Kur duan të bëhen “Më katolikë se Papa”

8 Mars 2024, 16:40Blog TEMA

Kur duan të bëhen “Më katolikë se Papa”

Nga Shaqir Vukaj

Gjatë luftës Dytë Botërore, Italia, veçanërisht Gjermania naziste pushtuan shumë vende të Europës dhe kudo (sigurisht edhe në Shqipëri) gjeten njerëz që u vunë në shërbim të pushtuesit. Disa prej të cilëve kishin merita në shërbim të vendit të tyre në të kaluarën, por bashkëpunimi me pushtuesit i varrosi përfundimisht. Në Malësinë e Veriut përdoret një shprehje: “Sa ashte gjallë burri ka kohë me u koritë”. Këta e mbyllën jetën të koritun ..... Pavarësisht si u quajtën: bashkëpunëtorë të pushtuesit, kolaboracionistë apo kuislingë, popujt dhe historia u vuri një emër: tradhtarë të Atdheut. Në kohën e sotme, në Kodin Penal të shumicës së vendeve të botës, kolaboracionizmi klasifikohet tradhti kombëtare. Është e vërtetë se bashkëpunimin me pushtuesit, shumica dërmuese e kolaboracionistëve janë përpjekur ta përligjin si veprim “në shërbim të atdheut”. Prandaj në shumë vende ka hy në përdorim termi “Tradhti patriotike”, dhe me ironi, studiuesi D. Litlejohn, librin e tij “Historia e kolaboracionizmit në Europën e pushtuar”, botuar një v.1972, e ka titulluar “Tradhtarë patriotë”.

Në Europën demokratike, problemet që lidhen me veprimtarinë e kolaboracionistëve,  konsiderohen të tejkaluara dhe kolaboracionizmi e kolaboracionistët janë përcaktuar me kohë tradhtarë dhe kanë marrë dënimin e merituar... Për popujt e vendet me demokraci të vërtetë, ata janë turp kombëtar që nuk u duhet përmendur as emri, sepse harresa është mënyra më e mirë për dënimin e tyre edhe pas vdekjes. ...\

Ndryshe ndodhë në Shqipëri, ku është shkruar e folur për shumë prej tyre, madje disa janë heroizuar, u janë kushtuar artikuj e libra, disa janë dekoruar e u janë ngritur buste...           

Para disa ditësh u dha një lajm se në Shkodër, një grupim njerëzish, përfshijë të Kishës Katolike, po përgatisin materialet për ti propozuar Vatikanit kanonizimin e Patër Anton Harapit. Pa dashur të hy në polemika, do të përpiqem me fakte e dokumente të jap shkurtimisht një pasqyrë të veprimtarisë së tij, i njohur si ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm e më aktiv i pushtuesve italianë e më vonë atyre gjermanë......

Në arkivat e Shtetit Shqiptar, në arkivat italiane dhe gjermane  gjenden dokumente pa fund që vërtetojnë veprimtarinë e Patër Anton Harapit si bashkëpunëtor tepër aktiv i pushtuesve, duke e thelluar edhe më shumë tradhtinë, madje duke u bërë  anëtar i Regjencës së krijuar nga pushtuesit nazistë.....

Shumë shkodranë të vjetër e dinë dhe kanë dëgjuar një ngjarje sa të rëndë, aq të turpshme për parinë e Shkodrës, ku Patër Anton Harapi ka luajtur rolin kryesor. Kur Italia fashiste po bënte përgatitjet e fundit për të pushtuar Shqipërinë, në Shkodër, komandant i trupave artilerio-xhenjero-tokësore, ishte një rus i bardhë, Kuçuk Ullagai (ish oficer i Ushtrisë Cariste, që mbas Luftës Civile në Rusi, u strehua në Jugosllavi dhe u inkuadrua në repartin e rusëve të bardhë që organizoi Beogradi për të sjellë Ahmet Zogun në pushtet.....Ai ishte ndër ata rusë që qëndroi në Shqipëri, mori nënshtetësinë shqiptare dhe arriti në përfshihej në komandën e lartë të ushtrisë).

Në prag të pushtimit, ai si ushtarak i vërtetë filloi të organizonte forcat ushtarake për të mbrojtur Shkodrën, e në këtë kuadër bënte plane për hapjen e llogoreve, ndante detyrat për secilin repart etj.

Për turpin e parisë së Shkodrës që, jo vetëm që nuk bëri asnjë përpjekje për rezistencë, por nuk donte të lejonte askënd, as trupat ushtarake për të zbrazur qoftë edhe një pushkë kundër pushtuesve fashistë.  

Për këtë arsye, një përfaqësi e parisë së Shkodrës, me në krye patër Anton Harapin shkoi tek kolonel Ullagai për ta bindur që të hiqte dorë nga rezistenca dhe ta dorëzonte Shkodrën pa kushte. Kanë mbetur lapidare fjalët e tij drejtuar Patër  Anton Harapit e të gjithë dergatës shkodrane: “Paçi faqen e zezë, pjellë e keqe e këtij vendi. Unë që kam ardhur nga stepat e Rusisë, jam gati me derdhë gjak për këtë vend që më ka mbajtur me bukë tash pesëmbëdhjetë vjet dhe ju, që keni lindë e jeni rritë këtu, silleni kështu. Turpi ju mbuloftë për jetë të jetëve”. Këto ishin fjalët e fundit dhe, që nga ai moment, ai iku nga Shkodra dhe nuk u pa më në Shqipëri......(Ullagai ishte antikomunist i deklaruar, që kishte luftuar me armë në dorë kundër Ushtrisë së Kuqe.....por si ushtarak, ishte betuar, dhe ishte gati të luftonte kundër pushtuesve fashistë.)

Kur  paria e Shkodrës priste me lule pushtuesit në hyrje të Shkodrës, disa nga klerikët e lartë, të tre besimeve, i uronin mirëseardhjen fashistëve italianë, madje ata katolikë, i binin kambanave të kishave....Kjo është e vërteta e atyre ditëve në Shkodër, çka dëshmohet nga shumë dokumente, pa përmendur qindra fotografi ku duken shumë qartë këta “patriotë”, përfshij Patër Anton Harapin, që me përulje të neveritshme u rreshtuan para pushtuesve, dhe prisnin tek ura e Bahçallekut, kush ti uronte i pari mirëseardhjen. Është tepër kuptimplotë fakti se dreka e parë zyrtare për “miqtë e nderuar italianë” u shtrua në Arqipeshkvinë e Shkodrës, prandaj çdo koment do të ishte i tepërt. Faktet janë kokëfortë...

Ja çfarë i shkruante me këtë rast, në emër të Provincialatit Françeskan, Patër Çiprian Nika , Ministrit Françeskan në Romë, At Leonardo M. Zellos:

“Shumë i nderuemi Atë. Më datën e 7 prillit, trupat italiane zbarkuen në katër portet e Shqipnisë....Për fat nuk pati gjakderdhje, me përjashtim në Durrës, ku disa vullnetarë kishin vendosë të luftonin. Popullsia, në mënyrë të veçantë ajo katolike, ishte e lajmërueme të mos bante asnjë qindresë. Më datën 8 rreth orës 17, trupat e motorizueme hynë në qytetin e Shkodrës. Për të bisedue mbi dorëzimin e qytetit, unë dërgova në komision Patër Anton Harapin, i cilli, në emën të popullsisë shkodrane e bindi Komandën Ushtarake Shqiptare që të mos bante qindresë të kotë....”

Jo vetëm kaq. Ishte Patër Anton Harapi që organizoi grupin që u quajt “Asamblistët e Shkodrës”, për të përfaqësuar Shkodrën në Asamblenë Kushtetuese. Kështu më 10 prill, u organizua një mbledhje me parinë e Shkodrës, ku kishte ardhur Maliq Bushati, i dërguar nga Jakomoni për të zgjedhur (caktuar) përfaqësuesit e Shkodrës në Asamblenë Kushtetuese që do të mblidhej 12 prill në Tiranë për “Shpalljen e bashkimit personal të Shqipërisë me Italinë dhe dhënien e kunorës mbretnore Vitore Emanuelit”. Duke qenë se disa pjesëmarrës, që ishin zgjedhur për në Asamble, për arsye fetare etj. nuk pranuan  të shkonin në Tiranë si asamblistë dhe u larguan nga mbledhja, ishte pikërisht Patër Anton Harapi që bashkë me Melonin (konsullin italian në Shkodër) dhe Gjon Marka Gjonin që caktuan asamblistë të tjerë në vend të tyre. Po ashtu nuk është rastësi që para mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese, Patër Anton Harapi u takua me Ministrin e  Jashtëm italian, Kontin Çiano për të marrë porositë e fundit për qëndrimin e asamblistëve të Shkodrës, në mbështetje të “bashkimit personal të Shqipërisë me Italinë fashiste...”

Në letrën e sipërpërmendur, që Patër Çiprian Nika i shkruante Ministrit të Përgjithshëm të Fretënve, ndërmjet tjerave theksonte se “Data 12 prill për ne françeskanët qe një ditë me preokupime shumë të mëdha......duhej apo jo të dërgohej në Tiranë një Atë i yni, për t’i dhanë Kunorën e Shqypnisë mbretit të Italisë. U vendos  të dërgohej Ati i kërkuem , dhe u dërgue pikërisht Patër Anton Harapi, njeriu ma i cilësuem në kët punë....”

Studiuesi gjerman Markus W.E. Peters, në librin e tij “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, (botuar në v.2010) shkruan:, “Më 29 prill Arqipeshkvi Gaspër Thaçi dhe Anton Harapi bënë një mbledhje të klerit të lartë në Kuvendin e Gjuhadolit. Në fjalët që Harapi i drejtoi klerit të mbledhur lexohet:

“...Ajo çka bamë nuk shkoi pa frut, por mbas sodit duhet më pasë kujdes me vigjilue ma tepër dhe me përkrahë, në të gjitha veprimet Qeverinë dhe ushtrinë italiane”.

Ndërsa disa kohë mbas pushtimit ai deklaronte: “Ajo që kemi ba deri tash në favor të Italisë nuk asht gjithçka. Tashti ne duhet të punojmë ma shumë për ta perjetësue atë”.   

Sigurisht Patër Anton Harapi ishte një ndër përfaqësuesit e lartë të Klerit Katolik, i zgjedhur prej tij, që kishte dalë haptazi në mbrojtje të politikës së Italisë fashiste.  Është tepër kuptimplotë e bindës  telegrami i Ipeshkvinjve të Shqipërisë, drejtuar Viktor Emanuelit , ku shprehnin kënaqësinë  e tyre për “Bashkimin personal të dy mbretërive”, dhe që e mbyllnin me fjalët “Bashkojmë  në fronin august falënderimet dhe homazhet e një besnikërie të pafund”. Nënshkruar nga ipeshkvit shqiptarë, G. Thaçi, P. Gjura, B. Shllaku, L. Bumçi, V. Prendushi dhe F. M. Gjini.

Mjafton një paragraf nga artikulli i revistës së françeskanëve “Hylli i Dritës” (korrik 1940, Nr. 7-9) botuar me rastin e një vjetorit të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, për të parë si e vlerësonin Patër Antoni dhe disa nga klerikët e lartë e pushtimin e Shqipërisë:  

“Një epokë e re qi hapet në vorrimin e nje tjetre, e cilla mbas njëqind e sa vjetëve lëvizjesh shqetësuese mbi kontinentin evropian sod fiket, meket, mbaron. Të himtë e Italisë në Luftë, të himtë e ushtrive gjermane në Paris u dhanë shtjellen demokracive, idetë e revolucionit francez u zhgulen, hine në të kaluemen, hine në shtillin e pamasë të historisë që kje. Një botë e re shifet kah ngrihet. Njerzimi pret tanë kureshtje rendin e ri qi vjen mbas kësaj shtergate të fuqishme, pret pagjen, drejtësinë e nji rendim shoqnuer të qindrueshëm. Sjell sytë kah dy persona-zhenij, qi kanë sot fatin e popujve në dorë: kah Musolini e Hitleri.....Në pak kohë Shqypnija po bahet nji lulishte. Në kët lulishte, shqyptarë e italianë, të vllaznuem nen mbretin e vet peranduer e t’udhhjekun prej Duçes së madh të Fashizmit, i ven themelet me vangë e shpatë, nji epoke të re, nji qytetnimi të ri....”

Por kolaboracionizmi i Patër Anton Harapit, u duk edhe më qartë gjatë pushtimit nazist. Në librin e tij “Përballja e Kishës katolike në Shqipëri 1919-1996” autori shkruan:

“Disa ditë më vonë  Wehrmachti gjerman instaloi në Shkodër administratën e vet ushtarake. Arqipeshkvi, Imz. Thaçi si dhe Atë Anton Harapi, si provincial françeskan në detyrë, kontaktuan menjëherë me gjeneralin SS Hausding për të diskutuar për gjendjen dhe si do të procedohej...”

Janë të radha rastet në Europën e pushtuar nga nazi-fashizmi kur një prift katolik bëhet anëtar i Regjencës së krijuar nga pushtuesit, siç ndodhi me Patër Anton Harapin, megjithëse “ligji i shenjtë” ja ndalonte një veprim të tillë. Është tepër interesant qëndrimi i Vatikanit, konkretisht i Papës, që duke e kuptuar hilen e Kishës Katolike Shqiptare, që ju drejtua atij për të aprovuar përfshirjen e Patër Antonit në Regjencë, ja la në kompetencë Arqipeshkvit të Shkodrës, Gaspër Thaçi, i cili e aprovoi pa asnjë mëdyshje....Ka shumë dokumente për veprimtarinë e Patër Anton Harapit në shërbim të pushtuesve gjermanë... Markus Peters në librin e sipërpërmendur, shkruan se me nxitjen e rekomandimin e tij, më 24 shtator 1943 u themelua “Besëlidhja e Malcis Madhe” që përfshinte 13 bajrakë të Arqipeshkvisë Shkodër , ku në programin e aprovuar thuhej:

“Kushdo që u pret rrugën ushtrive gjermane  a vret një ushtar gjerman, kushdo që vret autoritetet shqiptare i digjet shpija, i konfiskohet pasunija dhe ndiqet për t’ju dorzue autoriteteve gjyqësore” dhe më poshtë vazhdon: “Në tetor, në mbledhjen e përgjithshme të Klerit në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër u morën vendime nëpërmjet të cilave  udhëzoheshin priftërinjtë  se “gjermanët duhen parë si miq e trajtuar si të tillë”. 

Duhet theksuar se jo të gjithë priftërinjtë katolikë bashkëpunuan me pushtuesin, sepse  disa prej tyre nuk ju nënshtruan as joshjeve e as presionit të drejtuesve kryesorë të Kishës Katolike. Madje disa kanë qenë jo vetëm simpatizantë të Lëvizjes Nacional Çlirimtare, por ndihmuan në mënyra nga më të ndryshmet. Kështu mund të përmend priftin e Reçit (Malësi të Madhe) Dom Luigj Pici që ishte zgjedhur Nën/Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar për Qarkun e Shkodrës, priftin e fshatit Gziq, Dom Lec Sahatçia që ka ndihmuar me të gjitha mënyrat partizanët, priftin e fshatit Perlat  (Mirditë), Dom Ndoc Ndoja, Dom Nikoll Lulin e Ungrejajve etj.  

Po si qëndron e vërteta dhe përse Vatikani nuk e përfshiu Patër Anton Harapin në procesin e kanonizimit dhe jo vetëm atë, por edhe disa priftërinj të tjerë. Sipas disa autorëve që janë marrë me persekutimin e klerit në Shqipëri, veçanërisht të atij katolik, numri i priftërinjve të persekutuar gjatë sistemit komunist është rreth 160 vetë.

Kush kujton vizitën e Papa Franceskut në Shqipëri, mban mend se në bulevardin Dëshmorët e Kombit ishin varur  portretet e klerikëve të persekutuar, për të cilët Vatikani që në vitin 2002 kishte filluar procesin e kanonizimit, një proces i gjatë dhe tepër i koklavitur... Por në mes të tyre nuk ishte portreti i Patër Anton Harapit dhe i disa priftërinjve të njohur e me emër, jo vetëm si klerikë, por në radhë të parë për aktivitetin politik dhe gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste kishin bashkëpunuar  me pushtuesit, madje ndonjëri ishte vrarë duke luftuar me armë në dorë.....

Për veprimtarinë e Vatikanit në prag dhe gjatë Luftës Dytë botërore janë shkruar qindra libra, mijëra artikuj e studime, ku janë dhënë opinione nga më te ndryshmet....Në v.1939, mbas vdekjes se Papa Piu XI (si mbas kujtimeve të Kardinalit Tisseran, Papa është helmuar nga Dr.Petaçi, babai i Klara Petaçit, të dashurës së Duçes) në fronin e Shenjtë u zgjodh Papa Piu XII që qëndroi në fron deri në vitin 1958.

Në vitin 1967 u hodh ideja për beatifikimin (lumturimin) e tij, por menjëherë filluan kundërshtimet, me arsyetimin se ai kishte përkrahur nazizmin.... Me qenë se kishte shumë diskutime pro e kundra, në vitin 2008, Papa Benedikti vendosi të shtynte problemin e beatifikimit të Papa Piu XII, të paktën për gjashtë vite. Gjatë gjithë këtyre viteve vazhdonin  diskutimet e  studimet, në se Papa Piu XII meritonte të beatifikohej e të hapej rruga për kanonizim (shenjtërim). Dhe të gjitha këto vetëm e vetëm se mbi të hidheshin dyshime se kishte bashkëpunuar e ndihmuar nazizmin...

Në v.2019, Papa Françesku shpalli se në mars 2020 do të lejonte hapjen e arkivit të Vatikanit të periudhës së Papa Pi XII, që përmban miliona dokumente të asaj periudhe. U zgjata për të treguar si vepron Vatikani për kanonizim kur ka dyshime, pa le më kur ka dokumente për bashkëpunimin e të propozuarve për kanonizim, me nazifashizmin...

 Do të përmendë një rast konkret e tepër kuptimplotë, si ka vepruar e  vepron Vatikani ndaj kolaboracionistëve.

Në vitin 1939, mbas pushtimit të Çekosllovakisë, u shpall “Republika e Sllovakisë”, një shtet gjoja i pavarur, por që ishte krejtësisht nën kontrollin dhe urdhrat e Berlinit i cili caktoi në krye të “shtetit sllovak”, priftin katolik Jozef Tiso. Në kuadrin e ndjekjeve, persekutimeve, internimeve e burgosjeve të patriotëve sllovakë, si një shërbyese e zellshme e nazistëve, “Qeveria Sllovake” mori masa drastike kundër hebrenjve. Në zbatim të  urdhrave të Berlinit u internuan rreth 80 mijë hebrenj në kampet e përqendrimit në Poloni, Gjermani etj. 70 mijë prej të cilëve u vranë....

Vatikani, duke parë këto krime të llahtarshme që bëheshin në një “shtet të pavarur” që drejtohej nga një parti, që ishte krijuar nga një prift katolik (Glinka) dhe me kryetar shteti po një prift katolik (Jozef Tiso) vendosi të mbajë qëndrim dhe sigurisht të pastrojë edhe veten...... Me vendim të posaçëm Vatikani e ç’regjistroi nga lista e prelatëve të Papatit dhe i hoqi titullin e Monsinjorit. Mbas lufte Tiso u arratis por  u arrestua nga amerikanët ....të cilët ja dorëzuan çekosllovakëve. Për  krimet e bëra,  Jozef Tiso, u dënua me vdekje, varje në litar, që u ekzekutua në Bratislavë. Dua të përmendë një fakt interesant. Me qenë se edhe në Sllovaki kishte ndonjë ultra të djathtë që kishte folur për mundësinë e beatifikimit të Jozef Tisos, kur Papa Françesku vizitoi Bratislavën, pavarësisht se nuk e përmendi me emër Jozef Tison, ai dënoni krimet e tij...  kështu që as që mund të diskutohej beatifikimi i tij.

Vatikani ka shumë dritë hije në historinë e tij shekullore, por qëndrimi ndaj Patër Anton Harapit e klerikëve kolaboracionistë shqiptarë duhet përshëndetur, ashtu siç duhet përshëndetur e marrë si shembull qëndrimi i Papa Françeskut ndaj fashizmit. Dua të kujtoj se, në mesazhin e tij, drejtuar besimtarëve katolikë, me rastin e festës së Pashkëve, në prill 2015 ndërmjet tjerave, ai duke folur për tragjeditë e njerëzimit gjatë shekullit të 20-të, ndër të parat radhiti fashizmin......

Me të drejtë lind pyetja kujt i intereson sot në Shqipëri rehabilitimi e heroizimi i kolaboracionistëve, kur në Europën demokratike, duke vënë mbi gjithçka interesin kombëtar, dhe kryesorja, me qëllim Pajtimin Kombëtar, ky problem konsiderohet i tejkaluar. Për këta vende e popujt e tyre, kolaboracionistët janë turp kombëtar që nuk i përmend më askush, sepse, sipas tyre,  harresa është mënyra më e mirë për dënimin e tyre mbas vdekjes, sepse dënimin e vërtetë, atë fizik e kanë marrë menjëherë mbas lufte....

Në Europën demokratike, problemet që lidhen me kolaboracionizmin i janë lënë historisë, duke e konsideruar një problem të mbyllur, por jo të “harruar”, sepse ata mbesin tradhtarë dhe askush nuk merret me rehabilitimin e tyre, madje as nuk i përmendin. Historia, kushdo që do e shkruajë kurrë nuk mund ti nxjerrë kolaboracionistët të larë. Asnjë justifikim se ata bashkëpunuan me pushtuesit nazi-fashistë “për interesa të Atdheut”, apo gjoja për të luftuar komunizmin. Përralla të tilla dëgjon e lexon vetëm në Shqipëri nga disa shkrues apo të ashtuquajtur historianë, nipa e stërnipa të këtyre tradhtarëve, e ndonjë politikan, të cilët, me shkrimet për ta, apo dekorimet e titujt që u japin, vetëm sa u shtojnë baltën që kanë ata hedhur mbi vete dhe kurrsesi nuk mund ta shlyejnë emrin tradhtar i Atdheut.

Historiani amerikan Fisher, në një intervistë për gazetën Panorama, në përgjigje të pyetjes për Mit’had Frashrin, ndërmjet tjerave ka thënë: “Kushdo që bashkëpunon me pushtuesin është vetësakrifikuar dhe emri tradhtar, është haraç që ata duhet ta mbajnë”.

Kohët e fundit po dëgjojmë e lexojmë gjëra nga më të çuditshmet për Esat Pash Toptanin e “patriotizmin” e tij....Një miku im i vjetër shkodran, që i kishte ndjekur çfarë është  thënë e shkruar për Esat Pashën, duke diskutuar për këtë problem, më tha që këtyre të ashtuquajturve studiues u rekomandoj të shkojnë në Shkodër e të pyesin shkodranët e vjetër për Esat Toptanin, të lexojnë çka ka shkruar autori i Enciklopedisë së Shkodrës, Hamdi Bushati në librin “Shkodra në Mote”, të lexojnë artikullin e Mid’hat Frashrit e të shumë studiuesve e autorëve shqiptarë për Esat Pashën, të lexojnë si kanë shkruar shumë të huaj për të e në mënyrë të veçantë si e ka vlerësuar e shpërblyer Beogradi....

Në vazhdim, ai me humor më kujtoi një histori të vjetër, ndodhur në Shkodër shumë vite më parë, mbas prishjes së kishave e xhamive. Një prift, kishte lënë si amanet që të varrosej në Shirokë, në varrezat katolike dhe përgjegjësi i varrezave e kishte lejuar, dhe ai ishte varrosur në vendlindje. Ishte bërë nami, ishte “shkelur vija e Partisë”, “ishte ulur vigjilenca” ishte tentuar “të ringjallej feja”...Vendosën ta thërrasin në Komitetin e Partisë, ti kërkonin llogari e ta dënonin... Kur u pyet përse e bëri një veprim të tillë, ai u përgjigj shumë shkurt: “Shyqyr që e kam emrin Hasan e jo Kolë....”. Tani, e mbylli miku im me humor, shyqyr që ai e ka pas emrin Esat e jo Anton, sepse, këta që duan ta heroizojnë, do ti kishin propozuar Vatikanit kanonizimin (shenjtërimin) edhe të Esat Pash Toptanit.....

TemA

16 Komente

  1. M
    Mmill Milani

    Pèrgèzime i nderuar zoti Vukaj! Urtèsia dhe zgjuarsia juaj èshtè vènè gjithmonè nè mbèshtetje tè sè vèrtetès dhe shqiptarizmès. Paçè faqen e bardhè, si fisnikèria e flokève tè tua!

    Përgjigjjuni
    1. I
      Illo

      Ekselent! I paarritshëm Shaqir Vukaj!

      Përgjigjjuni
      1. M
        Mhilli

        Sakte: kolaboracionizmi klasifikohet tradhti kombëtare, prandaj sllavo-komunistet shqipfoles përfshire edhe kete fosil qe shkruan jane tradhtare te Shqiperise duke u lindur prej Partise Komuniste Jugosllave dhe duke i shërbyer asaj edhe tani.

        Përgjigjjuni
      2. p
        pilo Lala

        Si gjithmone, Shaqir Vukaj flet me dokumenta, jo propagande. Nejse, sic po behet sot, Shkodren e drejton Benet Beci, nje i djathte, qe punon per qytetin e Shkodres. Mbase edhe keto ndasite duhen zvogeluar tani qe ka kaluar 80 vjet. Meloni eshte Kryeministre e Italise, , ne disa shtete kane fituar ekstremistet... Duhet pare si histori kjo cfare ka ndodhur 80 vjet me pare.

        Përgjigjjuni
        1. T
          Taraboshi

          Shkrim me te verteta te pa mohueshme

          Përgjigjjuni
          1. A
            Agim Tefiku

            Nuk mjafton të dish të vërtetën, duhet të kesh argumenta e dokumente, prova bindëse e përjetime të pranishme dhe pas këtyre guximin për ti shpallur botërisht këto në një kohë e atmosferë kur termat partizan, Hero apo Dëshmor i Luftës Naçl, Lapidar e sidomos komunist cytin një histeri frenetike të të gjithë pinjollëve të kriminelëve e të kolaboracionistëve të spiunëve e të sabotatorëve, të diversantëve e terroristëve të luftës e të pasluftës të cilët prej 30 e kusur vitesh kanë marrë flamurin e patriotizmit e të demokracisë duke vjellë vrerë e hedhur baltë me lloj lloj shpifjesh e djallëzish kundër vlerave të vërteta të popullit e të bijve të tij më të pëkushtuar ndaj Atdheut. Ky material eshtë fund e krye një grusht në fytyrën e atyre që ndotin patriotizmin e shqiptarinë në ditet e sotme, ështe një akuzë e re e brezit të sotshëm të luftëtarëve e patriotëve të vertetë ndaj kriminelëve e kolaboracionistëve të djeshëm dhe pinjollëve të tyre që guxojnë të krenohen sot me të zezat e parardhësve të tyre mënxurëzinj. Përshëndetje autorit që me durim e përgjegjësi të lartë qytetare, me profesjonalizëm dhe maturi, si rall kush sot ja ka dalë me plot sukses të shpalosë të vertetat e mohura prej disa dekadash. Lavdia e përjetëshme i takon atyre që vaditën me gjakun e tyre themelet e Shqipërisë dhe i dhanë nder e faqebardhësi popullit tonë.

            Përgjigjjuni
            1. S
              Shkembi

              Respekt per zotin Vukaj. Te vertetat e atyre koheve, mendoj se jane tejkaluar nga “patriotet” e ketyre 33 vjeteve kur qelbesira te politikes s’po i lene kusur Shqiperise duke e shitur fare lire tek armiqte e vet shekullor

              Përgjigjjuni
              1. M
                Murgu

                Si gjithmonë i saktë !

                Përgjigjjuni
                1. k
                  katarakti

                  Synimi i Duçes ishte italianizimi i Shqipërisë. Se vendi ynë është i pasur me shumë burime nëntokësore që Italisë i mungojnë. Prandaj ngjau edhe pushtimi. Një pjesë e madhe e katolikëve shkodranë e pritën këtë pushtim me lule! Këta ishin Haxhi Qamilët katolikë që donin "babën"! Tê gjithë ata që votuan në asamble për bashkimin(!), kupto pushtimin e vendit nga Italia fashiste, janë tradhtarë me damkë. Si dhe ata që mbështetën "Regjencên", duke u bërë gjeneralë, ministra apo kryeministra të Kontit Çiano! Shqipêrisë nuk i kanë munguar kurrë tradhtarët, duke filluar nga Hamza Kastioti, Ballabanët, Esat Pashat, Patër Anton Harapët etj etj. Dhe Enveri bëri mirë qê këta kolaboracionistë i pushkatoi. Siç bëri e gjithë bota demokratike me kolaboracionistët e saj. Por pati edhe një grupim nacionalistësh, që morën armët kundër Italisë, por u bashkuan me Gjermaninë, se u ndollën nga ëndrra e Shqipërisë natyrale! Bënë zgjedhjen e gabuar dhe e pësuan. Pastaj erdhën komunistët në pushtet, që përveç shumë punëve të mira, filluan të burgosin, torturojnë, persekutojnë dhe vrasin miq dhe armiq, përfshirë këtu edhe ministra, zv/kryeministra dhe deri te kryeministri M. Shehu. Të gjitha të nxitura nga tirani paranojak Enver Hoxha. Kjo është historia.

                  Përgjigjjuni
                  1. k
                    kauri

                    Shaqiri eshte myslyman ,,prandaj shkruan keshtu per kishen katolike ,,,,po te shikosh filmimet e kohes luftes ,,italanet jan pritur ne tiran nga qindra mij njerez me brohritje per mirseardhje ,,, kishte shum myslyman me pature ,,,,

                    Përgjigjjuni
                    1. H
                      Heretiku

                      Autori si pehere eshte i sakte, koherent, korrekt me faktet, idete, ngjarjet. Pater Anton Harapi dihet boterisht se ishte nje nga 4 regjentet, gjate periudhes se pushtimit gjerman. Vetem ky fakt e fut ate ne rradhet e kolaboracionisteve te shumte europiane, kur Europa ishte nen thundren e hordhive naziste. Ajo qe beri ai nuk qe nje gabim i nje femije, qe nje faj i rende i nje te rrituri, i nje njeriu qe nuk i mungonte kultura dhe eksperienca jetesore. Gafa e tij ishte dyplaneshe, e para se ishte perfaqsues religjoz dhe religjoni e ndalon nje prift ( qofte edhe i thjeshte ) te merret me politike; ate ne fushen religjoze nuk e futi njeri me zor, shkoi per shkak te vokacionit, studioi ne shkollat teologjike me te mira jashte Shqiperise dhe detyra e tij ishte ajo e shpetimit te shpirtrave te "mekatareve". Gafa e dyte ishte se ai u be kolaboracionist, bashkepuntor i pushtuesit nazist gjerman, fakt ky i denueshem ne gjithe Europen, Lindje-Perendim. Dihet se cfare fundi paten te gjithe kolaboracionistet ne Europe pas luftes, shumica kaluan ne plumb, te njejtin fat paten edhe kolaboracionistet shqiptare qe u kapen. Ndoshta do te ishte me mire ( ky eshte mendimi im personal ), qe denimi kapital, te konvertohej ne nje moment te dyte, ne burg, duke pasur parasysh kulturen e tyre ( behet fjale per Pater A. Harapi dhe Lef Nosi ), prestigjin, kontributet ne te shkuaren. Ashtu si ndodhi ne France me ish gjeneralin Petain, heroin legjendar te luftes se pare boterore, kolaboracionistin ne luften e dyte boterore. U denua fillimisht me pushkatim, denim qe me pas u kthye ne burgim, ku ne burg edhe vdiq.

                      Përgjigjjuni
                      1. e
                        emigranti

                        Z. Vukaj me kete shkrim ben je analize te mbushur me fakte te pakundershtueshme. Vetem ne 2 pika i ben kalimthi. Kur flet per ushtarakun e huaj qe kerkonte te mbronte me arme Shkodren nga pushtuesit italiane nuk permend faktin qe ky ushtarak ishte urdheruar per te mbrojtur Shkodren nga komandanti trim e patriot Abaz Kupi, si ushtarak besnik i mbretit Zog, ,me detyre qe ta prisnin nga Shkodra ne Sarande me lufte agresorin. Gjithashtu kur permend faktin e tradhetise te Pater Andon Harapit, por jo vetem, te dorezimit te kurores mbreterore shqiptare Viktor Emanuelit per bashkimin e Shqiperise me Italine duhej te ndalej ne kete turp jo vetem te ketyre kolaboracionisteve dhe te Italise, por edhe te shtetit shqiptar qe nga 1945 e deri sot, pra jo vetem nga qeveria komuniste por edhe qeverite e pas '90 nuk kane kerkuar ti dorezohen shtetit shqiptar simbolet e vjedhura me n5dihmen e ketyre kolaboracionisteve. Pavaresisht nga urrejtja qe kane per monarkine udheheqesit shqiptare e kane per detyre kthimin ne atdhe te simboleve kombetare.

                        Përgjigjjuni
                        1. X
                          X...

                          Zotëri, keni te drejtë... Por çfarë emri t'i veme shokut Enver kur, nder te tjera, më 1979, ndaloi me ligj mbajtjen nga fshatarët të deleve, lopeve e pulave, gjë e paparë në historinë e njerezimit dhe genocid i pastër kunder shqiptareve...

                          Përgjigjjuni
                          1. X
                            X

                            Po me vjen shume keq z. Vukaj.. se me tufa me lule.. i kane pritur si myslimanet me puture dhe katoliket.. se jemi popull i zgjuar ne shqiptaret.. neve skemi pasur ushkur me lidhe breket.. jo me luftu kunder italianit e gjermanet.. se neqotese asht vra 1 gjerman.. asht djeg i gjith fshati me gra fmi e pleq.. zgjuarsia e ktyne myslimanve me puture e ktyne njerzve te zgjuar sot egzitojme si kombe.

                            Përgjigjjuni
                          2. R
                            Rrok Rroku

                            Disa priftrinje qe e kane perkrahe ardhjen e gjermanit dhe te italianit.. kane qene te zgjuar.. e kane dite se ne nuk kishim ushkur me lidhe breket jo ma me luftu kunder italianit e gjermanit.. me tufa me lule i kane prite edhe myslimanete me putur.. popull i zgjuar shqiptari.. se u demtotne i gjith populli.. si myslimanet e katoliket.. se me vra 1 gjermana dikush.. gjermani digjte gjithe fshatin.. me gra.. me fmi.. e cka gjente.. budalleku ska fund.. kane rujte popullin e vete kto mendje dritun.. kur jane pushkatu.. fjalet e fundit te ktyne gjigandeve te kombit.. kane kene: Rrnofte SHQIPNIA.. Rrnoft KRISHTI MRETE.

                            Përgjigjjuni
                            1. D
                              Detari

                              Genjeshtrat e Vukajt s`mund t`i besoje kush. Mbeti tere jeten duke shpifur... Helbete, komunist 24-karatesh me rrenje e me dege...Per te, atdhetar eshte E. Hoxha me froten e krimineleve te tjere, qe masakruan popullin shqiptardhe e lane Shqiperine ne fund te viteve `90, ne fund te Evropes.

                              Përgjigjjuni

                              Lini një Përgjigje