Mirdita nuk është thjesht territor, por identitet

23 Maj 2026, 13:20Blog TEMA
Mirdita nuk është thjesht territor, por identitet

Nga Plarent Ndreca

Kam ndjekur me vëmendje nga larg, debatin që po zhvillohet sot mbi reformën e re administrative dhe përpjekjen e dy forcave kryesore politike për të ndërtuar një hartë të re territoriale për Shqipërinë. Gjatë kësaj kohe kam pasur edhe debate me mikun tim Arb Mazniku mbi mënyrën se si po trajtohet në këtë proces Mirdita. Sa herë jemi ngritur nga tavolina, jemi ndarë me një dakordësi të pa qartë, por të mirëkuptueshme dhe miqësore.

Më duhet të them që në krye të herës, pa asnjë hezitim, se kjo reformë është një hap i rëndësishëm dhe meriton respekt për mënyrën se si po trajtohet deri tani nga dy bashkëkryetarët e komisionit. Vetë fakti që po ndërtohet përmes konsultimeve publike dhe një debati më të hapur sesa zakonisht ndodh në Shqipëri, është një vlerë në vetvete dhe meriton vlerësim të padiskutueshëm.

Pikërisht këtij debati synon t’i shërbejë edhe ky shkrim.

Meraku im mbetet Mirdita.

Kam frikë se edhe kësaj here ajo po shihet vetëm përmes syrit të ekonomisë, urbanizimit dhe eficiencës burokratike. Po trajtohet si një njësi administrative që mund të zvogëlohet apo bashkohet sipas logjikës së tregut dhe indikatorëve statistikorë. Mirdita është më shumë se territor. Është frymë. Është identitet. Dhe identitetet nuk maten me kilometra katrorë, me dendësi popullsie apo me volum taksash. Reforma administrative nuk është thjesht çështje organizimi teknik të pushtetit vendor. Nuk është vetëm matematikë buxhetore apo eficiencë administrative.

Ajo është, mbi të gjitha, një ndërhyrje në memorien historike, në vetëdijen kolektive dhe në mënyrën se si një komb zgjedh të kuptojë vetveten. Zhvillim, po. Modernizim, patjetër. Por duke respektuar rrënjët historike që e kanë mbajtur gjallë këtë komb, e jo duke i sheshuar ato në emër të uniformitetit administrativ.

Mirdita nuk është krijim zyrash apo vijash të vizatuara mbi hartë. Ajo është një nga shtyllat më të forta identitare të shqiptarëve. Ishte republika morale e shqiptarisë. Mirditorët ishin spartanët e maleve shqiptare. Për pesë shekuj, Mirdita mbeti një nga zonat më të mëdha e më autonome shqiptare përballë Perandorisë Osmane, duke arritur deri në nivelin e një principate të njohur edhe në kancelari perëndimore. Kjo autonomi bëri të mundur ruajtjen e një organizimi unik juridik, kulturor dhe moral.

Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk ishte thjesht një ligj zakonor. Ishte monument juridik i vetëdijes shqiptare. Ishte përpjekja e maleve shqiptare për të ndërtuar drejtësi, rend dhe dinjitet në kohë pushtimesh e mungese shteti.

Kisha e Abat Doçit në Orosh nuk ishte thjesht një vend lutjeje. Ishte institucion kombformues. Pikërisht aty, në ato male që sot disa i shohin si kosto ekonomike, u mbrojt gjuha shqipe, u ruajt kultura dhe u ushqye mendimi kombëtar. Arkitekti i alfabetit që sot shkruajmë e lexojmë ishte pikërisht Abati i Oroshit dhe “Shoqnia Bashkimi” e tij.

Edhe dera e Gjomarkajve nuk ishte ajo që u dizenjua për pesëdhjetë vite nga propaganda komuniste, një derë feudalësh të etur për pushtet. Ajo ishte derë e autoritetit moral, vazhdimësisë historike dhe zëri i respektuar i atyre maleve në kancelaritë shqiptare e të huaja. Ishte dera garante e një bote ku ruheshin ligji, besa, nderi, fjala dhe krenaria e një populli që nuk pranoi të humbte identitetin e vet.

Mirdita u kthye kështu në një nga hapësirat më të mëdha dhe homogjene shqiptare, të bashkuar nga një ligj, një kulturë, një kujtesë historike dhe nga autoriteti moral i kishës katolike romane dhe derës së Gjomarkajve. Për pesë shekuj, kjo specifikë u respektua — qoftë edhe mes tensionesh — nga Perandoria Osmane, nga shteti i ri shqiptar dhe më pas edhe nga Mbreti Zog.

Pastaj erdhi terrori i uniformitetit.

Komunizmi nuk pranonte identitete organike. Nuk pranonte male të larta veç fusha të lëmuara. Nuk pranonte kujtesë historike. Nuk pranonte besë, fe, traditë apo autoritet moral jashtë partisë dhe ideologjisë së saj uniformizuese. Ndaj goditja e parë e madhe ndaj Mirditës ishte pikërisht reforma e shtetit totalitar. Shitur si reformë territori, por në fakt një operacion terrori ideologjik.

Mirdita duhej copëzuar. Duhej dobësuar. Duhej tretur. Zona të tëra iu kaluan krahinave të tjera, ku vijojnë të jenë edhe sot. Oroshi duhej zbehur. Kujtesa duhej çmontuar. Kleri katolik u vra, u internua apo u shkatërrua. Operacione të mëdha ushtarake u zhvilluan për të goditur strukturën shoqërore të ngritur ndër shekuj. Ishte një përpjekje brutale në emër të modernizimit, për të zhdukur jo thjesht një territor, por një mënyrë shqiptare të jetuari. Megjithatë, Mirdita mbijetoi. Mbijetoi si kulturë. Si krenari. Si kujtesë. Si lidhje e pashkëputshme me tokën e të parëve.

Sigurisht, ne duhet me patjetër të ndërtojmë një shtet modern, një shtet evropian, një pushtet lokal të fortë ekonomikisht dhe administrativisht. Por në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë kurrë origjinën tonë, nga kemi ardhur dhe çfarë përfaqësojmë. Nuk duhet të harrojmë kurrë rrënjët tona që zbresin thellë në atë tokë ku prehen të parët tanë, një pjesë e madhe e të cilëve dhanë jetën dhe shkrinë gjithçka në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar; pa të cilin, ndoshta sot nuk do të kishim as shtet, as komb, e askush nuk do të na njihte si shqiptarë.

Pikërisht kombinimi i këtyre dy faktorëve — modernizimit dhe ruajtjes së vlerave — do t’i rikthente Mirditës ekonominë e munguar, zhvillimin, modernitetin, por edhe ruajtjen e asaj çka ajo përfaqëson. Sepse zhvillimi i vërtetë ndërtohet mbi kujtesën historike si energji për të ardhmen. Jo gjithçka matet me ekonomi. Jo gjithçka zgjidhet me urbanizim. Jo gjithçka mund të shkrihet në logjikën sterile të eficiencës administrative.

Kombet që harrojnë rrënjët e tyre mund të ndërtojnë qytete më të mëdha, por rrezikojnë të mbeten pa emër. Shqipëria nuk duhet të integrohet duke pushuar së qeni vetvetja. Integrim, por si shqiptarë; modernizim, por me vlerat tona; reformë administrative, por me respekt për historinë dhe identitetin. Identiteti nuk është pengesë për zhvillimin, ai është arsyeja pse zhvillimi ka kuptim.

Ndaj ne duhet ta mbajmë lidhjen tonë me Mirditën. Ajo i ka dhënë gjithçka shqiptarisë. Nuk ka asnjë borxh ndaj nesh. Ne jemi ata që i kemi borxh asaj që të mos ia shuajmë emrin, të mos ia tresim kujtesën dhe të mos ia fshijmë kufijt e identitetit historik, politik dhe administrativ. Një mirditor, sado larg të shkojë, sado modern të bëhet, sado i shkëputur të duket nga vendlindja, nuk i shet trojet e tij. Ai gjithmonë mban një sy nga origjina dhe nga varret e të parëve të tij. Është një lidhje që nuk e këputën pushtuesit, nuk e këputi komunizmi dhe nuk duhet ta këpusë as reforma moderne.

Askush nuk e ka shprehur më bukur këtë lidhje sesa i madhi At Gjergj Fishta kur thoshte: “Edhe unë nga ai vend jam… e trojet e të parëve në Mirditë as nuk i kam shitë, as nuk i kam falë.”

Ndaj i dashur Arb, modernitet, ekonomi shkalle dhe eficiencë po. Patjetër. Por pa humbur emrin e madh e të bukur të atij vendi që është ruajtur me aq sakrifica, gjak dhe krenari ndër shekuj.

10 Komente

  1. A
    Arjan

    Padrejtesite e komunizmit qe i jane bere Mirdites duhet te ishin zhbere qe me ndryshimin e sistemit. Nese nuk ndryshojne qendrim ndaj Mirdites, do te mendoj se kemi te bejme me shkelje qe po i behet asaj zone historike. Kthim ne kufijte historike eshte ajo qe nevojitet te behet per Mirditen.

    Përgjigjjuni
    1. M
      Mirditori

      " Mirdita ishte republika morale e shqiptarisë." O Ndrecë ! Edhe 500 vjet të kalojnë, ju mbeteni mesjetarë nga mentaliteti dhe kultura. Ç'është kjo " republika morale e shqiptarisë " ?! Mos e ke fjalën për " Republikën e Mirditës " që bajraktari yt idhull deshi të krijonte duke ia shkëputur Shqipërisë dhe duke e lidhur me Serbinë ?! Kujt ia shet këto broçkulla fshatareske, krahinore dhe mesjetare ? Budallenjve të pafund që ndodhen në Mirditë dhe në të gjithë Shqipërinë ? Shkrimi yt meriton një kundërshkrim të gjatë, por është gjë që s'ia vlen kur kemi parasysh nivelin aktual kulturor dhe moral të shumicës së shqiptarëve. Gjithësesi, vetëm pak fjalë: Mirdita ka qenë njëra nga hapësirat e banuara nga shqiptarët me nivelin më të ulët kulturor, jo vetëm në Evropë, por edhe në Shqipëri. Edith Durham e përcaktonte nivelin e zhvillimit ekonomik dhe, sidomos, kulturor, të Mirditës së fillimit të shekullit të 20-të të barabartë me nivelin e zhvillimit evropiano-perëndimor të shek. të 4-t. Bajraktarin jua ka caktuar ( si gjithëkund tjetër ) pushtuesi turk, dhe ajo që ti, dhe dhjetëra mirditorë të tjerë përsërisni pa pushim rreth " pavarësisë së Mirditës " është një përrallë. Mirdita, dhe asnjë hapësirë në pushtimet osmane nuk ka qenë e pavarur, por gëzonte njëfarë autonomie me kusht që Turqisë t'i paguante çdo vit një haraç dhe t'i vinte në dispozicion ushtarë ( merecenarë ) kur ajo të kishte nevojë. edhe në Revolucionin grek për pavarësi, në vitin 1921, forca të shumta mercenare nga Mirdita u rreshtuan me ushtrinë turka. Atje u vra edhe Lleshi i Zi prej Mirditës. Sa i përket Derës së Bajraktarit ( Kapidanit ), që ti dukesh se e adhuron ende ( për fatin tënd të keq kulturor dhe moral ), më duhet të them se ka qenë fisi ( dera ) më reaksionare dhe e prapambetur e viseve shqiptare, shërbëtore e të gjithë pushtuesve. Amerikani Harry Fultz i vlerëson Gjomarkajt ( në relacionet drejtuar qeverisë së tij në 1944 ) si " pjesa më reaksionare dhe antidemokratike e Shqipërisë ". Lexo gjithashtu çfarë thotë prifti italian Leone Negris (përfaqsues i Vatikanit në Shqipëri 1938-1945 ) pë kapidanin tuaj, si njeri që sheh vetëm interesat e veta financiare e sunduese dhe i keqpërdor mirditorët për interesat e veta. A nuk ishte ky kapidan dhe tufa e budallenjve që i shkonin mbrapa, që vrau luftëtarët e lirisë ( heronjt e Vigut ), që vrau mësuesin Ndrec Ndue Gjoka i cili i kërkonte qeverisë shqiptare të 1945 të hapte 50 shkolla në Mirditë, që vrau deputetin Bardhok Biba, i cili, pasi fali gjakun e vëllait, i bëri thirrje Mirditës për faljen e gjaqeve ? A nuk ishit ju " të kapidanit " që vratë vajzat mirditore vetëm pse shkuan në aksione për ndërtimin e vendit ( dhe, madje, i shpërfytyruat, duke iu prerë pjesë të trupit ? Regjimi komunist ju ka bërë shumë " padrejtësi " juve të Mirditës: Ju solli shkollat për të mësuar shkrim e këndim pasi ishit 90% analfabetë; ju solli dritën elektrike pasi ndriçoheshit me pishë e kandil; ju solli rrugën e asfaltuar automobilistike dhe hekurudhën; ju solli mjekun, infermieren dhe mamitë, që as ia kishit idenë çfarë ishin, por shkonit tek fallxhoret kur kishit probleme shëndetësore " me ju pa lungën në qafë dhe me ju heqë mëninë "; ju zhvilloi industrinë minerare, drusore dhe gjeologjike etj.etj. Vrau shumëprej jush ? Po, është e vërtetë, siç është e vërtetë që shumica e të vrarëve ishin disa budallenj dhe maskarenj që e kalonin ditën nëpër shpella dhe natën paçkisnin, vidhnin dhe vrisnin njerëz të pafajshëm sepse " kështu ka urdhnue kapidani ", dhe kur e shihnin bythën pisk, dilnin në Jugosllavi e Greqi dhe faleshin tek UDB apo Asfalia dhe ktheheshin në Shqipëri për të kryer akte terroriste.

      Përgjigjjuni
      1. R
        R. T.

        Mos harro qe eshte krahina qe i ka sherby me shume Perandorise Osmane . Jenicieret mirditore ishin me kriminelet dhe me gjaksoret ne ushtrine Osmane . Njerez te pa bese te pafe . Thone jemi katolike te betuar po kane luftuar vetem ne krah te kundershtareve te katolikeve . Ne luften e pare boterore ne krah te ushtrise serbe kane bere 4 masakra mmbi kroatet e pafajshem katolike . Ka dokumente sa te duash ne arkivat e Zagrebit .fatkeqesisht regjimi i komunist ja fshiu per interesa politike shume deme qe keto i kane bere shqiptarizmit . Permendet Esat Pasha qe lejoi ushtrine e krajlit te kaloje ne Shqiperi pasi u shpartallua ne Selanik . Por asnjehere nuk u permend se ishte Kapidani i Mirdites garantuesi n1 i asaj mareveshjes sepse Esat Pasha vetem Shqiperine e mesme kishte influence e pa bashkpunimin e Kapidanit ajo mareveshje kishte zero vlere .

        Përgjigjjuni
    2. N
      Nora

      Po ju te ardhur jeni, mirditoret e vertete jane ne jug...shquheni per mercenar dhe si te pabese, te tjerat jane fjale

      Përgjigjjuni
      1. D
        Doda

        50% e popullsise eshte larguar nga Mirdita per ne qytete te medha per jete me te mire. Kjo nuk ndalet me.

        Përgjigjjuni
        1. h
          hila

          Bravo te qofte, nje shkrim shum i drejte e me vend, Mirdita e mirditoret gjithnje te mencur e atdhetare ka ken, mire do ishte edhe ne ndarjen teritoriale te ishte nje e tan Mirdita.

          Përgjigjjuni
          1. "
            "..."

            Po, bre!... Qe tash t'tanve po u apim n'ai bajrak n'troje t'Shqypnas, or taj. E tan Shqypnaja qe atje e ka bash djepin! Yrrnek, për tan trojet ku ka shqyptar. Edhe ADN-ja siç po i then qetash atij rodit i përket, si Gjergji i Fishtajve dhe princi Gjoni i Markagjonajve, ma patriot se gjith gjendja. Qenë pikërisht këto mbeturina mesjetare, që mendonin si ti sot, që vranë Bardhukun, që vranë Martën dhe Prendën, për të vetmin faj, veç sepse donin përparimin e Mirditës dhe krejt vendit (pa filmat imagjinarë me komunista që thithin gjak dhe shkatërruan shqipërinë u iku koha, qenë për kalamajtë e kopështit të viteve '90-të). Për Markagjonajt as hidrocentralet, as hekurudhat nuk do të ndërtoheshon. Për don Markët e Palët edhe sot do të valonte kanuni i Lekës mesjetar, se veç ashtu, nën mbulesën "pricërore" dhe fetare, e mbanin të përçarë popullin krenar të kësaj krahine; në dije e emancipim. Mirdita nuk është muze: "tash po shohim mirditorët". Mirditën nuk e bëjnë bajraktarët e pasunarët, sado me emër qofshin, por e bën populli mirditor, të diturit dhe progresistët që ka nxjerrë ajo krahinë. Ene Zogi e paç pas fryk, se i lëshonte Mirditoret në kurriz Gjoni. Madje, dikur, krijuan edhe një republikë katolike romane (jo shqiptate), e "pavarur"!!! E kush po ja mohon burrërinë, besën, mikpritjen, punëdashjen mirditorëve dhe të gjitha asetet e mira që kanë. Por pa dyshim në një shtet demokratik, laik dhe ligjor, nuk mund të jetojmë me bajraktarizma dhe s'ka pse feja të futet në politikë. Mirditoret nuk jetojnë të izoluar si indianët e Amerikës; në "kafazin" e quajtur Mirditë. Është krahinë si të gjitha të tjerat, krenare njëlloj edhe ato. Ndarja administrative ka të bëjë edhe me administrimin, veç të tjerave. E dini? Si shëmbull sinjifikativ mjaft eterogjen: Shtrirjet e Vakëfeve, janë ndarë, Vithkuqi etnografikisht i përket Kolonjë, por administrativisht i ka kaluar Korçës? Po që Leskoviku është krahinë më vete, por administrativisht i ka kaluar Kolonjës? Kështu, i ndetuar avokat, mos e merr rrëmbyer. Periferitë gjithmon, administrativisht, lidhen me qendrat më të afërta administrative. Krijon lehtësi për banorët dhe ul kostot menaxhuese; etninë, veç tokës, e ruajnë zakonet e mira të banorëve vendas, jo pronat e bajraqeve apo ato të klerit.

            Përgjigjjuni
            1. R
              Rrubik guesthouse

              Mirdita e lashte per te cilin flet ky biseksuali ka vdekur, i duken poltronat e meihanet e tiranes si sofra nderi, nuk perfaqson mirditen ky njeri vetem familjen e tij mos ia vini veshin

              Përgjigjjuni
              1. k
                kacidhja

                Akoma me psikologjine e feudalizmit te hershem,te shekujve 4-5 te eres se re.Fisi , Lek Dukagjini bajraku,Gjomarkaj etj qe e zhvilluan aq shume popullin shqiptar dhe e vendosen ne krye te popujve te Ballkanit dhe Europes.Hajde Ndrec vazhdo...........

                Përgjigjjuni
                1. T
                  Tostao

                  Mirdita e ka vendin në Evropë.

                  Përgjigjjuni

                  Lini një Përgjigje