforë e absurdit të jetës njerëzore. Godoja përfaqëson një dëshirë, shpresë, qëllim apo ndoshta edhe shpëtim abstrakt që njerëzit presin gjithë jetën, por që në realitet nuk vjen asnjëherë. A nuk është vallë ky rasti i PD-së në orët e fundit?! Fizionomitë e 2-shave të PD-së e tregonin hapur bashkë me absurdin, ku janë aktorë të vijës së parë, pasi edhe në absurd Berisha është i pari. (Javanews)

1 Komente

  1. a
    atdhetari

    Shkrimi me idiot qe kam lexuar . Edhe ti o Ben Andoni menduam se do te besh ndonje analize te mire per kete situate ne PD , por vazhdon merresh me PS , sikur ajo eshte ne opozite qe ne qeverisjen e saj nuk ka bere asgje etjer etjer . Ti ke bere nje vrime ne uje me kete shkrim dhe gjithmone ke nje tendence qe te smumosh arritjet e PS gjate ketyre viteve qeverisjeve dhe hera heres me dukesh si nje sali i vogel kur analizon . Sidoqete jete PS me te mirat apo te keqijat e saj ( qe ti kurre nuk i thua dhe nuk e di pse ) ka bere nje revolucion zhvillimor , qe dhe parashikuesi me i mire nuk mun ta imagjinonte . Thellohu o gazetar thellohu , se me gjithe ato libra qe mban tek biblioteka tende mbas shpine , me duket se asgje nuk ke kuptuar , qe partia socialiste eshte avangarda e zhvillimit modern te shqiperise me kryeministrin me te mire qe kemi patur Edi Rama.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje