Tërmeti politik në Maqedoninë e Veriut: Pse fitoi VMRO?

9 Maj 2024, 17:20Blog TEMA
Tërmeti politik në Maqedoninë e Veriut: Pse fitoi VMRO?

Nga Enver Robelli

Para shtatë viteve socialdemokratët maqedonas fituan zgjedhjet dhe e dërguan në opozitë VMRO-në konservatore (nacionaliste), e cila ishte diskredituar nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit (afera e përgjimit të mijëra qytetarëve, inskenimi i përleshjes së armatosur në Kumanovë, e cila - sipas zërave prominentë edhe në BDI - ishte organizuar nga shërbimi sekret maqedonas bashkë me qarqet parapolitike në Kosovë, pastaj propaganda e qullët e Nikolla Gruevskit se pas protestave të opozitës socialdemokrate në Maqedoni qëndronte George Sorosi. Me këtë akuzë Gruevski kopjonte idhullin e tij hungarez Viktor Orban, i cili prej vitesh e atakon filantropin amerikan me origjinë hebraike duke përdorur disa klishe nga takëmi i propagandës së kohërave të zymta).

Socialdemokratët maqedonas e morën pushtetin me premtimin se do t’i japin fund korrupsionit, kulturës së bakshishit, nepotizmit, ndarjes së resurseve të shtetit në mënyrë arbitrare. Shumë shpejt qeveria e prirë nga socialdemokratët rrëshqiti në batakun e korrupsionit. Zoran Zaevi dhe Dimitar Kovaçevski nuk treguan ndonjë zotësi në reformimin e vendit. Një meritë, megjithatë, i përket Zaevit: mori guximin për t’ia ndryshuar emrin shtetit nën presionin grek dhe fitoi hyrjen e Maqedonisë në NATO. Por në planin e brendshëm gati gjithçka vazhdoi me avazin e vjetër.

Për shembull: në burg përfundoi edhe prokurorja prominente e antikorrupsionit, Katica Janeva. Nga prokuroria e dikurshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk ka mbetur pothuaj asgjë, madje as hija. Shkrimet e dikurshme të mediave perëndimore për tri gratë e fuqishme të kësaj prokurorie tingëllojnë - nga perspektiva e sotme - thellësisht naive. “Tri engjëllushe”, kështu i pati portretuar “Deutsche Welle” këto tri gra në një kronikë.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) shkroi në tetor të vitit të kaluar se situata nuk ka ndryshuar as nën kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Në shtator parlamenti miratoi ndryshime ligjore që zbusin dënimet për keqpërdorim të posteve publike. Presidenti Stevo Pendarovski, i cili ka mundur t’i bllokojë këto ndryshime, u ngut t’i nënshkruajë ato. Ish-ministri i Jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov, i cili, sipas FAZ, nuk dyshohet të jetë i korruptuar, tha: “Nikolla Gruevski valonte flamurin maqedonas për të fshehur korrupsionin dhe kapjen e institucioneve shtetërore. Qeveria e tanishme po e valon flamurin europian për ta bërë të njëjtën gjë”.

Shkaqet e humbjes së socialdemokratëve maqedonas janë në radhë të parë të brendshme. Në mbi 20 vjet në pushtet, edhe BDI si parti kryesore e kampit shqiptar nuk ka mbetur e paprekur nga fenomenet negative. Me kalimin e viteve Ali Ahmetit, njërës nga figurat më meritore për avancimin historik të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, duket se i dolën nga dora disa ithtarë të tij. Kjo në mënyrë ilustruese u pa kur në fillim të këtij viti një funksionar i BDI-së nga Shkupi, i shoqëruar nga disa tipa muskulozë, hyri në kullën e kontrollit të aeroportit të Shkupit dhe sulmoi disa punëtorë. Shkak i kësaj përleshjeje thuhet se ishte konflikti mbi disa punësime në aeroport që planifikoheshin para zgjedhjeve. Arroganca e tillë është helm për imazhin e çdo partie. Kjo s’mund të mbulohet as me flamur kombëtar, as me UÇK, as me thirrje në luftën e dikurshme për më shumë të drejta, as me parulla patriotike.

Nga ana tjetër: rivalët e Ahmetit brenda kampit politik shqiptar mbetet ta dëshmojnë përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë (nëse hyjnë në pushtet). Asnjë përbetimi të tyre se do të luftojnë korrupsionin pamëshirshëm nuk duhet besuar derisa kjo të dëshmohet qartë prej tyre. Sepse edhe socialdemokratët e patën dridhur Maqedoninë me retorikë antikorrupsion. Dhe ja ku janë sot: të përmbysur në gati 10 për qind të votave. A bëhet më mirë me VMRO-në dhe qeverinë e re? Do të ishte pritje utopike. Por ndoshta nuk bëhet më keq, ndonëse as kjo s’mund të përjashtohet. 

Në fitoren e VMRO-së një rol të caktuar ka luajtur edhe Bashkimi Europian. Edhe pasi e ndërroi emrin nga Maqedonia në Maqedoni e Veriut, procesi i integrimeve europiane pothuaj nuk lëvizi nga vendi. Herë kushtëzonte Franca, herë Bullgaria me kërkesa shantazhuese lidhur me gjuhën maqedonase dhe çështje të tjera identitare, për shembull qeveria në Sofje insiston që nga pllakat përkujtimore të hiqet shënimi se bullgarët ishin pushtues në Luftën e Dytë Botërore.

Te shumë njerëz në Maqedoni u krijua përshtypja se edhe kur i plotëson të gjitha kërkesat e BE-së, Brukseli apo ndonjë vend anëtar i BE-së prapë do të gjejë një alibi për bllokadë. Kjo ndjenjë e të qenmit i refuzuar, mobilizoi edhe krahun nacionalist në Maqedoni. Kreu i VMRO-së Hristijan Mickoski e ka quajtur Viktor Orbanin “mik”, kryetarja e re Gordana Siljanovska-Davkova deklaroi pas fitores se rrugët e saj së pari e çojnë në Ballkan, por as Brukseli nuk përjashtohet. Nëse prioritet i qeverisë së re nuk do të jenë integrimet europiane, por popullizmi nacionalromanik maqedonas, kjo do të vë para vështirësish grupin politik shqiptar që do bëhet pjesë e kabinetit, sepse problemet që lidhen me identitetin e maqedonasve nuk janë probleme të shqiptarëve në Maqedoni. Fitorja e VMRO-së tregon se gjithnjë e më pak njerëz në Maqedoni besojnë në të ashtuquajturat “integrime europiane”. Ky trend është përhapur gjithkund në rajon si pasojë e hipokrizisë së BE-së, siç vlerësojnë shumë analistë perëndimorë.

Krahas betejave identitare dhe korrupsionit, një problem me të cilin ballafaqohen si maqedonasit ashtu dhe shqiptarët është emigrimi masiv. Vetëm në 4 vitet e fundit në Gjermani kanë shkuar 68 mijë shtetas maqedonas. Në botën e jashtme jetojnë tashmë 700 mijë shtetas maqedonas, kjo është një e treta e popullsisë së përgjithshme.

9 Komente

  1. g
    grigori

    rrofte orthodhoksia maqedonase qe eshte e bashkuar,,,,,,

    Përgjigjjuni
    1. p
      pilo Lala

      Jepni ndonje sqarim per ne qe nuk dime asgje, ne cfare pozicioni jane Shqiptaret? Pse u percan Shqiptaret? Kush i percau?

      Përgjigjjuni
      1. F
        Fener Zizi

        I Perçau Kurva Kurti, Agjenti i Serbise, kur do ta kuptojne Analfabetet Kosovar se kush po i Udheheq,Kosovaret do ta kuptojne kur tju Qihet Nona.dhe mire tju bohet se vete po e lypin duke mbeshtetur kete Spiun.

        Përgjigjjuni
      2. K
        Krenaria dhe dinjiteti- krenaria e cdo kombi

        Maqedonia dhe Shqiperia jane dy shtete viktime ne Ballkan ku me te fortet kane gllaberuar teritore prej tyre. Mbas mbarimit te Luftes se dyte ballkanike teritori maqedonas u nda ne tre pjese. Pireun e mori Bullgari, Egjeun e mori Greku, ndersa Maqedonia qe pershkohet nga Lumi Varda i mbeti Jugosllavise. Te dy keto shtete akoma luajne si macja me miun me MAQEDONINE. Greku vuri kusht per antaresimin e Maqedonise ne BE qe ta ndryshonte emrin dhe keshtu ndodhi. Nderkohe, kane dale bullgaret qe pretendojne se maqedonishtja eshte e njejte me bullgarishten dhe pretendojne per pakice bullgare!!!! Te gjitha keto kuk i zgjidhi partia socialdemokrate. Pra Maqedonia edhe pse beri gjithe ato sakrifica, ku sakrifica me e dhimbshme eshte ndrimi i emrit ku brezat e ardheshem do i gjykojne socialdemokratet . Mbas ketyre sakrificave Maqedonia mbeti atje ku ishte. Mendoj qe VMRO-ja ne kete mandat do ja ktheje Maqedonise dinjitetin dhe krenarine kombetare qe u neperkemb nga Zaevi e Kovacevski.Te shpresojme.

        Përgjigjjuni
        1. L
          Lani

          Edhe maqedonasit ikin emigrantë si ne këtej?! Atëherë është faji i kryeministrit të tyre. Tani që erdhi opozita do kthehen?! Vështirë!!!!

          Përgjigjjuni
          1. R
            RAIFI

            Nacionalizmi maqedonas qoftë nga opozita qoftë nga pozita maqedonase parullë qendrore ka anti shqiptarizmin që e kanë zhvilluar me sukses përkundër rrenave të Ali Ahmetit.Tani nuk është.msheftesi se shumë mese me shqiptarë nuk kanë shkollë në gjuhën shqipe,për më keq shkollat shqipe edhe mbyllën në mese të caktuara derisa Ali Ahmeti merr tender e shton pasurinë e tij dhe të birit.Tek e fundit kjo pritej meqenëse ishte shok dhe mashkëmendimtarë i atyre që në Kosovë plaqkiten pasurinë kombtare dhe shkatruan çdo bazë për zhvillim ,e ca prej tyre ranë edhe në tradhti të rënd duke shitur tokat e Kosovës dhe duke lojtar për ndarjen e saj në dobi të Serbisë.

            Përgjigjjuni
            1. S
              Strugani

              Robello Zaevi, ose me sakte PSD e maqedonis nuk i fitoi zgjedhjet ndaje Gruevskit te VMRO-s, po ishte puçi i Rames me "heroin" e uckes A. Ahmeti qe u terhoq nga fituesi vmro per krijimin e qeveris, dhe vajti me PSD e Zaevit, dhe sa per dieni te opinionit BDI ishte nje parti shushunje si LSI e Metes, korupsion i gjalle...

              Përgjigjjuni
              1. T
                Toni

                Ne Maqedoni ka demokraci ka Rotation...ne Rusi , Bjellorusi e Shqiperi jo...

                Përgjigjjuni
                1. P
                  Patriot

                  Lani, se andeje dhe keteje kufirit shqiptaret ikin nga sistemi, nga korrupsioni galopant I 30 vjeteve dhe jo nga emra te perveteshem. Cdo gje ka nje kufi durimi, ky ka mbaroare te ne.

                  Përgjigjjuni

                  Lini një Përgjigje