Kur Faik Konica shkruante me ironi therëse se “Nuk ka shqiptarë të rinj, po vetëm ca shqiptarë të lindur më parë, ca të lindur më pastaj”, duket sikur kishte parë me dylbi metafizike ndonjë mbledhje të sotme të Partisë Demokratike. Sepse në PD-në moderne ndodh një paradoks tipik shqiptar: biologjikisht ka të rinj, por politikisht shumë prej tyre sillen si pleq të lodhur të tranzicionit, të rraskapitur nga frika, kalkulimi dhe instinkti i mbijetesës pranë liderit historik.
Në pamje të parë, figura si Ilir Alimehmeti, Tomorr Alizoti apo Jorida Tabaku duken si fytyra të një opozite moderne europiane: flasin për institucione, konservatorizëm perëndimor, ekonomi tregu, meritokraci dhe standarde euro-atlantike. Në studio televizive japin përshtypjen e njerëzve që mund të ishin pjesë e ndonjë paneli në European Parliament apo të ndonjë forumi të NATO. Por sapo dera e selisë mbyllet dhe në sallë hyn Sali Berisha, gjithë moderniteti fillon të zbehet ose shuhet sipas rastit.
Aty shfaqet drama që Konica do ta kishte quajtur ndoshta “plakja e shpirtit shqiptar”. Një brez politikanësh që në moshë janë të rinj, por në sjellje politike duken sikur kanë lindur të lodhur. Asnjë revoltë reale, asnjë përplasje e sinqertë, asnjë guxim për të thënë publikisht atë që shumë prej tyre ndoshta e mendojnë privatisht: se një parti moderne nuk mund të sillet si sekt i përjetshëm rreth një lideri 82-vjeçar të shpallur “non grata”.
Por në vend të debatit, publiku sheh një ritual pothuajse ceremonial të mbrojtjes së liderit. Dikush thotë: “Doktori është i pazëvendësueshëm.” Tjetri shton: “PD nuk fiton pa Berishën.” Një tjetër deklaron me solemnitet tragjik: “Ai mbetet shpresa e opozitës.” Dhe kështu krijohet ai absurdi shqiptar ku njerëz që flasin çdo ditë për demokraci perëndimore sillen sikur partia e tyre është monarki emocionale me trashëgimi shpirtërore.
Jorida Tabaku përpiqet të ruajë profilin e teknokrates liberale, por çdo kritikë e saj ndaj lidershipit ndalet gjithmonë dy centimetra para vijës së kuqe. Tomorr Alizoti citon filozofë europianë dhe flet për krizën morale të Perëndimit, por përballë doktorit filozofia e tij shndërrohet në diplomaci fisi. Ilir Alimehmeti flet për racionalitet dhe institucione moderne, por në fund përfundon duke mbrojtur idenë se partia nuk mund të imagjinohet pa liderin historik.
Në selinë e Partisë Demokratike demokracia e brendshme ngjan si ato dyqanet shqiptare që mbajnë tabelën “supermarket europian”, por brenda shet po ai bakalli i lagjes me fletore borxhesh dhe logjikë fisi. Në letra ekzistojnë debatet, garat, mendimi ndryshe dhe pluralizmi konservator modern; në praktikë ekziston vetëm arti ballkanik i mbijetesës politike pranë kryetarit historik. Dhe në qendër të këtij universi teatral qëndron Sali Berisha, një figurë që nuk sillet thjesht si lider partie, por si përzierje mes patriarkut osman, profesorit autoritar dhe komandantit të fundit të një revolucioni që nuk mbaron kurrë. Rreth tij lëvizin figurat e brezit “europian” të PD-së, njerëz me kostume elegante, profile moderne, fjalor anglo-sakson dhe postime motivuese në rrjetet sociale, por që sapo futen në mbledhjen e kryesisë transformohen në personazhe groteske të një tragjikomedie tipike shqiptare ku të gjithë duken rebelë në studio televizive dhe të gjithë heshtin sapo ngrihet vetulla e doktorit.
Jorida Tabaku hyn zakonisht në debatet publike me tonin e një eksperteje të ekonomisë liberale europiane, me statistika, raporte dhe terminologji që të krijon përshtypjen se sapo ka dalë nga një panel i FMN (International Monetary Fund). Por sapo atmosfera tensionohet dhe tema afrohet tek lidershipi i partisë, gjithë ajo gjuhë reformash fillon të shkrihet dhe shterohet. “Duhet reflektim”, thotë ajo me zë të ulët. “Shumë mirë”, përgjigjet doktori, “reflekto sa të duash, por mos harro kush e ka shpikur opozitën në këtë vend.” Dhe aty mbaron revolucioni liberal. Jorida buzëqesh me atë buzëqeshjen tipike shqiptare të njeriut që përpiqet të duket europian ndërsa brenda mendon vetëm si të mos prishë ekuilibrin e fisit politik. Më pas del para kamerave dhe deklaron me seriozitet ceremonial: “Në PD ka debat të lirë dhe mendim ndryshe.” Një fjali që tingëllon si ato pankartat komuniste ku shkruhej “populli i lumtur marshon drejt së ardhmes”.
Tomorr Alizoti ndërkohë hyn gjithmonë në skenë me pamjen e aristokratit filozofik të humbur gabimisht në Ballkan. Flet për krizën morale të Perëndimit, për konservatorizmin anglez, për shpirtin europian dhe dekadencën moderne me tonin e dikujt që duket sikur po pret ftesën nga Universiteti i Harvardit. Por sapo gazetari e pyet drejtpërdrejt: “A duhet të largohet Berisha?”, filozofia e lartë shembet menjëherë në akrobaci folklorike shqiptare. “Partitë kanë nevojë për energji të reja, por edhe për eksperiencë historike”, thotë ai duke u djersitur lehtë. “Pra doktori?” pyet gazetari. “Doktori është histori.” “Po ju?” “Unë jam… kontributor.” Dhe aty publiku kupton se në Shqipëri edhe rebelimi bëhet me miratim noterial. Tomorri ngjan si ai studenti rebel që shkruan poezi kundër sistemit, por sapo hyn drejtori në klasë çohet në këmbë dhe thotë “mirëmëngjes shoku drejtor”.
Ilir Alimehmeti është ndoshta figura më tragjikomike e këtij tranzicioni opozitar. Ai sillet si teknokrat racional, flet me grafikë, statistika dhe analiza profesionale, duke të dhënë përshtypjen se politika shqiptare më në fund ka prodhuar një njeri normal. Në studio televizive duket si mjek zviceran i pilotuar ne ambientin politik të Tiranës. Flet për meritokraci, institucione funksionale dhe administrim modern, ndërsa përballë ka një realitet ku militantët matin suksesin politik me numrin e njerëzve që të çojnë në miting. Në një mbledhje imagjinare ai thotë seriozisht: “Duhet të modernizojmë partinë sipas standardeve europiane.” Dhe doktori i përgjigjet qetë: “Europa nuk të mbush kutitë e votimit në Kombinat, doktor.” Heshtje. Disa tundin kokën si nxënës të bindur. Iliri ul sytë dhe kupton se ka hyrë në një sistem ku algoritmi kryesor politik vazhdon të jetë telefoni i kryetarit dhe jo programi.
Dhe pastaj vjen episodi më grotesk i kësaj tragjikomedie: rasti i Ervin Salianji. Në fillim shumë prej këtyre figurave “rebele” e mbështetën, e promovuan si simbol të qëndresës opozitare dhe si zërin energjik të brezit të ri. Në studio televizive flisnin për guxim, sakrificë dhe solidaritet politik. Por sapo klima brenda partisë ndryshoi dhe instinkti i mbijetesës filloi të ndizte alarmet, shumë prej tyre u tërhoqën me shpejtësinë klasike të burokratit shqiptar që ndjen lëkundjen e karriges.
Në fillim ishin pranë tij me deklarata heroike; më pas filluan heshtjet diplomatike; në fund mbeti vetëm ai absurdi tipik shqiptar ku të gjithë thonë “e vlerësojmë”, por askush nuk rrezikon realisht për të. Një skenë që Konica do ta kishte përshkruar ndoshta si talentin kombëtar për të qenë trim në grup dhe realist sapo fiket kamera.
Dhe kështu vazhdon teatri grotesk i opozitës shqiptare: një galeri figurash që duan të duken si politikanë perëndimorë, por që sillen sipas kodit të vjetër ballkanik të bindjes ndaj prijësit. Në Instagram ngjajnë si deputetë të European Parliament, ndërsa në mbledhjet reale si oborrtarë të trembur në sarajin e një pashai politik. Të gjithë flasin për ndryshim, por askush nuk guxon të ndryshojë realisht raportin me liderin. Të gjithë predikojnë demokraci, por instinkti i tyre i parë mbetet mbijetesa pranë fronit. Dhe publiku shqiptar, i mësuar prej dekadash me këtë tragjikomedi, vazhdon ta ndjekë serialin me durimin fatalist të një populli që e di fundin e filmit, por prapë nuk ndërron kanal.
Nëse PD kërkon të rikthehet si alternativë serioze qeverisëse, sfida e saj reale nuk është vetëm të kritikojë kundërshtarin politik, por të bindë publikun se është e aftë të modernizojë vetveten. Sepse një parti e djathtë europiane nuk ndërtohet mbi nostalgjinë e së shkuarës, por mbi aftësinë për të prodhuar ide të reja, institucione të forta dhe lidership që pranon rotacionin si shenjë force dhe jo si kërcënim.
Mendoj se ky postim ka mangesi! Mungesa e nje shqyrtimi analitike per katershen "cilesore" te PD si F.Noka, K. Balliu pacja, Belo simpatiku, Gaz Gaz B. eshte ndoshta difekti I kesaj analize te mrekullueshme. Shpresoj ky autor te na e plotesoj kete boshllek, me qellim qe te kuptojme mire se cfare karikature eshte sot PD, ne metrat e fundit te .....
Bravo Artan Nati. Nje skaner i perkryer i gjendjes se kesaj partie te degraduar pikerisht nga pleqeria e thelle qe ka kapluar si te vjetrit ashtu dhe te rinjte e lindur te vjeter e te lodhur qe vegjetojnë me nje hipokrizi te frikshme. Por opozita, si e paafte qe eshte, e ka arritur dakordesine me maxhorancen: "ju vellezer te maxhorances ecni, mos u ndalni, vidhni sa te mundeni e beni çfar tu doje qejfi, ne e dime që me një plak te rrjedhur e nongrata nuk vijmë kurre ne pushtet. Ne do ju shajmë me liber shtepie, mos u merzisni, keshtu e do loja loja, ne duam qe nga ato qe vidhni na jepni edhe neve nje racion, çfar tu doje e bardha zemer, na jipni tendera, ate duam ne pa per te qeverisur nuk na kercet fare". Dhe më tej: " në se ti Larmadheri (Rama) ke ndonje problem brenda partise tende, do te heqesh ndonjerin qafe, na thuaj ne, na jep paratë per te paguar protestues shqiptar apo te huaj dhe i a nxijme jeten ne atyre qe te shqetesojne Ty. Do ti vesh hekurat ndonjë të paudhi? Na thaj ore burre i dheut, SPAK-un tonin kemi e rrasim brenda per tre ditë". Prandaj nuk bën para ky vend. Respekte per Ju Z. Nati.
Konica nuk ka parashikuar te ardhmen Thjesht ai ka pasqyruar realitetin e kohes ku jetoj dhe Shqiperia ska ndryshuar nga ajo kohe
Këto janë rahur të vegjel, prandaj e mbajnë bishtin ulur kur ju del Berisha para!
Autori merret me qent qe e mbajne veten per njerez,e jo me qente e vertet, si belo, ballu,noka etj.