Joe Biden dhe gjakderdhja në Lindjen e Afërt ose: përparësia e moshës dhe përvojës

25 Tetor 2023, 11:44Blog TEMA
Joe Biden dhe gjakderdhja në Lindjen e Afërt ose: përparësia

Nga Enver Robelli

Kundërshtarët politikë në SHBA ka kohë që e përqeshin presidentin Joe Biden për shkak të moshës së shtyrë. Nganjëherë i ngatërron fjalët, nganjëherë mendimet.

Por kriza në Lindjen e Afërt na tregon se si mosha dhe përvoja janë të rëndësishme në politikë.

Biden e nisi fushatën për anëtar të Senatit më 1972 dhe premtoi se do të angazhohet që Amerika t’i japë fund luftës në Vietnam, e cila e kishte humbur çdo kuptim dhe kishte dëmtuar prestigjin e Amerikës në botë.

Është fat i madh për botën që Biden është president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo, ta zëmë, ndonjë person me flokë të lyera e ngjyera, me faqe të rrezitura nga solariumi dhe me mendime shpeshherë qesharake.

Hizbollahu, një organizatë terroriste e përkrahur nga Irani, është “very smart” (shumë i mençur), tha D.T.,  i cili ka qenë president i SHBA-ve para Joe Bidenit.

Përvoja ka efekt në politikë. Gjatë vizitës në Izrael javën që shkoi, Biden iu drejtua opinionit të atjeshëm dhe qeverisë me këtë porosi: e kuptojmë mllefin tuaj, por mos i bëni gabimet e tona. Gabimet e SHBA-ve!

Biden nuk pati nevojë të tregojë cilat gabime, dihej: pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, SHBA-të sulmuan Irakun (më 2003) duke u bazuar në akuza të rrejshme. Pretenduan se Iraku kishte armë kimike e biologjike dhe se bashkëpunonte me al-Kaidën.

Nuk ishte e vërtetë. Sadam Huseini ishte diktator e kasap, por nuk mbante lidhje me Osama Bin Ladenin. Rezultati i ndërhyrjes amerikane në Irak: sipas Lancet, njërës nga revistat më prestigjioze të mjekësisë në botë, mes marsit 2003 dhe korrikut 2006 u vranë 654’965 njerëz. Mbi gjysmë milioni!

Opinion Research Business, një ndër institutet më të mëdha të anketimit në Britaninë e Madhe, theksoi se mes vitit 2003 dhe 2007 u vranë më shumë se një milion irakianë. Kjo luftë e prodhoi një përbindësh: “Shtetin Islamik” (ISIS).

Biden është njohës i të gjitha detajeve të politikës amerikane, përfshirë edhe gabimet në politikën e jashtme. Andaj ai po përpiqet të shtyjë sa më shumë që të jetë e mundur intervenimin e Izraelit në Gaza.

Parimisht Biden përkrah zhdukjen e organizatës terroriste Hamas, por në të njëjtën kohë Biden si dhe shumë komentatorë udhëheqës të mediave amerikane (si “New York Times” dhe “Washington Post”) shtrojnë pyetjen: çka pas hyrjes në Gaza?

A ka strategji për dalje? Kush e qeveris pastaj këtë copë tokë buzë Mesdheut? Mbi të gjitha Biden është i vetëdijshëm edhe për një problem tjetër që dëmton reputacionin amerikan: nuk mund mallkosh Rusinë për vrasje të civilëve gjatë sulmeve në Ukrainë dhe në të njëjtën kohë të heshtësh ndaj vrasjes së civilëve në Gaza. Sipas “New York Times” mbi 1500 fëmijë palestinezë tashmë janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite.

Nicholas Kristof, njëri nga kolumnistët më të njohur të “New York Times”, shkroi: “Nuk duhet të vrasim fëmijë të Gazës në përpjekje për të mbrojtur fëmijët e Izraelit”.

Liderët e Hamasit nuk bëhen merak për këtë pellg gjaku. Ata jetojnë në luks në Doha të Katarit, në Stamboll dhe në Bejrut. Pasuria e tyre vlerësohet se kap mbi gjysmë miliardë dollarë, sipas Departamentit të Financave të SHBA-ve.

Lini një Përgjigje