Republika pa një ditë republike

16 Maj 2026, 09:00Blog Nga Thoma Gëllçi

E theksoj që në fillim se ky shkrim nuk ka të bëjë me Ditën e Republikës. Ne kemi mësuar nga historia se më 11 janar 1946, Shqipëria u shpall zyrtarisht republikë. Por ajo që kemi mësuar në librat e historisë nuk ekziston më në kujtesën publike. Nuk festohet. Nuk përkujtohet. Nuk ka ceremoni shtetërore, nuk ka reflektim kombëtar, nuk ka asnjë ndjesi se aty filloi forma politike në të cilën jetojmë edhe sot.

Pavarësisht se sistemi komunist ra dhe kemi ndryshuar disa kushtetuta gjatë kësaj kohe, Shqipëria mbeti po ajo republikë. Nuk kemi një datë të dytë themelimi. Nuk kemi një “republikë të re”. Nuk kemi një moment historik ku shqiptarët të jenë mbledhur e të kenë vendosur solemnisht parimet mbi të cilat ndërtohet shteti modern shqiptar.

11 janari kujtohet zakonisht vetëm si dita kur komunistët vulosën pushtetin e tyre. Dhe me të drejtë, sepse republika shqiptare lindi nën hijen e një sistemi totalitar. Por ky shkrim nuk e ka objekt këtë moment historik. Problemi është se Shqipëria nuk arriti kurrë ta çlirojë republikën nga ajo lindje politike. Tridhjetë e ca vite tranzicion kanë treguar se nuk kemi një kulturë republikane që të ishte më e fortë se regjimet dhe partitë.

Prandaj sot jetojmë në një shtet që quhet republikë, por që rrallëherë funksionon si e tillë.

Republika nuk është vetëm një formë juridike. Nuk mjafton të heqësh mbretin apo të shkruash në kushtetutë “Republika e Shqipërisë”. Republika është një filozofi e organizimit të pushtetit. Është ideja që askush nuk është mbi ligjin. Që pushtetet kontrollojnë njëri-tjetrin. Që institucionet nuk ndërtohen për t’i shërbyer liderit të radhës, por qytetarit.

Në Shqipëri ndodhi e kundërta. Ne morëm fjalën “republikë” (vetëm fjalën, as datën e krijimit jo), por nuk ndërtuam dot kulturën e saj.

Në vend të një modeli organik, krijuam një shtet të improvizuar me pjesë të marra nga çdo cep i botës. Ca ligje nga francezët, ca kode nga italianët, ca procedura nga gjermanët, ca institucione nga amerikanët, ca zakone administrative nga lindja komuniste dhe ca refleks oriental të bindjes ndaj njeriut të fortë.

Kemi parlament si anglezët, por me disiplinë partie që do ta kishte zili edhe Byroja Politike. Kemi institucione “të pavarura” si në Perëndim, por me kulturë besnikërie personale ndaj pushtetit. Kemi retorikë kushtetuese moderne dhe praktikë politike feudale. Përziejmë demokracitë monarkike evropiane me mënyrën e sundimit të oborreve orientale dhe në fund prodhojmë një sistem që nuk ngjan plotësisht me asgjë.

Republika shqiptare është bërë një konstruksion i çuditshëm ku ligjet nuk ndërtojnë rend, por shtohen mbi njëra-tjetrën si kate pa projekt. Njëlloj si Kushtetuta e Shqipërisë, që ndryshohet sa herë që shtrëngojnë duart Rama me Berishën, apo kur ndonjë ambasador kërkon ndonjë reformë sui generis nga shqiptarët.

Dhe sa herë sistemi hyn në krizë, përgjigjja jonë nuk është forcimi i institucioneve ekzistuese, por shpikja e institucioneve të reja duke ndryshuar kushtetutën. Çdo krizë prodhon një strukturë të re, një komision të ri, një agjenci të re, një mekanizëm të ri “të posaçëm”. Është bërë Kushtetuta me aq amendamente dhe arnime sa që nuk do ta njihte as krijuesi. I ka mbetur pa ndryshuar vetëm fjala Republikë.

Ne, në vend që të korrigjojmë shtetin, shtojmë shtetin mbi shtet.

Lexova sot një shkrim nga Ylli Manjani për një temë të cilën ai e ka ngritur shpesh si shqetësim: mania shqiptare për t’i vendosur “mballoma” kushtetutës. Sa herë që sistemi nuk funksionon, ne nuk analizojmë pse dështojnë institucionet ekzistuese; ne krijojmë institucione paralele. Dhe kështu republika shqiptare ka nisur të ngjajë jo me një arkitekturë logjike pushtetesh, por me një ndërtesë të vjetër ku çdo qeveri shton një dhomë sipas nevojës së momentit.

Krijojmë organe të posaçme, struktura speciale, mekanizma të jashtëzakonshëm, kompetenca hibride, institucione që nuk kontrollojnë njëri-tjetrin sipas frymës klasike republikane, por mbivendosen mbi njëri-tjetrin në mënyrë konfuze.

Por në Shqipëri kemi krijuar një sistem ku pushtetet jo vetëm ndërhyjnë tek njëri-tjetri, por shpesh krijojnë zona gri ku askush nuk mban përgjegjësi të plotë. Institucionet e reja lindin me kompetenca të gjera, me mbështetje ndërkombëtare, me status moral superior ndaj institucioneve të tjera, dhe gradualisht krijohet ideja se republika nuk funksionon më përmes ekuilibrit, por përmes përjashtimeve.

Çdo gjë bëhet “speciale”. Prokurori speciale. Gjykata speciale. Struktura speciale. Ligje speciale. Kompetenca speciale.

Por republika nuk mbahet nga institucione heroike dhe as nga “heronjtë e fëmijëve të Kimit”. Republika mbahet nga institucione normale që funksionojnë normalisht.

Në Shqipëri ne kemi humbur besimin tek normaliteti. Kemi bindjen se çdo problem zgjidhet vetëm me një mekanizëm të jashtëzakonshëm. Dhe kështu kemi ndërtuar një shtet ku askush nuk është plotësisht sovran në kompetencën e vet, por të gjithë mbivendosen mbi njëri-tjetrin.

Parlamenti kontrollon qeverinë në teori, por shumica parlamentare kontrollon parlamentin. Institucionet e pavarura kontrollohen nga interesat politike që i emërojnë. Drejtësia kërkon pavarësi, por njëkohësisht kerkon qe te jete ”patjeter e posacme” jashte sistemit te Republikes por si dicka ekstra ligjore.

Ai nuk di më kush mban përgjegjësi. Nuk di kush vendos realisht. Nuk di kush kontrollon kë. Nuk di kush përgjigjet për dështimet. Dhe kur qytetari nuk arrin të kuptojë arkitekturën e shtetit të vet, republika fillon të largohet nga qytetari dhe të kthehet në pronë të kastës politike dhe juridike.

Kjo është arsyeja pse shqiptarët kanë një marrëdhënie të ftohtë me shtetin. Ata nuk e ndjejnë republikën si krijim të tyre. E shohin si një mekanizëm të largët, të paqartë dhe shpesh armiqësor. E shohin si krijim të një pushteti armiqësor.

Në republikat e konsoliduara ekziston një kulturë institucionale që i mbijeton qeverive. Në Shqipëri institucionet ndryshojnë frymë sa herë ndryshon pushteti. Administrata nuk i bindet shtetit, por partisë. Ligji interpretohet sipas interesit politik të ditës. Dhe çdo shumicë sillet jo si administratore e përkohshme e republikës, por si pronare e saj.

Kjo trashëgimi nuk është vetëm komuniste. Është më e thellë. Shqipëria historikisht ka pasur vështirësi të ndërtojë institucione impersonale. Pushteti gjithmonë është lidhur me individin, me kryetarin, me figurën dominuese. Edhe sot politika shqiptare funksionon më shumë mbi besnikërinë personale sesa mbi filozofinë institucionale.

Prandaj ne kemi liderë më të fortë se partitë, parti më të forta se shteti dhe shtet më të dobët se pushteti. Dhe ne që kemi kritika për këtë model qeverisjeje, ia kërkojmë këto ndryshime pikërisht njerëzve që e kanë në dorë dhe që u intereson gjendja që është, apo e kundërta e asaj që duhet. Sepse republika e vërtetë ua heq të drejtën që të qeverisin si deri më tani, pa kontroll. Dhe ndryshimet që mendojnë të bëjnë synojnë të kundërtën e asaj që kërkon republika: synojnë një përfaqësim sa më të ngushtë popullor, ngushtimin e pushtetit në vetëm dy duar dhe kthimin e zgjedhjeve në një formalitet katërvjeçar.

Në këtë kuptim, republika shqiptare vazhdon të mbetet një projekt i papërfunduar dhe është tërësisht i kotë diskutimi historik mbi datën e krijimit të republikës.

14 Komente

  1. "
    "BOHOTINA"

    Per mua ke folur bukur mire deri ne shterim te ketij problemi madhor qe ke ndermarre te trajtosh. Te ka folur zemra. Jo buzet. Jo xhepi. 11 janar 1946. Po kjo date jo e vertete, vec sa trajtoi Gellci, e rinon shume ekzistencen e republikes. Pra, e ben 80 vjecare. Ajo duhet te ishte mbi shekullore. Jo vetem duhet nje date per krijimin e Republikes, por edhe duhet punuar per te sic bejne shume shtete syresh per vendin e tyre, dhe nuk ndertojne pacaure...

    Përgjigjjuni
    1. E
      Enveri

      Analizen e persosur, komplimentet e mia zoti Gellci. Mirepo pasi lexon kete analize kupton qe ne keto 36 vjet, ne kemi zgjedhur e vazhdojme te zgjedhim njerezit e gabuar per ndertimin e shtetit tone, pa dallim ngjyre apo partie, pra fajet kryesisht jane tonat qe zgjedhim me Idiotet e shoqerise per te na perfaqesuar ne parlament.

      Përgjigjjuni
    2. D
      Doda

      Zoteri e ke qendisur gjendjen dhe funksionimit e shtetit me kete shkrim me mire dhe me troc nuk thuhen gjerat.Gjithashtu jemi i vetmi vend ne bote qe nuk festojme e kujtojme diten e Republikes tone por dhe diten e deshmoreve te atdheut.

      Përgjigjjuni
      1. T
        Tomi ik ne usa se mund te kesh sociale atje

        Edhe italianet e kane nje dite festive te republikes,madje kane edhe festen e clirimit qe e festojne kudo dhe nuk diskutojne se kur iku gjermani i fundit dhe kur erdhi komunist saliu nga shpella... Ndersa(se nuk e lexova te gjithe carcafin)kur thua se institucionet jane besnike te pushtetit apo partise qe eshte ne pushtet,sipas teje(nuk ka rendesi kush eshte ne pushtet)per mua nuk duhen te jene besnike te opozites,por te atij qe i ka emruar apo zgjedhur dhe jo te vij dashi peqinit qe ka share mbare kedo,ka votuar kundra dhe do vazhdoj te votoj kundra e te na behet minister apo te haj me dy luge

        Përgjigjjuni
      2. G
        Gusha

        Shkrim shumë i saktë dhe i argumentuar. Të shohim reflektimin për këtë.

        Përgjigjjuni
        1. T
          Trapajane hesapi

          Dita e republikes ? 7 prill 1939

          Përgjigjjuni
          1. V
            Vëzhguesi

            Po çfarë thua. Shqipëria u bë pjesë e perandorisë italiane gjatë pushtimit prej tyre. Republika e Dytë e Shqipërisë është 11 janar 1945. Nëse politikanëve pas vitit '90 u vjen turp për këtë datë, le ta shpallin Shqipërinë monarki për 24 orë e ta rikthejnë sërish republikë dhe ajo le të festohet si Republika e Tretë e Shqipërisë.

            Përgjigjjuni
          2. s
            skllever, bij skllevrish, qe liri nuk doni !

            Vec leksione teorike, dhe ato vec vuajne nga tabu: Kur Gellci dhe shume te tjere, jetojne ne nje republike te vdekur, por megjithate vazhdojne te marrin fryme qete, pa bere asnje thirrje, per te mbushur sheshet e protestes, kunder kesaj diktature orientale- komuniste, me nje kozmetike te fare te dale boje demagogjie. E keqja e madhe e ketij vendi, nuk jane emra te vecante rami dhe sali, por tek geni i denatyruar dhe i bastarduar nga shekujt e pushtimit monstruoz turk dhe komunist i shqiptarit.Ne nje vend, ku njerzit, e ndjejne si nje normalitet, te zgjohen, ne truallin europian, qe ne 5 te mengjezit, nga zeri qe vjen nga shkretetirat aziatike, qe duhet te rikujtoj ate pushtim menxyroses dhe qe te shoqeron pese here ne dite, ahere vec mund te presesh, ate qe ndodh: Nje maredhenie te perulur frike dhe interesi te skllavit ndaj sunduesit. Dhe dikush qe u ngrit i vetem dhe protestoi gjate, para nderteses se kryevezirit, ju kundervu kjo lloj kopeje me kuc dhe mac, per ta mbytur.

            Përgjigjjuni
            1. A
              Albert

              Nje analize shume setioze, qe ka vlere te cmohet sidomos nga ata te cilet kane pushtet, qofshin ne mazhorance a ne opozite.

              Përgjigjjuni
              1. F
                Fjala

                Nje shkrim plot logjike dhe aresye, veçse nuk ka kujt te ja drejtosh per zgjidhje ! Kjo demokraci n'a ka futur ne qorrsokak, nuk pranon as mendje dhe as pushke. Ato i kane ata. Ne vetem kenaqemi kur i lexojme dhe themi : paska njerez akoma si Républika qe enderrojme dhe me kete enderr do ikijm nga kjo dynja !

                Përgjigjjuni
                1. M
                  Mali

                  Mirë shumë mirë e ke trajtuar zoti Gëllçi. Kjo temë është shumë e mpretë por dhe një objekti një diskutimi të gjërë pse jo dhe i një referendumi popullor .Dhe është e drejtë ajo që trajton që ligjërishtë dhe me kushtetut ne jemi Pepublikë popullore. Dhe këtë formë qeverisje mbi bazat e juridiksionit kushtetues ska zot që e ndryshon veç se populli me referendum ashtu siç vendosi të abononojë formën qeverisës mbretërinë e Ahmet Zogollit . Mirëpo problemi shtrohet përse ky populle di që është banor i një Republike por që ka 35 vjet që kjo foshnjë nuk ka ditë lindje??? Kush e abrogojë ligjin në parlament për të mos e njohur 11 jana1946 si ditë lindje e Republikës së Shqipërisë ??? Ka një ligj të tillë ??? Jo . Atëherë kush e injorojë këtë ditë historike kush e mohojë kush e përdhosi këtë fakt historik kur aj datë është miratuar me kosensusin e të gjitha forcave politike të kohës deri në zgjedhjet e para pas çlirimit ? Po këta politikanët e këtyre 35 vjetëve si ka mundësi ta lënë popullin pa një datë të Rep Pop Sh ?? E çuditëshme por kjo është një ironi e pa tolerueshm Kemi dhe e bëjmë pushim edhe ditën e verës që në faktë është një festë pagane kei ditën e Rinisë Demokratike kemi ditën e PD të PS kei ditë abetareje kei festa fetarevsa nuk i mbajmë mënd kei një ditë të shumë dyzuar çlirim etjnpor skemi ditën e shpalljes së Republikës që është forma më demokratike e qeverisjes dhe që bota mbarë tërë udhëheqësit Evropian dhevAmerika apo vëndet e Azisë Arabe et e urojëPresidentin Kryeministrin dhe kryetarin e Kuvëndit me kët përcaktim :"""Urojmë ditën e çlirimit të Rep Pop të Shqipërisë """"Po mirë këta qerratenj pse e përcaktojnë me termin Republikë ???? Në cilën faqe të historisë së shtetit tonë e kanë gjetur që ne jemi Rep Pop ?? Se duhet të jetë një fakt historik që i obligon këto shtete të mëdhenj dhe të vegjël ta respektojn qoftë dhe diplomatikisht , Mirpo partitë politike të të dy anëve të politikës kanë frikë ta lënë në fuqi dhe ta mbajnë si ditë historike dhe ta bëjë populli pushim dhe kjo ndodh sepse kjo është njëkonfondim me faktin se e konsiderojnë si festë e shpallur nga ishbPPSH dhe dihet që ashtu si ditën e çlirimit dhe të Republikësvi shumëzojnë me zero Hajde gjëje një drejtëpeshim të historisë së populilt tonë me këto parti dhe udhëheqësitpolitik të dhjerë që në barkun e nënave që i ka lindur. Dhe kët e kam për dy partitë politike kryesore ,

                  Përgjigjjuni
                  1. O
                    Oficeri dulles

                    Krijimi I Republikes eshte 11 janari . Se luan topi dhe çudia me e made eshte se te gjithe komunistat bijt e komunistave Jane ne pushtet Harrogate dhe ish sigurimsat dhe 11 Janarin se praline????

                    Përgjigjjuni
                    1. N
                      NIK

                      Shume sakte !, E lexova me vemendje. Eh kur do fillojme te jetojme ne normalitet,sic jetohet ne vendet normale. Bravo Maqo !

                      Përgjigjjuni
                      1. B
                        Buda

                        Shtypi i kulifikuar i nivelit tё gazetёs “TEMA”, duhet tё kёrkojё dhe tё argumentojё ne nivel akademik nevojёn e domosdoshme tё ndryshimit tё Sistemit Kryeministror tё diskredituar tё qeverisjes Shqipёri. Nisur edhe nga difektet e sistemit qeverisёs ne shtete e Ballkanit, Europёs dhe SHBA, mendoj se sistemi demokratik i qeverisjes nё Shqipёri do te zvogeloje ne maksimum Korrupsionin dhe Diktaturen Personale Kryeministrore duke aplikuar sistemin qeverises me Republikё Presidenciale. Presidenti tё zgjedhur nga populli duhet te jetё institucioni kryesor i Republikёs, si garant i Kushtetutes dhe kontrollues e balacues i tre pushteteve: Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqesorit. Nё Pushtetin Legjislativ po zё vend me te drejtё ideja e zgjedhjes sё mazhoritare 80-100 ligjberesve me profesione te ndryshme, por nё nivel juridik tё Shkollёs sё Magjistraturёs. Deputetёt nuk mund tё marrin asnjё detyrё nё Pushtetin Ekzekutiv. Gazeta ia vlen te hapё njё debat shkencor rreth kёtij ndryshimi tё sistemit tё qeverisjes dhe mё tej tё kalohet nё Referendum Popullor.

                        Përgjigjjuni

                        Lini një Përgjigje