Pa dyshim opinioni shqiptar brenda dhe jashtë vendit e ka mirëpritur aq sa ka bërë struktura e posaçme kundër korrupsionit në këta vite. Sigurisht opinioni nuk di më shumë nga brenda institucionit, por i mërzitur nga shkalla e lartë e korrupsionit, arbitraritetit, e pabarazive në pasuri, sidomos midis deputetëve dhe popullit të thjeshtë, jo për shkak populizmi, duartroket çdo sulm mbi kështjellën korruptive të ndërtuar në përmbi tre dekada.
Pavarësisht kësaj duhet ditur se cdo veprim njerëzor dhe institucional sjell pasoja të paparashikuara, dytësore, që shpesh kanë një ndikim tepër të rëndësishëm.
Kjo është pyetja: Cfarë pasojash kanë sjellë hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, pa pretenduar të numërohen të gjitha?
Në krahun e qeverisjes në këto dy a tri vite u fshinë nga qeveria një numër ministrash dhe zëvendësministrash që drejtpërdrejt ose tërthorazi përmenden në dosjet hetimore, nëse iu besojmë raportimeve në media. Për rrjedhojë u forcua pushteti brenda qeverisjes i kryeministrit të sotëm, dhe ministrat humbën pothuajse krejtësisht përmbajtjen e tyre politike. Ata u bënë edhe më shumë persona që hiqen dhe vihen pa ndonjë pasojë politike. Aq shumë ka ikur larg kjo gjë saqë po të pyesësh njerëzit në rrugë, katër në pesë veta rrezik se nuk dinë se cili është ministër i këtij apo atij dikasteri.
Në krahun e opozitës, duhet thënë se hetimet i dhanë asaj një burim informacionesh të rëndësishme për të ndërtuar denoncimet e saj kundër qeverisjes dhe korrupsionit brenda saj. Po ashtu duhet thënë se vetë opozita, pd, ka dhënë kontribut me denoncimet e saj. Por, nga ana tjetër, veprimet e organeve të drejtësisë, duke vendosur në shenjestër edhe kreun e opozitës e dobësuan ndikimin e opozitës te një pjesë e mirë e elektoratit të pakënaqur.
Po kështu, opozita ra në kurthin e asaj që duke denoncuar korrupsionin, ka bllokuar cdo përpunim modelesh që kanë të bëjnë me propozime të reja për shqiptarët lidhur me ekonominë, shtetin, etj. Propaganda e saj jep të kuptojë se ajo beson se po të hiqen disa hajdutë dhe të vihen njerëz të ndershëm që beson se janë brenda saj, gjithçka do të ndryshojë për shqiptarët. Puna është se ky mesazh nuk i ka mjaftuar opinionit publik.
Pasoja kanë ardhur edhe ndaj mediave. Agjenda kryesore e tyre kanë qenë veprimet e prokurorëve të posaçëm, aq sa ka një lloj njehsim të raportimit mediatik dhe raporteve të hetimit. Cështjet sociale kanë dalë edhe më tepër në periferi të vëmendjes së gazetarëve. Në bisedat në studio në prime time kanë dalë në plan të parë cështjet që lidhen me hetimet e korrupsionit dhe për rjedhojë edhe gazetarë dhe analistë që me burime të ndryshme ngarkojnë hapësirën publike me përmbajtje hetimore, shifra, kontrata, etj., që sigurisht mbeten ,krejt të pakuptueshme nga audiencat. Ka një konvergjencë pra midis përmbajtjes së transmetuar në media dhe dosjeve hetimore, përse jo mund të thuhet se ato edhe ndikojnë deri në një farë mase njëra tjetrën.
Ka gazetarë që u duket se poqese nuk kopjojnë raporte hetimi dhe t’ja hedhin mbi kokë publikut si tulla nuk ja vlen të quhen të tillë! Gazetari është bërë një prokuror i dështuar, sikurse thoshim dikur në vitet 80 se traktoristi është një shofer i dështuar dhe shoferi një pilot i dështuar.
Reformën në drejtësi shqiptarët e kanë paguar goxha shtrenjtë. Nga njëra anë ajo që duket se shpresojnë të kenë fituar është hetimi i korrupsionit. Por, nga ana tjetër gjykata e niveleve të tjera, si penale ashtu edhe ato që gjykojnë çështje civile, për shkak të boshatisjes nga gjyqtarët, por jo vetëm, kanë vonesa të llahtarshme në shqyrtimin e dosjeve. Në një farë mase në jetën e përditshme shqiptari i sotëm merr me shumë vështirësi ose aspak drejtësi. Unë mendoj se kjo është hera e parë që i ndodh prej mijëra vitesh.
Mosbesimi te drejtësia, vonesat në shqyrtimin e çështjeve ka bërë që sidomos për çështjet e pronave të mbizotërojë kaosi i plotë. Ish pronarët ose pronarë të therë legjitimë nuk kanë ku të gjejnë drejtësi përballë rrëmbimit të pronave nga të fortë ose agjenci ekonomike private të lidhura me qeverinë ose me njerëz me pushtet.
Në planin e pritshmërive të opinionit publik
Opinioni publik fillimisht entuziast për luftën kundër korrupsionit tanimë është bërë më i mekur dhe shpreh pakënaqësi si për vonesën e hetimeve, ashtu edhe për vendosjen e shkaktarëve të korrupsionit përballë përgjegjësive penale.
Duke shqyrtuar me hollësi mijëra komente në rrjete sociale, shihet se janë bërë sunduese tre prirje kryesore.
E para, fataliteti. Bombardimi nga media me informacione mbi korrupsionin, hetimet e zgjatura, ndëshkimet që publikut i duken jo adekuate, i ka bërë shumë njerëz të mendojnë se korrupsioni e ka mundur të drejtën në këtë vend. Aktiviteti politik i opinionit publik të rënë në fatalizëm e ka bërë atë mosveprues. Kjo në fakt e ndihmon qeverisjen.
E dyta, frika. Frika nga të fortët, qofshin banda, qofshin elementë të krimit, qofshin qeveritarë të korruptuar. Individi nga populli sheh mbi kokën e tij një kështjellë si ato në filmat mesjetarë, ku pushteti i ligjshëm kushtetues nuk është veçse fasada që fsheh pushtete të tjera shumë më të fuqishme të paligjshme.
E treta, mosbesimi. Mosbesim kur sheh ndërthurje mes interesash financiare mes njerëzve me pushtet dhe atyre që hiqen opozitarë, si edhe kur gjykon se fundja ata që dënohen për korrupsion pas kryerjes së dënimit dalin të larë në jetën e lirë dhe gëzojnë pushtet financiar, lidhje shoqërore si edhe ndikim mbi vendimmarrjen politike.
Këtu ndikimi mbetet afatgjatë. Shihet se janë qindra njerëz nga administrata që përmenden në dosjet hetimore që qarkullojnë në media. Patjetër, nuk ka si të jetë ndryshe. Nëse një njeri me pushtet ka bërë krimin e korrupsionit, pas tij, kanë vepruar, me veprime ose mosveprime qindra e qindra të tjerë, me përfitime shumë të mëdha ose më të vogla.
Shoqëria prodhon krim të nivelit të lartë pikërisht sepse nuk ka një funksionim të qartë të mekanizmave të kontrollit të brendshëm në qeverisje.
Nga pikëpamja sociale çfarë do të bëhet me këtë shtresë sociale të inkriminuar? Ka një opinion që sidomos pjesa e lartë e këtij segmenti të shoqërisë, edhe nëse dënohet, pasi e kryen atë, rikthehet me pasuri, lidhje sociale, investime dhe pas disa vitesh do të rikthehet edhe në forma të ndryshme në qeverisje.
Do të riciklohet. Sikurse u ricikluan bejlerët nën Perandorinë osmane, në shtylla të shtetit të pavarur shqiptar, si u ricikluan zyrtarë të lartë të mbretërisë në oligarkë kuislingë të nazifashizmit, si u ricikluan individë nga shtresat e pasura në dinjitarë të lartë komunistë, dhe se si këta të fundit kontrolluan pushtetin edhe pas vitit fatal 1990. Ndoshta kështu do të riciklohen edhe të targetuarit nga hetimet e sotme në shtresën e pasur, të pashqetësuar në gjysmën e dytë të shekullit 21.
Hetimet ndaj korrupsionit janë një gjë pozitive përballë një shoqërie ku çdo qelizë po vdes nën metastazat e korrupsionit, pushteteve arbitrare, monopoleve. Por, në këtë fazë të parë, ato, pavarësisht tyre, kanë sjellë si pasoja kundra produktive dukuri sociale shumë shqetësuese.
Janë ato pagesa që ne duhet të bëjmë për hir të pastrimit të shoqërisë?
Janë ato tregues se procesi ka dalë nga dora?
Këtë do ta shohim deri aty në vitet 30.
Sa për tani qytetari kërruset edhe nën peshën e korrupsionit, edhe nën barrën e haraçit që paguan për atë që optimistët e quajnë betejë kundër korrupsionit.
“Korrupsioni është armiku i Republikës. Dhe të korruptuarit duhen goditur pa asnjë rrethanë lehtësuese, pa asnjë mëshirë. Të japësh solidaritet për arsye miqësie apo partie do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor i këtyre njerëzve të korruptuar.” (Sandro Pertini) ______________________ Sandro Pertini me këtë thënie donte të theksonte se korrupsioni është një rrezik për vetë shtetin dhe demokracinë. “Republika” këtu nënkupton shtetin, ligjin, institucionet dhe besimin e qytetarëve. Sipas tij, korrupsioni i shkatërron këto sepse: njerëzit humbasin besimin te drejtësia, pushteti përdoret për interesa private, ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë. “Të korruptuarit duhen goditur pa asnjë mëshirë...” nuk nënkupton dhunë fizike, por ndëshkim të fortë ligjor dhe moral, pa mbrojtje politike, pa justifikime dhe pa favorizime. “Të japësh solidaritet për arsye miqësie apo partie...” dmth ai kritikon zakonin që njerëzit mbrojnë një të korruptuar vetëm sepse është mik, pjesë e partisë së tyre, ose “njeriu i tyre”. Sipas Pertinit, kush mbron korrupsionin për interesa personale apo politike bëhet pjesë e problemit, pra “bashkëpunëtor”. ______________________ Sandro Pertini lindi në 25 shtator 1896, ishte një politikan socialist italian, antifashist dhe President i Republikës së Italisë nga 9 korriku 1978 deri më 29 qershor 1985. Ai konsiderohet ende sot si një nga presidentët më të respektuar dhe më të dashur në historinë italiane. Ai lindi në vitin 1896 në Liguria të Italisë dhe mori pjesë në Luftën e Parë Botërore. Më pas u bë aktiv kundër regjimit fashist të Benito Mussolini. Për shkak të aktivitetit antifashist u arrestua disa herë, u burgos dhe madje u dënua me vdekje gjatë Luftës së Dytë Botërore, por arriti të shpëtonte dhe iu bashkua rezistencës partizane italiane. Pas luftës ai ndihmoi në ndërtimin e Republikës Italiane dhe në hartimin e kushtetutës së re. Si president u bë simbol i ndershmërisë, thjeshtësisë dhe luftës kundër korrupsionit e mafies. Shumë italianë e kujtojnë edhe për karakterin e drejtpërdrejtë dhe afërsinë me njerëzit e zakonshëm. Në Itali shpesh quhet: “Presidenti i të gjithë italianëve.”
Ky eshte anetari me i ri i iniciatives se shoqerise civile "Per nxjerrjen nga kafazi dhe nderprerjen e hetimeve per qelbesirat e pafajshem te politikes"....., kryetari i kesaj levizje eshte Prof.Dr Mero Kari !!!!
Dire, sa qejf ke ta mbash në gojë këtë mbiemrin.!!!!
Ca do te thote ky me kete shkrimin. Qe hajdute si veliaj balluku dhe kryehajduti rama te vjedhin dhe mos hetohen, se shpenzojme per hetimet…
Profe, a nuk do të ishte më mirë ta tatojmë krimin dhe korrupsionin dhe nëpërmjet konkurencës ta falementonim? A e pranon filozofia këtë ide?!!
Korupsioni nuk eshte gje e re,ka egzistuar,egziston dhe do te jetoj gjithmon.A duhet te luftohet? Natyrisht duhet te luftohet forte e cdo dite.Qe te jete efikases lufta kunder korupsionit duhen njerez qe u dhimbset atdheu,u dhimbset populli dhe duan perparimin kombetar.Ne keto 36-vite njrez te tille nuk jane shfaqur,edhe ndonje ze i dobet eshte mbytur nga ajdutet dhe ledhatuar nga servilet.Dikur thonim qe Shqiperia kaloj nga feudalizmi ne "socializem"e po ecim ne rruge te "pa shkelura" dhe nuk e di a do te gjejme ndonjeher rrugen e duhur?Po nuk u zbatua ligji nuk do te kete ndryshim.