Muzetë bashkojnë në një botë të përçarë

18 Maj 2026, 09:00Blog Nga Dr Dorian Koçi

Në shekullin XIX, muzetë u krijuan shpesh si pasqyrim i kombformimit dhe shtetformimit. Ata ekspozonin fitoret kombëtare, lartësonin heronjtë kombëtarë  dhe formësonin identitetet kolektive në një kohë kur shtetet moderne po lindnin në Europë dhe më gjerë. Institucione si Muzeu i Louvre-it,  British Museum apo Muzetë Histroikë Kombëtarë nuk ishin një ekspozim objektesh muzealë; por u hapësirat e tyre u shndrruan në tempuj të kujtesës, vende ku kombet rrëfenin vetveten para qytetarëve të tyre dhe botës. Megjithatë pavarësisht këtij misioni fisnik në agun e krijimeve të shteteve kombëtarë, muzetë ishin edhe pasqyrim i filozofisë shteformuese  të kohës së tyre. Shumë prej tyre pasqyronin vizione perandorake, kujtesa kombëtare të përzgjedhura nga e shkuara dhe rrëfime zyrtare  të së shkuarës që shpesh përjashtonin pakicat apo historitë e pakëndshme që binin ndesh me historinë zyrtare. Kësisoj në shoqëri të përçara, muzetë ndonjëherë u shndërruan në pasqyra të vetë përçarjes.

Sot, misioni i tyre po transformohet thellësisht.

Në epokën tonë të shënuar nga polarizimi, luftërat, migracioni dhe ri interpretimet konkurruese të historisë, muzetë po bëhen gjithnjë e më shumë hapësira dialogu dhe jo monumente të së vërtetës absolute. Muzeu bashkëkohor nuk rrëfen më historinë më me një zë të vetëm. Ai është shnrruar në një hapësirë ku ndërkomunikohet dhe qyetari ftohet  të  reflektojë mbi të shkuarën.Transformimi më i rëndësishëm i muzeve në shekullin XXI është aftësia e tyre për të përfaqësuar memorie kolektive dhe qytetare të shumëfishta brenda të njëjtës hapësirë. Një muze sot mund të tregojë historinë e konfliktit dhe njëkohësisht të krijojë mundësinë e pajtimit.

Shembujt në botë e dëshmojnë këtë rol të ri. POLIN Museum, muzeumi i historisë së hebrenjve në Poloni paraqet shekuj të jetës hebraike në Poloni jo vetëm përmes tragjedisë, por edhe përmes bashkëjetesës dhe kontributit kulturor. Apartheid Museum përballet me trashëgiminë e dhimbshme të segregacionit racor duke nxitur ndërgjegjen demokratike dhe dinjitetin njerëzor. Në Ballkan, muzetë e kujtesës dhe bashkëjetesës që janë ndërtuar tashmë së fundmi po përpiqen gjithnjë e më shumë të paraqesin histori që dikur përjashtoheshin  nga ideologjitë apo nacionalizmat.

Muzetë kanë aftësinë e veçantë për ta humanizuar historinë. Debatet politike i ndajnë njerëzit në kampe politike; muzetë ia rikthejnë historinë jetëve individuale, objekteve personale, dëshmive, fotografive dhe emocioneve. Një këpucë fëmije nga lufta, një letër e shkruar në mërgim apo një fotografi familjare e shpëtuar nga shkatërrimi mund të flasin më fuqishëm sesa parrulat politike të kohës.

Në këtë kuptim, muzetë nga hapësira ekspozimi kthehen në ura midis brezave dhe komuniteteve civile. Ata krijojnë kësisoj një empati qytetare shumë të rëndësishme për një pjesëmarje të qytetarëve në rrëfimin e së shkuarës dhe krijimin e një debati qytetar mbi mësimet nga e kaluara.

Teknologjia digjitale e ka zgjeruar më tej këtë rol. Ekspozitat virtuale, arkivat e historisë orale dhe rrëfimi interaktiv tashmë u mundësojnë muzeve të kapërcejnë kufijtë dhe të lidhin audienca globale. Memorja nuk mbetet më e mbyllur brenda hapësirave muzeale; ajo udhëton mes shoqërive dhe kulturave.

Por, pavarësisht këtij roli gjithnjë e më aktiv në shoqëri e ardhmja e muzeve varet nga guximi: guximi për t’u përballur me histori të vështira të së shkuarës me ndershmëri e profesinalizëm, për të përfshirë zërat e margjinalizuar dhe për ta kthyer kujtesën në një dialog qytetar. Një muze që vetëm glorifikon të kaluarën rrezikon të bëhet i parëndësishëm. Një muze që nxit mirëkuptimin bëhet një institucion i gjallë.

Në një botë të përçarë, muzetë na kujtojnë se historia nuk ka të bëjë vetëm me atë që na ndan, por edhe me atë që njerëzimi ka përjetuar së bashku.Dhe ndoshta ky është misioni i tyre më i madh sot: jo thjesht të ruajnë dhe ekspozojnë objekte, por të mbrojnë kujtesën kolektive qytetare dhe krijojnë  mundësinë për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin.


Editorial i shkruar në Ditën Nërkombëtare të Muzeumeve. Autori ka drejtuar Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë 2017-2023.